Është qyteti i serenatave, i kinemasë së parë në vend dhe i hidrocentralit të parë në historinë e konçensioneve në Shqipëri. Korça, si pionere në shumë fusha, mban një gur të çmuar kilometrik edhe në historinë e estradave të humorit shqiptar. I krijuar në vitin 1959, Estrada e Korçës kishte në gjirin e saj fillimisht vetëm 7 aktorë të humorit: 3 të ardhur nga Pallati i Kulturës së Maliqit dhe 4 nga qyteti i Korçës. Drejtori i parë i saj ishte Koço Qendro i cili së bashku me trupën e aktorëve hartuan një calendar shfaqjeje të miratuar më parë nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, pra me bekimin e partisë.
Në fillimet e tyre ishin të gjithë aktorë amatorë, të udhëhequr nga pasioni dhe talenti. Aleko Prodani, Dhimitër Pema, Niko Dhima, Stavri Shamia, Syrja Meçe etj., disa prej të cilëve do të nderoheshin edhe me titullin “Artistë të Merituar” kontribuan me vënien në skenë të një seri skeçesh të përgatitura nga autorë të ndryshëm sikurse Dhimitër Orgocka. Edhe pse puna në Estradë zinte një pjesë të vogël të ditës pas kontributit në Kombinat , artistët ia dilnin me sukses të realizonin shfaqje të duatrokitura dhe të pëlqyera nga publiku.
“Armiku i popullit” ka qenë shfaqja e parë e vënë në skenë nga trupa e estradës së Korçës. Më pas rreth viteve 70’ Estradës iu bashkuan emra të tjerë si : Spiro Karanxha,Violeta Manushi, Pandi Raidhi, Stavri Shkurti , Jani Riza, Marko Bitraku etj. Kalendari artistik do të sillte gjatë dekadës së atyre viteve shfaqje të tilla si: “Pijaneci”, “Martesa”, “Puna të bën njeri” e deri tek skeçet e fundvitit. Një plejadë aktorësh spikatën gjatë këtyre viteve të arta, aq sa nga skena e teatrit u huazuan në botën e Ekranit të Madh të Kinemasë.
Një ndër to ishte Violeta Manushi, edhe pse të gjithë e njohën që pas filmit të famshëm shqiptar “Zonja nga Qyteti” njihet si “Ollga e Stefanit”. E lindur në Korçë më 6 mars 1926 , Violeta shfaqi talente interpretative që në vogëli. Më 1946 u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit. Talenti dhe natyrshmeria bënë që në dramën “Orët e Kremlinit “, të luante tre role, duke i hapur kështu rrugë sukseseve të tjera në vitet që pasuan. Ka luajtur në role protagoniste e dytësore, në drama, melodrama e kryesorja në komedi që publiku I ka skalitur në kujtesë. Të tilla mund të përmendim : “Fytyra e dyte “, “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Zonja nga qyteti “ etj. Numëron rreth 100 role në teatër dhe 16 në kinema . Fituese e disa çmimeve, nder to edhe Medaljoni i Festivalit te Filmit në vitin 1977 për rolin në filim “Zonjën nga Qyteti”.
Të njëjtin vlerësim korçarët i kanë blatuar edhe artistit të popullit, aktorit korçar Pandi Raidhi . I lindur më 14 prill 1921 në Korçë, Pandi do të spikaste me rolin e tij të mirëpritur në skenën e teatrit “Dasma Korçare” prej nga do t’i çelej do të sipari i një serie suksesesh në kinematografi e teatër. Ai ka debutuar në thuajse 36 role në kinematografi ndër të çilët i pari ishte ai në filmin “Tana” dhe rreth 300 role në dramë, komedi e opereta.
Njejtësimi i aktorit me emrin e personazhit, kur ky arrin të fitojë zemrat e publikut ka ndodhur edhe me Roland Trebickën. I lindur në vitin 1947, Rolandi nisi të angazhohej si aktor i ri në Estradën Profesioniste të Ushtrisë. Më herët ai pati luajtur dhe rolin e tij të parë në film, atë të Kostës në filmin “Debatik” në vitin 1961. Publiku mban mend me nostalgji personazhet e qëndisura prej tij, atë të Xhenarinos tek “Magjia e Madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” e shumë të tjera. Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kantidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro.
Talenti i spikatur e ka bërë Zamira Kitën të integrohet në teatrin “Andon Zako Çajupi” menjëherë pas përfundimit në 1985 të Institutit të Lartë të Arteve të Bukura. Në fillim pranë trupës së estradës dhe më pas ka realizuar role në komedi dhe dramë. Janë të shumta bashkëpunimet me TVSH-në në koncerte e spektakle, kryesisht ato të Vitit të Ri. Në vitin 1997 ajo merr çmimin “Aktorja më e mirë” në festivalin mbarëkombëtar të teatrit të zhvilluar në Tiranë. Sot është drejtore e teatrit “Andon. Z. Çajupi”.
Thonë se ëndrra e çdo aktori është të vdesë në skenë. Nëse kjo është e vërtetë, mund të thuhet Aleko Prodani e realizoi këtë ëndërr. Ai ndërroi jetë në skenën e Teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës, ndërsa luante në provat për premierën më të re teatrale. Aleko u bë bashkëthemelues i Estradës së Ushtarit, ku edhe u formua si aktor, gjatë një stazhi gjashtë vjeçar. Më pas u emërua aktor në Estradën e Korçës, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës.
Për shkak të biografisë së papërshtatshme për ideologjinë e kohës, pas Pleniumit të IV-t të partisë, atë e largojnë nga Estrada dhe e dërgojnë për “riedukim në prodhim” në Maliq. Ka në rreth 60 premiera të Estradës së Korçës. Është autor i libreteve, regjisor dhe aktor kryesor në 30 premiera, e dhjetra skeçe e komedi me një akt që shfaqen edhe në TVSH në programet e Vitit të Ri. Nën drejtimin e Prodanit, në vitet ’80, Estrada e Korçës bëhet më e mira në vend. Ka fituar më 1992, titullin “Artist i Merituar”. Ka fituar tri herë rresht, në tri pjesëmarrje, çmimin për aktorin joprotagonist në Festivalin e Aktrimit në Fier, në ediçionet 2003, 2004 e 2005.
Aktualisht Estrada e Korçës është shkrire me teatrin “Andon Z. Cajupi” duke ruajtur traditën e mirë të krijuar nga themeluesit e saj, që vijojnë të kënaqin me artin e tyre skenik duke fituar duartrokitjet e publikut korçar, por jo vetëm.
Përgatiti: L.S.