MENU
klinika

Pasuri të rralla lexuesit

“Gjeorgjikat” e Virgjilit dhurata e familjes Dema

25.04.2019 - 16:58

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli javën e veprimtarive kulturore, që do të zhvillohen në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit.

Duke u shprehur mirëseardhjen të ftuarve, në emër të të gjithë stafit të Institucionit qendror të librit në vend, drejtoresha Persida Asllani shprehu nevojën për një bashkëpunim sa më të koordinuar ndërinstitucional në mbështetje të Bibliotekës Kombëtare, por edhe të rrjetit të bibliotekave në vend, si hapësirat më cilësore të dijes, të informimit, të leximit të letërsisë dhe zhvillimit shpirtëror, mendor e estetik të qytetarëve.

Gjatë bashkëbisedimit me specialistët e bibliotekës u theksua vëmendja e veçantë, jo vetëm institucionale, por edhe personale “për një zgjidhje afatgjatë e cilësore të situatës në të cilën gjendet Biblioteka Kombëtare aktualisht”, me premtimin “krijimin e Agjencisë Kombëtare të ISSN-së pranë Bibliotekës Kombëtare”.

 

Krijimi i Agjencisë Kombëtare të ISSN-në, e cila do të pajisë me numrin ISSN, të gjitha botimet periodike si: gazeta, revista, – përfshirë edhe ato shkencore, – në format të shtypur ose në formë elektronik, si një domosdoshmëri në fushën e botimeve do të ndihmonte jo vetëm bibliotekat në kryerjen e përshkrimin bibliografik të periodikut sipas standardeve ndërkombëtare dhe shkëmbimin e të dhënave në rrjetet globale të informacionit por edhe botuesit për tregtimin më të mirë të botimeve të tyre brenda apo jashtë vendit si dhe botën akademike – shkencore në përpjekjet integruese euro-atlantike të botimeve të tyre kërkimore e shkencore.

Në këto ditë të veçanta, Fondi i vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare u pasurua me dorëshkrimin e përkthimit nga latinishtja të veprës madhore “Gjeorgjikat” të Virgjilit, sjellë në gjuhën shqipe nga mjeshtëri Mark Dema, dhuruar prej birit të tij z. Alfred Dema në kuadër të Ditës Botërore të Librit.

Fondi i dorëshkrimeve në BKSH numëron rreth 1189 vepra të dorëshkruara, kryesisht në gjuhët orientale (arabisht, osmanisht dhe persisht), shumica e të cilave janë kopjuar nga kaligrafë të specializuar në Shkodër, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Shumica e dorëshkrimeve orientale u takon shekujve XIII-XIX. Ato shquhen për miniaturat në ar dhe dekoracionet.

Pjesë e koleksionit janë edhe disa dorëshkrime në gjuhët perëndimore, ndër të cilat me vlerë të veçantë për Shqipërinë është ditari i albanologut hungarez Franc Nopça “Albania Notizbücher” në 6 vëllime, shkruar gjatë viteve 1905-1909, 1913 etj. Nga dorëshkrimet greqisht, i rrallë dhe i rëndësishëm është kodiku për Shën Nikodhimin nga Berati, dorëshkrim në fillim të shek. XVIII. Disa nga këto vlera të çmuara të fondit të BKSh-së, u ekspozuan për publikun.

 

 

Në kuadër të veprimtarive që po zhvillohen në kryeqytet në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë iu bashkua edhe aktiviteteve të shumta kulturore të organizuara nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës, ku u promovuan disa nga botimet më të fundit studimore e letrare, u zhvilluan tryeza të rrumbullakëta, Festivali i Krijimit Letrar, interpretime të krijimtarive artistike nga Klubi i Dramës të studentëve të Departamentit të Letërsisë si dhe Panairi i Librit.

 

Biblioteka Kombëtare promovoi botimin më të fundit “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës Diturija – Aktet e Konferencës Shkencore zhvilluar në Tiranë e Prishtinë 2018 në kremtimet e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit & Bibliografi e revistës ‘Diturija’”. Veprimtaritë do të vijojnë gjatë gjithë javës dhe janë konceptuar si ditë për të promovuar kulturën e leximit, duke përfshirë grup-mosha të ndryshme; rinisjen e Klubit të Leximit të Letërsisë Gjermanofone; vizitë e fëmijëve në Laboratorin e restaurimin, etj.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët