Kishte jetuar vëtëm për Shqipërinë, i ishte kushtuar asaj dhe nuk kërkonte gjë tjetër veç të prehej në dheun e saj. “Nuk do të më tresë dheu nëse ti Imzot Noli, ti Lamja i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë vehten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë.”, kishte shkruar me dorën që po i ftohej nga vdekja.
“Amanetin s’e tret dheu” ka thënë fjala e popullit dhe urtia e fjalës së tij është e rëndë si guri e më e rëndë se ai. Këtë e dinte shumë mirë Konica, kur i shkruante testamentin Nolit dhe Lames së Vogël. (Selfulla Maleshevës, që shkruante nën pseudonimin Male Kodra). Po ku ta dinte ai, se Shqipëria do të mbyllej nga herezia e kuqe dhe jo vetëm që nuk do të pranonte eshtra bijsh, por do të nxirrte jashtë edhe sa e sa bij të tjerë të devotshëm e vullnetmirë!
Dhe Noli që gjatë gjithë jetës vajtoi e lëshoi kushtrimin për shokët e tij të luftës të mbetur “syrgjyn vdekur” jetoi dhe vdiq jo vetëm me mallin e Atdheut dhe brengën për fatin e tij, por edhe me pengun në shpirt që nuk arriti t’i plotësonte dëshirën e fundi mikut të tij, “njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë, njërit nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ustajt më të madh të shkrimit të gjuhës sonë”, siç e kishte përkufizuar ai vetë.
E ku ta dinte Noli se Shqipëria, të cilën ai vetë e kishte lidhur me gjithë botën, duke i vënë cakun me fjalën e tij të zjarrtë në Lidhjen e Kombeve, do të mbyllej hermetikisht e mizorisht sa të mos pranonte as eshtrat e bijve!
Mandej, ku do ta dinte Lamja, poeti me atë zemër të madhe, që e donte Shqipërinë “si bari dhe si fshatar”, ku do ta merrte me mend se vitet e fundit të jetës së tij do t’i ngryste i internuar dhe se në një ditë ogurzezë, kur agjentët e sigurimit do t’i vinin zjarrin shtëpisë së tij, ai do të bërtiste në prak të dëshpërimit e të çmendurisë: “Librat, shpëtoni librat!”
Në ato flakë ku do të digjej edhe letra e Nolit me porosinë e Faikut, atë porosi obsesive për kufomën, që e kishtë tunduar tërë jetën, atij po i dritësohej edhe më e më tragjedia e kombit. Ata agjentë kishin urdhër të digjnin pikërisht librat e dorëshkrimet e tij, të digjnin akte e dokumente të historisë sonë, të digjninë dëshmin kujtesën e kombit. Sa më shumë të zhduknin, aq më mirë do të ishte, sepse historinë do ta bënin komunistët me Enver Hoxhën në krye.
Historia zyrtare dhe kritika letrare e realizmit socialist, të nënshtruara qorrazi ndaj diktaturës, do ta mohonin Konicën – si Fishtën, Mithat Frashërin, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Arshi Pipën e sa e sa të tjerë. Me synimin e krijimit të një imazhi të errët për personalitetet e shquara të kulturës, historisë, gjuhës, letërsisë, etj. Do ta mbulonin arin me baltë!
Atdhetarin e madh Faik Konica do ta quanin “diversionist të lëvizjes kombëtare”, “politikan të paskrupull”, “demagog dhe disfatist” dhe “mbrojtës të oxhakësisë” (anipse kishte edhe Islam Bej, Abdyl Bej, Naim Bej, etj.). “Albaninë” e tij, këtë enciklopedi të mendimit shqiptar të periudhës së Pavarësisë dhe një nga monumentet më me vlerë të publicistikës sonë, do ta etiketonin si “tribunë të mendimit frenues dhe regresiv politik e shoqëror, zëdhënëse e synimeve imperialiste”, etj. Dhe më përtej, atë që krijoi kritikën tonë letrare do ta emërtonin “estetizant zemërgdhu”, etj.
Por ja që kohët kalojnë. Dhe ndryshojnë. I vjen fundi tiranëve dhe Atdheu merr frymë i lirë. Dhe, edhe pse ka një mijë halle me të gjallët, ai nuk harron të vdekurit, bijtë që i deshën të mirën dhe punuan pa u kursyer për të, dhe i pret me dashuri e nderim mbetjet e tyre në gjirin e vet. Në akullsinë e pajetësinë e atyre eshtrave, ai e ndjen vetem me të ngrohtë e më të gjallë. Kështu, Atdheu plotësoi amanetin e Konicës dhe i priti me nderimet më të mëdha mbetjet e tij në gjirin e vet. Me gëzim të papërshkruar e pritën këtë eveniment të madh historik të gjithë shqiptarët e Amerikës dhe në mënyrë të veçantë vatranët. Dhe me të drejtë. Qëkur vuri këmbë së pari në Amerikë në vitin 1909, Konica bashkë me Fan Nolin, Kristo Floqin, Kristo Kirkën, e atdhetarë të tjerë të shquar filloi t’u mësonte abc-në e atdhesisë mërgimtarëve shqiptarë të shpërndarë andej – këndej, dhe qe njëri nga ideologët kryesorë që i grumbulluan dhe i bashkuan ata në të famshmën Federatë Panshqiptare Vatra, e cila do t’i sillte aq e aq të mira Atdheut. Ai qe disa herë kryetar i Vatrës dhe editor i Diellit, duke e ushqyer atë me shkrimet e tij, që ngërthenin gjerësisht të gjitha problemet e jetës shqiptare.
Gjithhashtu, në shtypin e Amerikës, deri ditën që vdiq, Konica ngriti me forcë problemin e Shqipërisë, prezentoi profilin shpirtëror të popullit tonë, fatet e tij historike, padrejtësitë që i qenë bërë prej Fuqive të mëdha dhe fqinjëve shovinistë, dhe i siguroi Atdheut shumë miq, dashamirë e përkrahës amerikanë.
Shkruar nga : Anton Çefa