MENU
klinika

Intervistat dhe qëndrimet

Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Përplasja dhe akuzat e forta midis Berishës dhe Haxhiut

27.04.2019 - 22:23

Gazeta Liberale ka publikuar së fundmi të plotë si më poshtë përplasjen në distancë mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiu.

Intervista e ish-kryeministrit Berisha në “Bota sot”

-Si e vlerësoni qasjen e BE-së ndaj Kosovës në krahasim me qasjen ndaj Serbisë, mendoni se ka diferenca të mëdha në këtë drejtim?

Padyshim që ka diferenca të qarta, sidomos prej disa nga vendeve anëtare të BE-së, që nuk kanë njohur Kosovën. Nuk mund të thuhet se në qëndrimet e tyre ndaj Kosovës, të cilën ata për një arsye apo për një tjetër nuk do ta donin vend të pavarur, të mos ndikohen nga Serbia.

-Si e keni parë ju situatën me taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, a ishte veprimi i duhur i qeverisë si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës?

Unë jam për tregtinë e lirë, por në rastin konkret unë mendoj se kjo taksë është para se gjithash një taksë anti argatëve të Beogradit në Prishtinë, është një reagim për të bllokuar marrëveshjen e tyre të fshehtë me padronët e tyre në Beograd për copitmini e Kosovës. Nuk besoj kurrë se kryeministri i Kosovës apo udhëheqësit e forcave politike në Kosovës janë kundër marrëveshjes me Serbinë. Por ata janë kundër marrëveshjes që arritën në fshehtësi argatët e Beogradit me padronët e tyre, e cila synon copëtimin e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve sipas oreksit të Beogradit dhe projektit të Serbisë së Madhe. Në Kosovë këtë marrëveshje, përveç argatëve të Beogradit në Prishtinë dhe Listës Serbe nuk e përkrah asnjë forcë politike dhe asnjë institucion i Republikës së Kosovës. Padyshim që taksa ka krijuar një problem vërtet serioz. Mendoj se një rrugë për heqjen e saj mund të ishte dhe largimi nga përfaqësimi në negociata i argatit të marrëveshjes së fshehtë gjersa të përfundojë punën Gjykata e Hagës. Kjo besoj se është e domosdoshme pasi besohet gjerësisht se Miladini shqipfolës është në konflikt të hapur interesi. Unë personalisht nuk kam asnjë të dhënë për ndonjë krim të kryer nga ai por e di mirë se krijimi i Gjykatës erdhi pas raportit plotë akuza direkte të senatorit Dick Marti.

berisha-per-dekretimin-e-lleshit-karte-e-djegur-konica.al
berisha-per-dekretimin-e-lleshit-karte-e-djegur-konica.al

Në të vërtet unë e kam kundërshtuar atë raport në OKB dhe në të gjitha forumet e tjera ndërkombëtare me shumë se sa vet të akuzuarit, jo se unë pajtohem me krimet e luftës apo krimet kundër njerëzimit, por e kam kundërshtuar i bindur se ai ishte produkt i senatorit serbofil dhe rusofil Dick Marti dhe prokurorit famëkeq të Beogradit Vukçeviç, i cili trillonte krime të paimagjinueshme për të cilat as vet Millosheviçi nuk kishte akuzuar shqiptarët ndonjëherë.

Mirëpo e vërteta është se papritmas në Prishtinë argati i akuzuar direkt ne atë raport kërkoi anulimin ligjor të marrëveshjes për gjykatën e Hagës dhe pasi dështoi me këtë nismë zuzare, gradualisht doli me flamurin e Serbisë së Madhe në mes të Prishtinës. Mendoj se çdo gjë do të zhbllokohej nëse argati, që në konflikt të plotë interesi ka negociuar marrëveshjen e fshehtë sipas interesave të veta dhe padroneve të tij, do të përjashtonte vetën apo do përjashtohesh nga të tjerët nga negociatat dhe të mos dukej se po bënë gjithçka në funksion të pengmarjës së tij. Çdo njëri i civilizuar me minimumin e integritetit është i detyruar të marrë një vendim të tillë. Përndryshe si peng i palës tjetër ai dëshmohet shumë i rrezikshëm dhe çdo akt i tij është tërësisht i pabesueshëm.

-Sa ka mundësi reale që Kosova të marr Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin pa dhënë diçka në këmbim të saj, ashtu si po pretendon presidenti i Kosovës Hashim Thaçi?

Mendoj se kësaj pyetje i dha përgjigje të hapur për qytetarët e Kosovës dhe të mbarë botës gjatë vizitës së tij në veriun e Kosovës presidenti serbomadh i Serbisë Aleksander Vuçiç. Ai, njëlloj si Millosheviçi që zgjodhi Kosovën për të shpallur publikisht projektin e vjetër të Serbisë së Madhe, në tre takimet që zhvilloi në komunat me shumicë serbe deklaroi as me shumë dhe as më pak se Serbia do të bëhet më e madhe, pra do bëhet më e madhe duke marrë territore të Kosovës. Në fjalën e tij për të konfirmuar përkushtimin dhe besnikërinë e tij ndaj idesë së Serbisë së Madhe dhe urrejtjen raciste ndaj shqiptareve, Vuçiç deklaroi se Sllobodan Millosheviçi, kasapi i shqiptarëve ishte një udhëheqës i madh por që kishte bërë edhe gabime. Sipas tij gabimi dhe jo faji i Millosheviçit kishte qenë lufta. Ndaj dhe ai do ta bënte Serbinë më të madhe jo me luftë, por me argatët e tij në Prishtinë dhe Tiranë.

