MENU
klinika

Mbështetja në vazhdimësi

Çifti digjet nga flakët/ Ministria u jep fëmijëve statusin jetim

10.04.2019 - 21:12

Pas fatkeqësisë së ndodhur në Pukë ku një çift humbi jetën pas zjarrit që dogji shtëpinë dhe 4 fëmijë mbetën jetimë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përmes strukturave të saj të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Shërbimin Social Shtetëror ka marrë menjëherë masat duke mbledhur grupin teknik multidisiplinar për menaxhimin e rastit.

Pasi u bë vlerësimi i nevojave, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në koordinim me organizatat partnere dhuruan veshmbathje, pako ushqimore dhe karrocë për gjyshen e paralizuar që shpëtoi nga zjarri, duke u angazhuar për mbështetjen e familjes në vazhdimësi.

Ndërkohë ka nisur procedura për pajisjen me status jetimi të 4 fëmijëve dhe ka nisur menjëherë identifikimi i një familjeje të përshtatshme që do të marrë në kujdestari 4 fëmijët e mitur si zgjidhja më e mirë e mundshme.

Në bashkëpunim me Bashkinë Pukë 4 fëmijëve u është caktuar një pension social dhe bashkia ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë.

Aktualisht fëmijët janë të strehuar tek gjyshja e tyre deri në përcaktimin e kujdestarisë.

Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës do të vijojë të ndjekë nga afër fëmijët për çdo nevojë që do të paraqitet në vijim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN