I njohur shpesh me nënshkrimin J. M. G. Le Clézio, një nga shkrimtarët e dashur të letërsisë franceze u laureua me çmimin Nobel për letërsi në vitin 2008.
Le Clézio lindi në 13 prill në vitin 1940 në Nice të Francës, në një familje bretone emigruar në ishullin Maurice qysh në shekullin XVIII, Le Clézio konsiderohet si një nga mjeshtrit e letërsisë frankofone bashkëkohore, një nga shkrimtarët më të përkthyer francezë tani për tani. Le Clézio është autori i më shumë se pesëdhjetë veprave, krijimtari e cila pë5rfshin tregime, romane, novela, përkthime nga mitologjia indiane, tregime për fëmijë, artikuj dhe studime të ndryshme etj.
Njihet ndryshe si shkrimtari që jeton mes disa kontinenteve, një shkrimtar nomad konsideruar vazhdimisht si një kritikë ndaj Perëndimit kapitalist. Ka shkruar ndër të tjera: “Procesverbali”, “Shkretëtira”, “Afrikani”, “Ethja”. “Kërkuesi i arit”, “Ylli bredharak”, “Letër babait” etj.
Le Clézio u nderua me çmimin Nobel me motivacionin: “autor i eksperimentimeve të reja, aventurave poetike të një ekstaze sensuale; një eksplorues i njerëzimit brenda dhe jashtë civilizimit mbizotërues”. Udhëtar i përhershëm, udhëtime të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyera në veprën e tij. Në 1980, ai nënshkroi veprën “Shkretëtira”. Gama e gjerë e krijimtarisë së veprave të tij evokon udhëtimet dhe kulturat e popujve të ndryshëm, veçanërisht ato të Amerikës Latine dhe Oqeanisë. Të shkruarit e tij është klasik, i thjeshtë, por qëmtuar bukur dhe plot ngjyrë.
“Kur shkruaj, fjalë më vijnë vetvetiu, kur ndodhem para fletës së letrës me stilolapsin në dorë, vërshimi i fjalëve futet midis edukimit francez dhe vendit ku ndodhem”, – thotë autori.
Ky udhëtar i madh, romancier i vetmisë dhe përçartjes, admirues i Stivensonit dhe Konradit, jeton prej kohësh si një shkrimtar i adhuruar Francë. Trupgjatë, me sy bojëqielli dhe me një pamje fotozhenike prej kauboji, elegant, Le Clézio është një burrë i qeshur dhe i ndrojtur, jo aq i egër sa thuhet e flitet.
Shpesh e quajnë “shkrimtari shtegtar”, “një indian në qytet”, apo “panteisti madhështor”: nofka të justifikuara ngaqë ai është dashurues i madh natyrës, madje krijoi universin imagjinar ku Mayat do të dialogonin me Emberas (indianë të Panamasë), ndërsa nomadët e Marokut jugor me zeshkanët, skllevërit e arratisur nga plantacionet mauritiane.
Për romanin e fundit “Alma”, shkrimtari shprehet: “E kam filluar këtë libër para tridhjetë vjetësh, duke lexuar listat e pagëzimeve të skllevërve”. “Alma” është një nga vendet e para ku është futur kultura e kallamsheqerit. Shpesh vepra e tij cilësohet si një fantashkencë, pasi në tërësinë e tyre vë në diskutim bazat e letërsisë tradicionale, duke mos u kënaqur me sipërfaqësinë, me dëshirën për të gërmuar në atë çka është tragjike, e vërtetë, për ta shprehur me një gjuhë që të drithëron e që zgjon emocione të forta.
“Franca është atdheu im i zgjedhur për kulturën, gjuhën, qytetërimin, por atdheu im i vogël është ishulli Maurice”. “Nëse do të filozofoja, do thosha se s’jam tjetër veçse një ithtar i Rusoit, i cili s’ka marrë vesh asgjë”.