MENU
klinika

Primo Levi - dëshmitari i një bote çnjerëzore

Pasioni pas shkencës dhe talenti i të shkruarit

16.04.2019 - 14:05

Viti 2019, shënon njëqindvjetorin e lindjes së Primo Levit. Kimisti dhe shkrimtari na kujton ende sot, se çdo tragjedi e shkaktuar nga mungesa e plotë e njerëzimit rri ende në qoshk, duke përsëritur nevojën për të përkujtuar në një botë frike

Të flasësh për dikë si Primo Levi, duhet të tregohet maturi e kujdes për të mos rënë në kurthin e dhënies së një imazhi sipërfaqësor dhe stereotip, imazh që rrezikon të deformojë një jetë të tërë, duke e shndërruar në miniaturë stereotipe dydimensionale të viktimës së pafuqishme të nazizmit. Mbi të gjitha, historia e tij është historia e një fëmije të ngathët me origjinë hebreje, gjithmonë i apasionuar pas shkencës dhe i pajisur me talentin e të shkruarit, pjesë e Torinos së shekullit XX, një Torino dhe një Itali e kryqëzuar nga fashizmi dhe ligjet e tij.

 

 

Primo Levi u rrit, u bë kimist, megjithë vështirësinë e gjetjes së një udhëheqësi që ta paraqiste në komisionin e diplomimit; gjeti një punë, përkundër diktateve racore që pengonin çfarëdolloj punësimi të çifutëve, arriti të bëhej pjesë e një shoqërie aspak mikpritëse. Primo Levi kërkoi t’i respektohej dinjiteti, dëshiroi të njëjtat mundësi si çdokush tjetër, duke zgjedhur më pas dëshirën e madhe për të ndryshuar një realitet të shurdhër që i përkushtohej përjashtimit, duke përqafuar guximin dhe aderimin në Partinë e Veprimit klandestin në vitin 1942.

Nga Torino në Milano, deri rrëzë maleve Val d’Aosta, për t’u bërë pjesë e luftës antifashiste, që përfundoi më 13 dhjetor 1943, me arrestimin nga ana e milicisë së Duçes, para të cilit ai parapëlqeu të deklarohej si hebre dhe jo si partizan, duke zgjedhur “fajin” e gjakut mbi atë të politikës.

Kapitulli më i errët i Primo Levit ruan rrapëllimën e vagonëve mbi binarë, aromën e dëborës dhe obsesionin e vizioneve të skëterrshme: më 22 shkurt 1944, së bashku me gjatëqind e pesëdhjetë hebrenj italianë, u emërtua me një numër dhe pjesa tjetër është histori. Do të lirohet më 27 janar 1945, së bashku me nëntëmbëdhjetë të mbijetuar, nëntëmbëdhjetë nga gjashtëqind e pesëdhjetë.

 

 

Rrethanat dhe njohuritë i mundësuan të tregonte atë çfarë kishte parë, i dhanë mundësinë të rikthehej në të kaluarën dhe të bëhej dëshmitar i një bote çnjerëzore, që prej një shekulli vijon të na kallë krupë, një prej mizorive të njerëzimit që na turpëron dhe që në ditët e sotme është e domosdoshme të kujtohet.

Primo Levi pati ngulmimin dhe guximin për t’i ripërjetuar plagët, të hidhte e zeza mbi të bardhë helmin që kishte përjetuar, duke u futur në velin e një shkrimtari. Në librin “Armëpushimi” ai tregon për udhëtimin e vështirë nga kampi i përqendrimit, duke kaluar nëpër Poloni, Bjellorusi, Ukrainë, Rumani, Hungari, Gjermani dhe Austri.

“Nostalgjia është një vuajtje e brishtë dhe fisnike, në thelb e ndryshme, më intime, më njerëzore, sesa vuajtjet e tjera që kishim duruar deri në atë kohë: rrahjen, të ftohtin, urinë, terrorin, mizerien, sëmundjet. Kjo është një dhimbje e qartë, e pastër, por urgjente: ajo përshkon çdo minutë të ditës, nuk të jep asnjë ide tjetër dhe të çon drejt arratisjes”.

Flet për armëpushimin si një çast prehjeje, bllokimi, pritjeje, intervale të shkurtra pjesë e së cilës është vetë jeta, edhe ajo një parantezë, e ndarë në kapituj, për të arritur deri në armëpushimin më të sinqertë: vdekjen.

 

 

Primo Levi nuk u struk nën rrobën e viktimës së gjenocidit, përkundrazi ai ngriti zërin dhe na ofroi një letërsi që na vendos ne dhe ndërgjegjjen tonë në një pozicion të parehatshëm, me kriza të ethshme, me katarsis vërtet të parealizuara, një pasqyrë që na detyron të vështrojmë vetveten për atë që jemi me sytë hapur, si qenie njerëzore me një Histori që bërtet për hakmarrje sa herë që shkelet dhe mohohet.

Nëse ky është një njeri është përkufizimi i ligështimit të njerëzimit, që është e nevojshme për të ushqyer dhe kultivuar urrejtjen për gjithçka që e konsideron të ndryshme dhe të padëshiruar, një eksperiment sadist dhe ekstrem që ekspozon gjendjen e dhunës që mund të arrihet.

Pikërisht për këtë arsye, të flasësh për një njeri si Primo Levi, si dhe për fjalët e tij shprehur me guxim, një shekull pas lindjes, për të ndarë kujtimet dhe emocionet, për t’iu treguar gjeneratave të reja, duke i edukuar me rëndësinë e kujtesës, sot dhe nesër, është e domosdoshme dhe detyrë, në respekt të atyre që “vdiqën dhe mbijetuan”.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Kadare dhe intelektualët paralajmërojnë

“Evropa do të zhduket nën dallgët e populizmit”


Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!