MENU
klinika

Nëntori kthen Mit’hat Frashërin në atdhe

Eshtrat e Mit’hat Frashërit  në nëntor në Shqipëri

04.09.2018 - 11:51

Nga Andreas Dushi

Në qoftë se bindemi që duhet të jemi një faktor qytetërimi në Ballkan, që do t’a bëjmë vendin tonë një kënd toke të lulëzuar, të pajuarë me gjithë bukuritë morale dhe materiale, se do t’a bëjmë kombin që të përmendet me nderim dhe lëvdatë, atëherë padyshim do të ecim, do të përparojmë, të bashkuar e të fuqizuar…

Kështu pat shkruar Mit’aht Frashëri në vitin 1920 duke na kërkuar veç diçka: “Të bindim vetveten se sa të rëndësishëm e se sa me vlerë jemi!

Mit’hat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit kishte të tillë qasje për Shqipërinë. Nëse ajo vetëdijësohej mbi rëndësinë dhe vlerat e saj, do ia dilte në çdo fushë.

Por sot, Mit’hati nuk është në atdhe. Ai prehet në Amerikë ku edhe vdiq në tetor të 1949.

Por prehja e tij në SHB ka qenë veç e përkohshme. Burime të sigurta pranë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Kulturës,  bëjnë me dije se në nëntor, me rastin e 106 vjetorit të Pavarësisë, eshtrat e patriotit dhe diplomatit Mit’hat Frashëri do të kthehen në Atdhe.

Mësohet se me ardhjen e eshtrave do të organizohet edhe një javë me aktivitete kushtuar kësaj figure ndërsa detajet do të jepen së shpejti.

Pas vdekjes, Mit’hat Frashëri u varros në Ferncliff Cemetery, varrezat “elitare” të Nju Jorkut, mes shumë figurave të tjera të njohura si kongresmeni amerikan Austin, historiani Beard, shkrimtari Baldëin, kritiku letrar Trilling, muzikanti Franko e të tjerë.

Frashëri lindi në vitin 1880 dhe jetën e kaloi si funksionar i lartë shteti, shkrimtar e diplomat fillimisht në Perandorinë Osmane e më pas në Shqipërinë e pavarur. Veprimtaria e tij e parë me karakter patriotik ishte pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh kryetar. Në komisionin e hartimit të alfabetit ku kryetar ishte Át Gjergj Fishta, Frashëri u zgjodh nënkryetar.

Me shpalljen e Pavarësisë, kryeministri i kohës Ismail Qemali e emëron Ministër të Botores, detyrë që e mbajti për pak kohë, pasi në mars të vitit 1913 dha  dorëheqjen në shenjë proteste karshi qëndrimit që Qemali mbajti për rrethimin e Janinës.

I gjithë funksioni i tij atdhetar ishte i bazuar mbi dëshirën për të krijuar një ideal për shqiptarët. Në librin “Pagët e mia”, ai shkruan:

Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një shtytkë, pa një qëllim që e bën të ecë, të punojë, të përpiqet dhe të përaproj.

Lexonte rregullisht shtypin, letërsinë dhe studimet e huaja, veçanërisht kur lidheshin me çështjen shqiptare. Në një letër të vitit 1914, botuar në “Përlindja e Shqipëriës”, shkruan:

“…duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zj. Edith Durham si kujtim për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet dhe botimet e saj.”

Me ardhjen e Princ Vidit, mori sërish funksione qeverisëse duke dhënë kontribut në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Por me ikjen e Vidit, u largua edhe Frashëri i cili deri në 1918 jetoi në vende të ndryshme të Ballkanit.

Në janar të vitit 1923, emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, detyrë që e mban deri në dhjetor të 1925. Sipas të dhënave të kohës, ai u interesua veçanërisht për çështjen e çamëve dhe gjenocidit berë ndaj tyre.

Si publicist, në vitin 1908 krijoi në Selanik revistën “Dituria”, botimi i së cilës nuk vazhdoi gjatë. Por jeta e saj nuk mbaroi. Më 1927, rifillioi botimin, tanimë në Tiranë ku çeli edhe bibliotekën “Lumo Skendo”.

Më 1939, kur Italia Fashiste erdhi në Shqipëri, Mit’hat Frashëri u bë sërish pjesë aktive e jetës politike. Kur në vitin 1942 u krijua “Balli Kombëtar”, Frashëri u zgjodh kryetar dhe shpalli se kishte për synim të udhëhiqte masat e popullsisë shqiptare në luftë kundër okupacionin fashist italian. Në thelb dy ishin synimet e tij: të kontribuonte në rimëkëmbjen e Shqipërisë së pavarur dhe të mënjanonte ardhjen pas luftës të Partisë Komuniste shqiptare në pushtet.

Në 1943 mori pjesë në Konferencën e Mukjes ku doli hapur kundër parimeve të Partisë Komuniste. Ky qëndrim e detyroi që në nëntor të 1944 të largohej dhe të vendosej në Itali.

Ai ishte i vetëdijshëm se shqiptarët nuk janë njerëz të pafaj. Pasi kërkon të na bindë që ne kemi vlera, nuk do që të “fluturojmë”, kështu po në librin “Plagët tona” shkruan:

Ne shqiptarët, ti miku im që i këndon këto radhë, dhe unë që po i shkruaj, jemi plot faje, plot të meta. Kemi karaktere të liq, të trashëguar nga kohët e shkuara, nga stërgjyshërit, nga paranikët.

Por ndryshe nga Konica, ai na tregon çfarë duhet të bëjmë me këto të meta dhe si të punojmë që Shqipëria të shpëtojë prej tyre:

Duhet t’i çdukim ne, të mos i trashëgojmë në djemtë tanë, të mos i bëjmë të na japin mallkim.

Me t’u vendosur në itali, kërkon të shkojë në ShBA dhe ja del. Atje ai drejtoi edhe komitetin “Shqipëria e lirë”. Para se të nisej në një udhëtim drejtë Nju Jork, vdiq në hotelin “Winthrop”.

Një gazetë e kohës e përshkruan kështu funeralin e tij:

Ditën e diel u vendos në një sallë të madhe dhe filluan të vijnë kurorat, 25 kurora nga organizata, grupe e personalitete të huaj. Në orën 14 ka filluar ceremonia e varrimit. Imam Vehbi, i ardhur nga Detroit ka bërë lutjet.

Kanë folur: Nuçi Kota në emër të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, Grigor Tashkovite, ish-senator jugosllav, në emër të Internacional Peasant Union, Dr. Bistrev ish-deputet bullgar në emër të Komitetit Kombëtar Bulllgar, Zj. Gold Veliko në emër të rinisë shqiptare të lindur në Amerikë, tërë fjalimet e fundit kanë qenë në gjuhën angleze. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta të cilët më pas e shoqëruan arkivolin për në varrezat “Ferncliff”.

Pseudonimi i tij ishte Lumo Skendo. Ai ishte një bibliofil i vërtetë pasi, me ardhjen e komunizmit kur i’u sekuestrua pasuria, u pa se kishte rreth 40 mijë libra të cilët i janë bashkuar Bibliotekës Kombëtare. Kjo e fundit, sëbashku me Ministrinë e Kulturës, që në vitin 2006 e nderojnë këtë figurë duke dhënë çmimin e bibliofilisë me emrin e tij.