Një tjetër muze do t’i shtohet qytetit të Shkodrës. I pagëzuar “Muzeu i Kulturës Françeskane”, ai do të ngrihet brenda mjediseve të kishës Françeskane, që zgjodhi 800 vjetorin e ardhjes së saj si provincë në vendin tonë, për të prezantuar projektin ambicioz që transformon tërësisht zonën.
Pjesë e këtij Muzeu janë edhe shumë nga punimet e piktorit Lin Delija, të sjella tashme në Shkodër, për të cilin studiuesi Ardian Ndreca tha se renditet pas Onufrit:
I pranishëm, nunci apostolik në Shqipëri Charles Brown e quajti të rëndësishëm ngritjen e këtij muzeu që lartëson kontributin e gjatë të françeskanëve.
Kjo hapësirë e muzeut do të jetë një pikëtakim për brezin e ri me emrat e mëdhenj të letrave shqipe e jo vetëm, por edhe dëshmia reale se sa ka humbur kultura e dija kombëtare, nga asgjesimi që ju bë veprës së tyre.
“Vendndodhja e saj në rrugën kryesore pedonale të qytetit, përballë Muzeut “Marubi” është optimale në aspektin e aksesibilitetit të vizitorëve. Ndërtesa kryesore do t’i nënshtrohet një restaurimi të saktë në fasade për t’i lënë vendin një modernizimi total në brendësi te saj.
Vizitorët do të gjenden në hyrje të ndërtesës në një ambient pritës të thjeshte por të ngrohtë, i cili i jep edhe mundësinë e blerjes së librave, suvenireve, por edhe të një pushimi aktiv në një “kafeteri françeskane”, –tha ndër të tjera arkitekti Gjon Radovani.
Ndërsa, më pas ministrja e Kulturës u shpreh optimiste për këtë projekt, sepse vetëm kështu të rinjtë nuk do të harrojnë të shkuarën e tyre.
“Jam e bindur që puna që ka nisur me hartimin e projektit do të gjejë aktorët e duhur për të ecur para. Shkodra e bukur e ka mundësinë, që t’i tregojë të gjithë kombit se çfarë do të thotë që të ndërtosh të ardhmen, pa harruar të Shkodrën.
Ky është vetëm një gur i vogël, që është mbi të gjitha një mesazh paqeje. Jam e lumtur edhe që mësoj sot se pikturat e Lin Delisë do t’i bashkohen këtij vendi”, tha ministrja e Kulturës Margariti.