Pas vdekjes së një të riu në punë në Mitrovicë në vendpunishte, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim përfaqësuesit e Shoqatës së ndërtimtarëve të Kosovës, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ministrat e MAPL-së, MMPH-së dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, për të diskutuar situatën në sektorin e ndërtimtarisë.
Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga të gjitha institucionet, por edhe aktorët e tjerë të përfshirë, që të zbatojnë standardet e parapara të ndërtimeve, si dhe masat mbrojtëse që parashihen me Ligjin e Punës, për të krijuar kushte të favorshme për të gjithë të punësuarit.
“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka sektori privat, në të cilin ka më së shumti të punësuar dhe që është promotor i zhvillimit ekonomik të vendit, por ne si institucione duhet të krijojmë infrastrukturën adekuate ligjore në fushën e ndërtimeve.
Gjithashtu duhet të angazhohemi për kushte të mira të punës për mbrojtjen e të punësuarve në këtë sektor”, ka thënë kryeministri Haradinaj në fjalën e tij.