“Zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor ashtu sikurse është dekretuar me ligj”, kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Balla tha se Basha nuk merr pjesë në zgjedhje sepse kërkon pushtet në tavolinë.
“Zgjedhjet e 30 qershorit janë moment shumë i rëndësishëm për ecurinë e proceseve demokratike në vend, populli do të zgjedhë 61 kryetarët e bashkive, përshëndes 42 partitë konkurruese, në fund demokracia është i vetmi sistem ku partitë politike ftohen të konkurrojnë. Një parti që vendos të mos konkurrojë humbet funksionalitetin”– ka thënë Balla.
Pyetur nëse ka shumica një plan B, për pakt me PD, qoftë duke e regjistruar jashtë afateve, Balla ka deklaruar:
“Respektimi i afateve dhe ligjit janë detyrime të cdo force politike dhe kjo nuk varet nga ne por nga vetë drejtuesit e partive që përmendët.
Ajo që u them është e qartë, zgjedhjet do të zhvillohen, arsyet pse PD është jashtë Kuvendit nuk ka të bëjë aspak me ne, por me faktin që Basha nuk do të marrë pjesë në zgjedhje se do pushtet në tavolinë, në demokraci nuk ka pushtet në tavolinë”– tha ai, duke kujtuar edhe njëherë se kushdo që do të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve do të përballet me burg sipas ligjit.