MENU
klinika

"Trimi malësor që mbajti flamurin e Skënderbeut"

Noli, Konica dhe ish-ambasadori amerikan shkruajnë për Zogun në kohë të ndryshme

10.04.2019 - 22:03

Një shkrim me vlerësime nga Fan Noli u botua në Amerikë, në gazetën ”Dielli” të datës 16 shkurt 1916.

Në këtë shkrim, kushtuar figurës së Ahmet Zogut, Noli flet për luftërat dhe heroizmat e Zogut kundër serbëve, në Mat dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme, në vitet 1914-1915.

Noli është frymëzuar nga një letër që ka marrë nga Nikollë bej Ivanaj, pjesëmarrës në ushtrinë shqiptare të udhëhequr nga Ahmet Zogu. Ishte fjala për veprimet luftarake të asaj ushtrie, për të paralizuar kryengritjen rebele të Haxhi Qamilit të vitit 1914, si dhe për qëndresën e suksesshme të saj në përballimin e forcave esadiste dhe atyre serbe. Noli, i cili e njihte edhe më parë veprimtarinë patriotike të Zogut, që nga pjesëmarrja në Kuvendin historik të Vlorës më 28 nëntor 1912, nuk i kursen lavdet e merituara për Zogun, në të gjitha cilësitë pozitive njerëzore dhe aftësitë e tij si ushtarak dhe burrështeti i denjë për një vend të përparuar europian.

Në shkrimin e tij Noli, ndër të tjera, thekson tekstualist:

“Nga letra që botuam dje, mësuam që i dëgjuari atdhetar, zoti Nikoll bej Ivanaj ndodhet në ushtërinë shqipëtare të Ahmet bej Matit. Zoti Ivanaj, në vend që të mbetet në Shkodër a të shkojë në Europë, mori malet, kapërceu Mirditën dhe vajti në Malësinë e Matit, që të përhapë nëpër malësorët e Gegërisë propagandën kombëtare. Tani mësojmë që ushtëria malësore, me të cilën ndodhet zoti Ivanaj, do të ketë hyrë në Tiranë…, a në Elbasan…, dhe do të kenë ngritur flamurin e Shqipërisë kudo që ka shkelur.

Ahmet bej Mati, me të cilin bashkëpunon Nikollë bej Ivanaj, është djalë fare i ri, i hollë, i gjatë, me leshra të verdha, me sy të kaltër, duket më tepër si inglis a skandinav. I urtë në fjalë, të cilat i ka të pakta dhe të matura, i ëmbël në mënyrat dhe në sjelljet, jep më tepër përshtypjen e një dipllomati evropian, se sa të një bajraktari të malësive të egra. Shënjt nga fytyra, por luan nga zemra dhe hekur nga karakteri. Dhe e provoi me punë.

Mati është i vetëm vend i Gegërisë që s’u shkel nga serbi, as në luftën ballkanike, as në luftën evropiane. Ahmet
Zogolli, në krye të matjanëve të tij, e mprojti nga armiku i huaj dhe e mbajti lart flamurin e Skënderbeut. Tani mësojmë nga letra e Ivanajt që lufton në krye të një ushtërije prej 1500 malësorësh, që ka grirë 20 mijë serbë, që ka zënë 10 mijë robër prej syresh dhe po baret (ecën) kundër Durrësit…

Kur të shkruhet plotësisht historia e këtij trimi malësor, i cili, i rrethuar prej armiqësh nga të gjitha anët, qëndroi si shkabë në malet e tij dhe nuk iu unj as serbit, as Esatit, as u korruptua me ryshfetet e armiqëve, bota do të këndonjë me çudi dhe admiratë një epokë heroike që kapërcen atë të kalorësve të qëmotshëm. E paçim sa malet.”

(Betimi i Zogut në Parlament për t’u bërë Mbret i Shqiptarëve, 1 shtator 1928, Tiranë)

ahmet-zogu-konica.al

Faik Konica jep vlerësime për Ahmet Zogun në njëbisedë në Radio “Uashington Times”, më 17 janar 1932:

“Unë e pashë Mbretin Zog për herë të parë në vitin 1913. Atëherë ai ishte djalosh 18 vjeçar, por me një reputacion të madh personal, për patriotizëm, kurajo të jashtëzakonshme dhe mendjehollësi. Në këtë moshë, në krye të 2 mijë trimave, ai ka luftuar për Pavarësinë e Shqipërisë, duke qenë gjithmonë i pari atje ku është rreziku. Në fillim të Luftës së Parë Ballkanike, Zogu organizoi forcat e tij dhe i komandoi në Kakarriq të
Shkodrës, ku u ndesh me forcat serbo-malazeze. Më 28 nëntor – 7 dhjetor 1912, Zogu përfaqësoi Matin në Kuvendin e Vlorës”.

Ambasadori Grant: Zogu, një nga udhëheqësit më të famshëm ushtarak e politik

Një tjetër personalitet që e vlerëson figurën e mbretit Zog është edhe ish-ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri gjatë viteve 1935-1939 në Mbretërinë Shqiptare, z.Hugh H. Grant. në kujtimet e tij të botuara në librin “Me jetue në shekullin e sotëm” (“Dardania Tiranë, botim i vitit 1995), ai shkruan: “… Unë besoj se historia, në gjykimin e saj të fundit, të drejtë dhe të paanshëm, do ta përmendi Zogun e Parë – Mbret i Shqiptarëve, si një nga udhëheqësit më të famshëm ushtarakë dhe politikë të kohës së tij, si një prijës patriot dhe trim, me një inteligjencë dhe zgjuarsi të jashtëzakonshme…”.