MENU
klinika

Historia e mafiozëve që frymëzuan filmin “Goodfellas”

Si Cosa Nostra bëri grabitjen më të madhe të histories e “Lufthansa ’78”

10.04.2019 - 22:27

Nga Raimonda Moisiu

Hapet pas 38 vitesh dosja e grabitjes së famshme “Lufthansa ’78”. Historia e mafiozëve që frymëzuan filmin “Goodfellas” me Robert De Niro, Joe Pesci dhe Ray Liotta.

Mafiozët italo-amerikanë, Vincent Asaro, Gaspar Valenti dhe Salvatore Vitale, janë të akuzuarit për një mori krimesh vrasje, grabitje, drogë, vënie gjobash, të cilët u bënë të njohur që në moshë të re, kur bashkarisht me legjendën Luchese, mafiozin James alias Jimmy (The Gent) Burke, dhe me disa mafiozë të tjerë, realizuan dhe kryen grabitjen e bujshme, më spektakolare të shekullit 20-ë, në aeroportin J.F.Kennedy, në vitin 1978: Vjedhjen e $6 milion, bizhuteri, flori e diamante, në avionin Lufthansa.

Bazuar në këtë ngjarje të bujshme të shekullit, është realizuar edhe filmi “Goodfellas”, (“Gangsterët”), ku rolin e Jimmy Burkes së famshëm e luan aktori Robert De Niro. Pavarësisht se kanë kaluar 38 vjet, autoritetet federale amerikane, i rikthehen herë pas here dosjes së grabitjes, për mistere ende të pazgjidhura e të paqartësuara.

Ditën e hënë të 19 tetorit 2015-ës, mafiozi Vincent Asaro, mbërriti në gjykatën federale të qarkut të Bruklin-it, Nju Jork, për të dëshmuar në shkallën e parë të gjykimit, në rishqyrtimin dhe rihapjen e dosjes voluminoze, për disa krime të pazgjidhura ende, të grabitjes së famshme “Lufthansa ’78”, e ndodhur para 38 vjetësh. Mafiozi Vincent Asaro, tashmë 80-vjeçar, e ka filluar karrierën e tij mafioze, nën hijen dhe krahu i djathtë i pasardhësit të kryemafiozit Joe Bonnano, -Joe Massimo. Në sallën e gjyqit përballë Asaros, në podium, qëndronin disa mafiozë-dëshmitarë, bashkëkohas dhe bashkëpunëtorë të tij, të cilët tashmë i ishin kthyer kundër, duke e tradhëtuar, spiunuar dhe dëshmuar, kundër tij. Nga dëshmitarët më kryesorë, në rolin e të penduarit që bashkëpunuan me autoritet federale, dhe me statusin e mbrojtjes së dëshmitari, në sallën e gjyqit, ishin mafozi Salvatore Vitale, që njihet edhe si vrasës i Bonnanove, dhe mafiozi, Gaspar Valenti, 68-vjeçar, i cili nga një bashkëpunëtor i ngushtë i Asaros, u shndërrua në armik i betuar i tij. Gjithashtu në sallë ishte gjithashtu edhe djali trupmadh i tij, Anthony Valenti, të cilin e thërrasin-Fat Sammy ( Sem Trashaluqi). Herë -pas here ai e vështronte atin e tij vëngër me inat.

“Jam, sot, këtu për të mbështetur Vinny-in, (emri shkurt i Vincent Asaro-s), ushtarin besnik të familjes mafioze Bonnano. Sa për babain tim, renegatin dallkauk, Gaspar Vitale, nuk dua t’ia di fare, nuk më intereson, -i tha Sam Trashaluqi gazetares të The Daily News. E gjithë skena në sallën e gjyqit federal në Bruklin, ngjasonte me skenën e filmit tjetër të Mafias, “Godfather”, pjesa e dytë e Francis Ford Coppolas. Në fjalën e saj hapëse, përfaqësuesja ligjore e prokurorisë së përgjithshme amerikane, Lindsay Gerdes tha se ishte pikërisht Asaro që së bashku me legjendën e krimit, Jimmy Burke, planifikuan grabitjen në aeroportin J.F.Kennedy, në vitin 1978-ë, të $6 milion dhe bizhuteri; diamante dhe florinj, në avionin, Lufthansa. Për hir të së vërtetës, Vincent Asaro dhe Jimmy Burkes ishin partnerë besnikë e të ngushtë në shumë krime si grabitje, rrëmbime dhe vrasje. Vincent Asaro ishte një mafioz dhe ushtar i betuar i rekrutuar nga radhët e familjes mafioze Bonnano, që në vitet 1970-ë, duke ecur kështu në gjurmët e të atit dhe gjyshit të tij. Për atë, Vincent Asaro-n, Mafia, në kuptimin e plotë të fjalës, ishte biznes familjar, mjet jetese. I pandehuri është tërësisht një bandit, kriminel gangster, -u shpreh Gerdes. Në javët para grabitjes, Vincent Asaro, Jimmy Burke dhe banda e grabitësve u takuan, biseduan dhe inspektuan konstruksionin e ndërtesës në terminalin e avionit, ku ishte kasaforta dhe kutitë me bizhuteri, për të planifikuar kursin e veprimeve të grabitjes.

