MENU
klinika

Deklarata

Riatdhesimi i kosovarëve nga Siria, SHBA: Shembull për të tjerët

20.04.2019 - 19:36

Ambasada e Shteteve të Bashkura në Prishtinë ka përshëndetur kthimin e qytetarëve të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri, duke konsideruar se Kosova ka treguar me këtë hap një shembull të rëndësishëm në botë.

Me këtë deklaratë, Ambasada i është referuar kthimit të 110 kosovarëve në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Kosovë.

“Përmes këtij riatdhesimi, Kosova ka treguar një shembull që duhet ndjekur për të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe anëtarët e koalicionit global për mposhtjen e grupit militant të Shtetit Islamik”, ka thënë ambasada.

Përveç të tjerash, në komunikatë është thënë se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë mirënjohëse për mbështetjen e Forcave Demokratike Siriane në procesin e kthimit dhe ndalimit të qindra luftëtarëve të ISIS nga dhjetëra shtete”.

Të shtunën, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka bërë të ditur se në mesin e personave të kthyer janë edhe 4 luftëtarë.

“Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu 4 fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, tha Qalaj.

Drejtori i Policisë së Kosovës bëri të ditur se, në zonën e konfliktit mbeten ende rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë. Të kthyerit nga Siria, orët e hershme të mëngjesit të së shtunës janë dërguar në Qendrën për Azil në fshatin Vranidoll, i cili gjendet në periferi të Prishtinës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN