MENU
klinika

Asambleja e përgjithshme

Zv.ambasadori amerikan: Marrëveshjeve të pista po u vjen fundi

12.04.2019 - 16:15

Zëvendës Ambasadori në Detyrë i SHBA, Dan Koski deklaroi se sistemi ligjor në Shqipëri po ndryshon dhe është krijuar një klimë e mirë biznesi.

Në fjalën e tij, në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë,  Koski deklaroi se ditëve të marrëveshjeve të pista po u vjen fundi.

“Shtetet e Bashkuara, kanë besim se reforma në drejtësi do të krijojë një klimë biznesi të drejtë, transparente dhe të parashikueshme, e cila është më e mirë për bizneset tuaja dhe për të gjitha kompanitë amerikane të frymëzuara për të investuar në Shqipëri.

Një gjyqësor etik dhe i ndershëm do të sigurojë që prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar më në fund të mbahen përgjegjës. Ditëve të marrëveshjeve të pista dhe drejtësisë së mohuar po u vjen fundi.

Një sistem i drejtësisë penale që është i ashpër me korrupsionin dhe krimin e organizuar do të sigurojë tek bizneset e ligjshme besimin që interesat e tyre do të mbrohen”, u shpreh Koski.

Ai vuri në dukje se një sistem gjyqësor i reformuar do të zbatojë paprekshmërinë e kontratës. Më tej zyrtari amerikan shtoi se një sistem ligjor i drejtë dhe i pavarur do t’i nxisë bizneset të kërkojnë regjistrim zyrtar dhe do të pengojë aktorët e pandershëm të paguajnë ryshfet për të shmangur detyrimet e tyre tatimore.

Zv.ambasadori nënvizoi se një gjyqësor i drejtë dhe i pavarur do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pronës së patundshme.