Natën e grabitjes, banda e tyre solli të gjitha mjetet, që atyre u duheshin; si armë, maska dhe doreza.

I pandehuri Asaro dhe Jimmy Burke prisnin aty pranë, brenda fugonit, në gatishmëri për të sajuar ndonjë aksident të rastit me makinë, përplasje ndaj makinës së policisë, nëse policia do të cfaqej rastësisht aty. Asaro kishte rekrutuar edhe Gaspar Valenti-n, si një anëtar të bandës. Por mbas grabitjes, mafiozi lakmitar dhe i babëzitur, Vincent Asaro, haptazi do të përvetësonte pjesën e Valenti-t. Ky veprim i Asaros, që e mbante veten edhe për njeri të mençur, do t’i kushtonte shumë në vitet e ardhshme. Gaspar Valenti do të dëshmonte kundër Vincent Asaros, i cili është edhe kushëriri i tij, duke thënë se ai i grabiti edhe pjesën e tij nga llogaria e grabitjes. Valenti regjistroi qindra orë bisedash përgjatë viteve në birucë me Asaron, biseda që e implikonin atë direkt në grabitjen e bujshme dhe një mori krimesh të tjera.

Vincent Asaro, që dikur fshihej nën hijen e Bonnanove, është mafiozi i fundit që doli zbuluar nga shkërmoqja e Omerta-s,-kodi i njohuri, Cosa Nostrës, kod, të cilin anëtarët e pesë familjeve mafioze italiane në Nju Jork, e kishin besë e himn, për të jetuar, mbijetuar dhe deri në vdekje.

I veshur me një pulovër ngjyrë gri duke përtypur çamçakëz, Vincent Asaro hyri në sallën e gjyqit dhe dukej më shumë si një i moshuar tuhaf, sesa ai gangsteri krenar e kapriçioz që ishte dikur. Me kokën varur dhe i përgjumur për shkak të moshës, autoritet federale amerikane vendosën ta transportonin Asaron në sallën e gjyqit, në një makinë më vete, jo me autobusin që transportonte të pandehurit e tjerë.

Sepse plakushi Asaro do të mundej të flinte gjatë rrugës!

*****

Grabitja e bujshme dhe spektakolare, me 11 dhjetor 1978, i avionit Lufthansa, pati informacione nga punëtorë të aeroportit që punonin si hamej, por që ishin edhe hajdutë ordinerë, të cilët mësuan se në terminalin ku u ngarkua avioni, Lufthansa ndodheshin plot 6 milion dollarë, bizhuteri diamanti dhe floriri.

Grabitësit i vunë bravën hyrjes së gardhit rrethues dhe hynë brenda në terminal, duke ia mbajtur armën në kokë, punëtorëve. Kur ata prekën kasafortën, aty kapën “Jackpotin”! Kuti mbas kutie që ata hapnin, ata shkonin e preknin vetëm tufa me dollarë dhe bizhuteri. Shumë më tepër nga çfarë e kishin imagjinuar! Një pjesë të parave nga Lufthansa, Vincent Asaro i dha me fajde, ndërsa pjesën më të madhe të tyre ai e luajti kumar në gara me kuajt. Gjithashtu ai i dha $100.000, Joe Massimos, kapos së familjes mafioze Bonnano. Joe Massimo i cili u prish me mob-in Vincent Asaro në 2011-ë, i tregoi trupit gjykues për pjesën që ai mori nga grabitja e thesari të Lufthansa-s. Legjenda Jimmy Burke vdiq nga kanceri, në vitin 1996, deri atëherë ai kishte bërë 20 vite burg nga dënimi përjetë, për vrasjen e një tregtari droge dhe grabitjen. Kurse Gaspar Vitale në dëshminë e tij, tha se, ai shpenzonte shuma marramendëse! Duke ju referuar Joe Massimo-s, kryemafiozi i familjes Bonnano, i cili ishte edhe kunati i tij. Në dukje “chic” me një kostum blu dhe kollaro të stampuar, Salvator Vitale u ngjit në bankën e dëshmitarit dhe dëshmoi që Joe Massimo (Bonnano) i dhuroi atij, vetëm një varëse floriri, të cilën e nxori nga çanta e mbushur plot me bizhuteritë e vjedhura në grabitje, por që Vincent Asaro ia pati dhënë atij.

