Mbërthyer nga mosmarrëveshjet me Turqinë, e cila dëshiron të blejë gjeneratën e re të avionëve luftarakë Amerikanë F-35 të prodhuar nga Lockheed Martin, por gjithashtu të vendosë në territorin e saj sistemin rus anti raketor S400, Washingtoni po mendon që super avionët e saj të rinj t’ia shesë edhe Greqisë, Rumanisë dhe Polonisë.
Aktualisht Greqia posedon linjën e avionëve luftarakë F16 që janë një model pak më i vjetër se F35. Raportohet se Greqia i ka dërguar letër korporatës amerikane ku kërkon të dijë çmimin për 25 deri në 30 avionë.
Në një dëshmi me shkrim të paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, agjencia e lajmeve Reuters shkruan se nën-admirali Mathias Winter, kreu i zyrës së F35 në Pentagon tha se “klientët e ardhshëm potencialë përfshijnë Singaporin, Greqinë, Rumaninë, Spanjën dhe Poloninë”.
Ndonëse Greqia është përballur me krizë financiarë të rëndë, Athina në asnjë moment nuk i ka ulur investimet në ushtri dukë u renditur ndër të paktat vende të NATO-s që shpenzon 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.
Vendimi i SHBA për të pezulluar shitjen e super avionëve të saj luftarakë F-35 në Turqi i ka mundësuar Izraelit të ruajë epërsinë ajrore në Lindjen e Mesme, njoftoi Jerusalem Post. Izraeli posedon aktualisht 14 avionë të ndërtuar me porosi F-35 I Adir dhe pret të ketë 50 të tjerë deri në vitin 2024. Vitin e kaluar, Belgjika ishte klienti i parë i ri i gjeneratës së pestë të avionëve F-35, duke zgjedhur atë përballë avionit të ri luftarak evropian Typhoon.
Korporata Lockheed Martin, kontraktori kryesor i avionit, po zhvillon dhe ndërton tre modele të avionëve të rinj për ushtrinë amerikane dhe për 10 vende të tjera që kanë nënshkruar për të blerë avionët siç është Britania e madhe, Australia, Italia, Turqia, Norvegjia, Holanda, Izraeli, Japonia, Koreja e Jugut dhe Belgjika.
Ekziston frika se blerja e sistemit rus S400 nga ana e Turqisë mund t’i japë mundësi rusëve që të mësojnë pikat e dobëta të avionëve të rinj amerikanë F35. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se sistemet ruse për mbrojtje ajrore mund të arrijnë në Turqi më shpejt nga sa ishte planifikuar. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Ankarasë që të anulojë marrëveshjen me Rusinë duke thënë se sistemet ruse nuk janë në përputhshmëri me sistemet e NATO-s.
Udhëheqësit e dy Komiteteve të Senatit amerikan, atij për Marrëdhëniet me Jashtë dhe tjetrit për Shërbime të Armatosura, kanë paralajmëruar Turqinë se rrezikon të përballet me sanksione të ashpra nëse vazhdon planet për blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore S-400 të Rusisë.