MENU
klinika

Ligësia e Ramës do largohet me shiun

Kryemadhi: Në 13 Prill gjithë shqiptarët në protestë

11.04.2019 - 13:38

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se protesta e 13 prillit është e të gjithë shqiptarëve, duke i përmendur me radhë që nga bizneset e vogla deri tek mjekët e infermierët. Sipas saj, kjo do jetë protesta e të gjithë atyre që duan një pakt kombëtar për një axhendë të ardhshme për Shqipërinë.

13 prilli do jetë protesta e të gjithë qytetarëve, e bizneseve të vogla, e shtresës së mesme, e pensionistëve. Do të jetë protesta e studentëve, kërkesat e të cilëve jo vetëm që nuk u realizuan por i rritën tarifat e tyre. Kjo do të  jetë protesta e pedagogëve e rektorëve që i përdori për të kërcënuar studentët. Do jetë protesta e mjekëve e infermierëve që kanë filluar kurset e gjermanishtes.

Do jetë protesta e mësuesve shqiptarë, që ndihen më të rrezikuar se askush tjetër që janë nën efektin e njerëzve të paaftë.Do të jetë protesta e gjithë atyre prindërve që duan të krijojnë një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre. Do jetë protesta e blegtorëve dhe fermerëve. Do jetë protesta e shqiptarëve, atyre njerëzve që duan të mbyllin njëherë e mirë këtë tranzicion.

Do jetë protesta e gjithë atyre që duan të bëjnë një pakt kombëtar për të krijuar një axhendë të ardhme të Shqipërisë dhe të shqiptarëve që garanton lirinë, sistem drejtësi e barabartë, shëndet publik të barabartë e arsim të barabartë”, theksoi  Kryemadhi në deklaratën e saj.

Ajo tha se këto ditë shiu do të mbyllen bashkë me ligësinë e një njeriu që ka kapur të ardhmen e shqiptarëve.

Të gjithë së bashku të ndërtojmë sistemin e vlerave dhe të përmbysim sistemin e krimit të organizuar. Këto ditë shiu do të mbyllen bashkë me errësirën dhe ligësinë e një njeriu që ka kapur të ardhmen e të gjithë shqiptarëve”, tha kryetarja e LSI.