MENU
klinika

Mjeshtrat e mëdhenj të mendimit

Trampolina që tmerri i “shkencës” Marksiste kaploi botën

04.09.2018 - 14:18

David Rikardo është njëri prej ekonomistëve kryesor, në mos kryesori, i periudhës së klasicizmit. I njohur për gabime fatale aq sa për kontribute marramendëse, Rikardo megjithatë vlen të jetë njëri prej pesë ekonomistëve më të mirë të të gjitha kohërave.

Kontributi i Rikardos është i njohur dhe i vlerësuar gjerësisht nga historia e ekonomisë politike në të paktën tre drejtime: në çështjet monetare, në fushën e teorisë së vlerës/rentës dhe në teorinë e avantazheve krahasuese, që zë një vend qendror në teorinë e ekonomiksit ndërkombëtar.

David Rikardo lindi në Londër, më 18 prill 1772, në një familje me origjinë hebreje që, pasi ishin përzënë nga Spanja, ishin vendosur në Holandë dhe më pas në Londër.

Rikardo kishte ndjekur edukimin bazë në Angli dhe dy vite shkollimi në Holandë. Në moshën 14-vjeçare, i ati,i cili ishte tregötar i bursës së Londrës, do ta merrte me vete dhe do ti jepte besim të plotë në transaksionet në bursë. Studimet e mëtejshme të tij u influencuan nga një i njohur, i pazbuluar në atë kohë. Nga njohjet e hershme i lindi dhe pasioni për shkencat abstrakte, veçanërisht matematikën.

Interesi i tij për ekonominë politike zhvillohet kur gjatë një qëndrimi në Bath në vitin 1799 ku shkonte me të shoqen për arsye shëndetësore, i bie në dorë “Pasuria e Kombeve”.

Ai kishte parë një libër të Adam Smith që qarkullonte në librari, dhe pasi kishte shfletuar dy faqet e para, kishte porositur ti çonin në shtëpi një kopje. I kishte pëlqyer aq shumë sa i kishte nxitur interesin dhe një dëshirë për të studiuar më shumë në këtë fushë.”

Në vitin 1818 ai do të zgjidhej anëtar i të famshmit Klubit Brooks, me propozim të Lord Essex dhe Lord Holland, gjë që do t’i hapte më vonë rrugën për t’u zgjedhur anëtar i Parlamentit.

Rikardo u mor edhe me biznes. Duke e filluar biznesin e tregtimit në Bursën e Londrës që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, menjëherë pas martesës do të dilte më vete në biznes.

Me një pasuri prej 800 paund në momentin e martesës dhe ndarjes nga biznesi i të atit, ai do të ndihmohej nga miqtë e ngushtë duke vepruar si ‘thyes’  i bursës. Duke njohur talentin e tij të lindur për biznes, edhe bankat e Londrës do ti jepnin besim të plotë në çeqet që ai do të lëshonte.  Edhe pse veprimet e tij të tregtimit nuk ishin të natyrës spekulative, ai arrinte të fitonte 200-300 £ në ditë. Rregulli i artë që ai ndiqte thuhej se ishte: “humbjet mbaji në minimum” dhe “lër fitimet të rrjedhin”.

Në vitin 1802 Rikardo do të tërhiqej nga biznesi. Duke shitur kredi me norma të larta, ai kishte siguruar aq fitime sa, siç shkruante vetë “të siguronte të gjithë dëshirat e arsyeshme për veten dhe miqtë e mi”.

Botimi i parë akademik i Rikardos ishte ‘The High Price of Bullion a Proof of the Depreciation of Bank Notes’, në vitin 1810 dhe u ribotua katër herë brenda dy viteve.  Principet themelore të këtij libri do të përfshiheshin në Raportin e Komitetit të Monedhës (Bullion Committee).

Vepra e tij më e rëndësishme,’ On Principles of Political Economy and Taxation’ do të shkruhej në vitin 1817.