“Kjo është pjesa tënde nga Lufthansa!”-i tha Joe Massimo, Vitales, kur e takoi në Canal.Str., duke i zgjatur vetëm një varëse floriri.

“Sa për Vincent Asaro, ai ishte gjithmonë gjaknxehtë, nxitohej, nuk përmbahej, dhe shpërthente brutalisht në mbledhjet e mafias”,-i tha Vitale, trupit gjykues.

“Përmbahu dhe respekto njerëzit që ke përballë”-i tha Salvator Vitale, Vincent Asaros, në sallën e gjyqit.” Ky ishte momenti më kulminant. Mafiozët filluan t’i hakërreheshin njëri tjetrit në sallën e gjyqit.

Vinny u tërbua nga dëshmia e Vitales, jo vetëm që nuk ja ndante vështrimin e egërsuar atij, por turfullonte duke e sharë me fjalorin e rrugës, mërmëriste shpesh fjalën “F***U”, ju, sa në një moment Vincent Asaro e humbi kontrollin dhe iu drejtua stenografit të gjyqit të mënjanohej, se e pengonte të shihte dëshmitarin,-Vitalen.

Gjithashtu, Salvator Vitale njehsoi një listë të gjatë të mafiozëve, të cilët ishin propozuar për t’u vënë në shërbim të familjes mafioze Bonnano, një listë ku përfshihej edhe emri i Fat Sammy-t ( Sam Trashaluqit), Anthony Valenti-t, që në librin e verdhë të telefonave të Vitales, ata njiheshin me nofkat’ “Tommy shot”, dhe “Vinny Green nga Las Vegas”.

Për Salvator Vitale-n kjo ishte dëshmia e nëntë për dosjen “Lufthansa 1978-ë”, me statusin e të penduarit dhe mbrojtjes së dëshmitarit, që dëshmonte në favor të autoriteteve federale amerikane. Gjithashtu jeta e tij nën programin e mbrojtjes së dëshmitarit, është për të ardhur keq, sepse ia ka bërë të pamundur të gjente një punë legjitime, biles as edhe një punëtor i rëndomtë në supermarketet “Walgreens apo Target”, teksa shohin bekground-in e tij, si mafioz dhe pjesëmarrës në grabitjen e bujshme dhe një mori krimesh.

Por kur Salvator Vitale nxori në shesh se ai ishte paguar 250.000 $ , nga agjentët federalë, për të dëshmuar, për aktivitetin e tyre mafioz e kriminal, Asaro tundi kokën i egërsuar.

“Duke jetuar me statusin e mbrojtjes së dëshmitarit, juve do iu duhet të thoni gënjeshtra njëra pas tjetrës, derisa ju të arrini në një dëshmi bazë solide. Por nëse do të më kërkohet ta bëj përsëri, unë do të thoja, më mirë të respektoja të vërtetën, dhe të shkoja në burg”, deklaroi Vitale në sallën e gjyqit.

Gjykatësja e çështjes, më herët u kërkoi prokurorëve të çështjes; në parim të mos jepnin shpjegime të hollësishme, për gjakderdhjet dhe vrasjet që pasuan nga shekulli i kaluar e deri më sot, plot 38 vjet, të grabitjes, Lufthansa 1978-ë, sepse përgjegjësi kryesor për to, ishte Jimmy (the Gent) Burke, (i vdekur tashmë) dhe jo, Vincent Asaro. Me urdhër të Burkes, kryemafiozit të familjes Luchese u goditën, u vranë dhe u burgosën një gjysmë duzine e Mafias amerikano-italiane, të Cosa Nostrës.

Vincent Asaro, gjithashtu është dënuar në vitin 1969, për vrasje, shfrytëzim dhe zjarrvënie të qëllimshme.

Avokatja mbrojtëse e Vincent Asaros, Diane Ferrone, në fjalën e saj mbrojtëse, i quajti dëshmitarët kundër Asaros, një bandë kriminelësh, gërnjarë, gënjeshtarë e vrasës. Ferrone e quajti Gaspar Valenti-n, një “con-artist” për të sajuar truke, duke e bindur FBI-në, të besonin gënjeshtrat e tij. dhe u shndërrua në një informator i paguar nga FBI-ja, në vitin 2000, duke vënë përgjues në trupin e tij, për të regjistruar bisedat në birucë me Vincent Asaro-n.

Ju kurrë nuk duhet ta besoni, atë, Gaspar Valenti-n, sepse viktima e fundit e tij, është FBI-ja. Sa për atë, Valentin dhe të penduarit e tjerë, kur është e domosdoshme, ata gënjejnë njëri-tjetrin. Ata e bëjnë këtë, pra gënjejnë sepse duan të shpëtojnë vetveten,. Njëherë po gënjeve, mësohesh të gënjesh gjithmonë”, – përfundoi avokatja mbrojtëse e Asaros, Diane Ferrone.