Gjatë një takimi me ekspertë të shëndetësisë në Tiranë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se ky sektor ëstë në kolaps.
Kjo sipas Bashës ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit.
Gjithashtu kryedemokrati tha se me ardhjen e PD-së në pushtet paga minimale e doktorëve do jetë 1200 euro dhe e infermierëve 700 euro.
“Pa zgjedhje të lira nuk mund të këtë bashkëjetesë demokratike dhe as Bashkim Europian. Do të kem mundësinë për një shpalosje të plotë të programit për nxjerrjen e shëndetësisë nga kolapsi ku ndodhet.
Keq menaxhimi i çoi shëndetësinë në gjendje kome. Sot shqiptarët paguajnë më shumë për shëndetësinë dhe shëndetësia bën shërbim më të keq.
Shëndetësia në Shqipëri renditet e fundit në Ballkan. Sistemi shëndetësor në Shqipëri është primitiv. Në tre vitet e fundit Shqipëria renditet e fundit për cilësinë në shëndetësi.
Treguesit kanë ardhur në përkeqësim që në 2013. Financimi është më i ulëti,janë rritur shpenzimet e PPP-ve. Në radhë të parë këtu vendoset se çfarë do të vidhet sa do vidhet dhe kush e vjedhë në hesap të kujt.
Mos të flasim pastaj për Check-Up, i cili na i nxjerrë burrat me barrë dhe gratë me probleme me prostatën. Sektori i farmaceutikës në Shqipëri dhe Ballkan ka njohur një korrupsion të madh në këto vite.
I gjithë sistemi është në kolaps, sepse ka asgjësuar perspektivën e zhvillimit të paktën për momentin. Dua të them se krijimi i monopoleve gjigande private të financuara prej buxhetit ka futur në kolaps institucionet shëndetësore.
Gjendja në spitale është katastrofike. Ka mungesa medikamentesh. Mungesat nuk kanë fund, marrin përmasa afrikane të Afrikës qendrore siç është mungesa e paracetamolit në urgjencat”-theksoi Basha.
Basha u ndal edhe tek rastet e dhunës në spitale, ndërsa renditi edhe arsyet që e prodhojnë atë.
“Nuk kalon javë pa pasur goditje, përplasje në spitalet e vendit. Rrogat më të ulëta në rajon. Rrogat më të larta nuk kapin as gjysmat e rajonit. Rajoni i ka rritur, ndërsa ne nuk kemi indeksuar as për inflacionin.
Ky është një nivel që nuk është parë as në vitet 70. Numri i specialiteteve disa herë më i ulët, pagat katastrofë. Të gjithë dështimin mundohen t’ia faturojnë bluzave të bardha.
Mjekët dhe infermierët përpiqen t’u shërbejnë qytetarëve, por po e bëjnë shërbimin si në spitale lufte. Spitalet e rretheve kanë mbetur vetëm në godina. Shërbim shëndetësor është i varfër, pak mjekë dhe pak ilaçe.
Këto probleme nuk zgjidhen sa hap dhe mbyll sytë, por kemi nisur një diskutim me të gjitha grupet për të haertuar politikat e duhura dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor.
Me ardhjen e PD në pushtet paga minimale e doktorëve do të arrijë 1200 euro në muaj dhe për infermerët në 700 euro në muaj. Ky është realiteti në Kosovë. Ky është synimi dhe objektivi.
Këto do të jenë pagat minimale në sektorin shëndetësor. Unë zotohem sot këtu para jush se këtë objektiv do ta bëjmë realitet”-shtoi Basha.