I vetmi influencues i tij ishte Adam Smith dhe në fakt kjo mbetet një vepër krejt origjinale dhe që i dha Rikardos një prestigj të padiskutueshëm në nivel botëror.

Bota në epokën e Rikardos kishte ndryshuar shumë krahasuar me epokën e Smithit.  Në një atmosferë të tillë, çështja e shpërndarjes së pasurisë dilte si një nga më të mprehtat. Cilat ishin shkaqet e niveleve të larta të çmimeve të ushqimeve dhe rentës së tokës? Si formoheshin pagat dhe cili ishte ndikimi i sindikatave? Mbi cilën klasë duhej të rëndonte taksimi? Këto ishin temat me të cilat Rikardo u mor gjerësisht në veprat e tij.

Ligji rikardian i rentës përqafon dy ide ose faza komplementare: idenë e tokave inferiore dhe fitimeve ekstensive, dhe ligjin e të ardhurave rënëse që çon drejt fitimeve intensive.

Adam Smith dhe fiziokratët francezë e kishin parë rentën si një dhuratë të natyrës, por asnjëherë nuk kishin zhvilluar një teori të sajën.

I përmbledhur, sistemi rikardian i formuluar me një matematikë të komplikuar dhe shpeshherë të vështirë për tu depërtuar, ekuilibri makroekonomik përcaktohej nga katër variabla:

Prodhimi (Të ardhurat) totale = rentë + fitimet + pagat

Në modelin rikardian ishin rentat e larta të tokave shkaktaret kryesore të çmimeve të larta të prodhimeve bujqësore, dhe prej këtej ai arriti në konkluzionin se mënyra e vetme e uljes së çmimeve ishte zbutja e tarifave dhe anulimi i plotë i Ligjit të Drithërave.

Edhe kritikët më të zjarrtë të Rikardos, e vlerësojnë kontributin e tij në fushën e tregtisë së lirë, me teorinë e tij të avantazheve krahasuese. 

Thelbi i teorisë ishte kapërcimi i një mangësie të teorisë së Smithit mbi avantazhet absolute, një teori që ishte e kuptueshme lehtësisht. Ishte shumë e qartë që një vend duhej të specializohej në prodhimin e një malli që ai e prodhonte në mënyrë më eficiente se një vend tjetër, dhe të blinte nga ai vend një mall që ai vend e prodhonte në mënyrë më eficiente se vendi importues. Analiza e Rikardos në këtë temë është mjaft e komplikuar nga aparati matematikor që ai përdor, por vlen të theksohet se kjo teori mbetet një ndër më të pakontestueshmet në teorinë ekonomike.

Pavarësisht një lloji pesimizmi që mbizotëron në veprën e Rikardos në raport me antagonizmat klasore në kapitalizëm, ai mbetet një nga mbrojtësit më të zellshëm të tij. Bindja e tij e përhershme ishte se çdo ndërhyrje qeveritare vetëm se i përkeqëson gjërat edhe më shumë.

Më vonë kur Karl Marx u shfaq në skenë, ai e ndërtoi të gjithë sistemin e tij ekonomik mbi teorinë objektive të vlerës, përkatësisht teorinë e punës së vlerës, të cilën Rikardo e zhvilloi më së shumti.

Shumë ekonomistë nuk kanë ngurruar ta quajnë Rikardon trampolinën me të cilën tmerri i “shkencës” Marksiste  kaploi botën.

Pasuria e tij në fund të jetës do të vlerësohej në një numër të madh pronash të patundshme, vilash dhe kursimesh të konsiderueshme. Rikardo ishte gjithashtu një bamirës dhe njeri shpirtmirë. Me paratë e tij do të mbështeste financiarisht dy shkolla dhe një shtëpi të varfanjakësh.

Të enjten e 11 shtatorit 1823 Rikardo ndërroi jetë. James Mill do të shkruante në nderim të figurës së Rikardos në Morning Chronical, “Më lejoni t’i kushtoj këtë shkrim, kujtimit të një prej njerëzve më të çmuar të vendit tonë, humbjen e të cilit ai do ta vajtojë përjetësisht”.