Pra, të besosh se Serbia do bëhet më e madhe duke i dhënë Kosovës komunat e Bujanovcit, Medvegjes dhe Presheves është si të besosh rrethin katror apo thjeshtë dëshirë për të mashtruar veten ose për të bërë punën e argatit të Vuçiq.

-Si mund të ndalet “jetësimi” i kësaj ideje?

Projektin e serbomadhisë të lidhur me territoret e Kosovës, Beogradi ua ka besuar të dy argatëve të tij në Prishtinë dhe Tiranë. Këta të dy përfaqësojnë rrezik madhor kombëtar për shqiptaret kudo që janë. Largimi i tyre sa më shpejt nga skena politike është jetike për të ardhmen e vendeve tona.

-Z. Berisha, si e keni parë ju rolin e Baton Haxhiut në çështjen e idesë së prekjeve të territoreve?

Baton Stanishiqi është shefi i argatëve të Beogradit në Prishtinë dhe një nga gjërat më të papranueshme është fakti se si ky u imponohet shqiptarëve në Kosovë në një kohë kur në Kosovë nuk ka njeri atje që nuk e din se ky ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i serbëve. Ai bile ka rrezik që s`ka marrë ndonjëherë mundin ta mohojë këtë gjë. Tani, ky del zëdhënës kryesor i projektit të Serbisë së madhe në Prishtinë, ky del ndërmjetës kryesor i vizitave të Ramës në Beograd dhe merr pjesë në takimet në katër sy, midis Ramës dhe Vuçiqit duke dëshmuar rëndësinë absolute që ka ai në stablishmentin e Beogradit dhe Rama që publikisht e thotë, ky është thotë “një mik i ngushtë i imi”. Pra unë jam shumë i habitur se si ka mundësi të pranohet. Por, të jemi realist kjo është arsyeja që unë e quaj atë “argat in chief”, d.m.th kryeargati. Kryeargati është Batoni i cili i ka të gjitha fijet e tyre dhe u sjell çdo mesazh. Se po të vësh re, marrëdhëniet publike që janë bërë, kanë filluar nga fillimi i verës që kaloi. Për të argumentuar ndarjen e saj, shkëmbimin e territoreve, ndryshimin e kufijve etj me radhë. Që të gjitha këto janë pjesë e një fushate, e montuar në Beograd, e një terrori psikologjik mbi shqiptarët, për një marrëveshje të cilën e kanë arritur në fshehtësi të plotë, në dhunim flagrant të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila nuk autorizon asnjë njeri, të negociojë për territorin, për integritetin dhe sovranitetin e saj dhe nuk ka kushtetutë në botë që autorizon njeri që të diskutojë këto tre ligje kushtetuese. Pra ,në këtë kontekst, Batoni është argat “inchief”, dhe habia ime është se si ka mundësi në Kosovë të tolerohet kjo gjë.

-Kur mund t`i ketë rrënjët kjo “argati” siç e quani ju?

Unë nuk merrem fare me rrënjët e saj, merrem me rezultatin. Pasi u tentua në mënyrën më të papranueshme, në mënyrën më zuzare për të anuluar marrëveshjen për gjykatën, marrëveshje të cilën e kemi pranuar të gjithë, edhe udhëheqja e Kosovës edhe ne e kemi pranuar. Kemi pranuar marrëveshje që të bëjnë hetimin se udhëheqja Kosovës dhe UÇK-ja u akuzua se janë marrë me transplante të organeve të serbëve, janë marrë me ndukje të organeve, shkulje të organeve për transplant. Ky krim, në konventat ndërkombëtare përbën krimin më të shëmtuar kundër njerëzimit. Dhe këtë akuzë e bëri Dick Marty. E thashë edhe më lart, u krijua Gjykata, e pranuam, e pranoi qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës. U bënë hetime, tani një ditë prej ditësh dalin e thonë ta anulojmë, pasi ishte bërë Gjykata, pasi ishin investuar qindra milion euro, pasi me procedura ndërkombëtare ishte shmangur OKB dhe Rusia, tani donin ta anulonin. Një veprim të tillë mund të merrte vetëm Kim Yong Un. Shtetet dhe udhëheqësit zuzar që s`kanë ligj as moral. Kur dështoi kjo përpjekje, atëherë doli dhe qoi krye ideja e dorëzimit të territoreve, për të arritur marrëveshje me Serbinë, kjo është e vërtet. Kështu që mua nuk më intereson fare se kur kanë filluar këta. Ajo që është e vërtetë, është se Beogradi ka dosje të cilave lloje të duash, të luftës, të paraluftës dhe të pasluftës. Kjo është qind për qind e vërtetë. Kusht themelor është përjashtimi i tij nga çdo proces negociatash se është në konflikt të plotë interesi. Ai është peng dhe nuk ka pse territoret e Kosovës të jenë peng për shkak të tij. Ajo që kam unë dijeni, gjykata është ngritur dhe gjersa ky të pastrohet nga gjykata ky s`ka të drejt si peng i dosjeve të negociojë për Kosovën. Pastaj qytetarët të bëjnë si të duan, por ai duhet të heqë dorë nga negocimi për Kosovën, se kjo nxinë çdo lloj marrëveshje që mund të bëhet.

-Në bazë të asaj që zhvillohet aktualisht, cili mendoni se do të jetë epilogu i fazës finale të dialogut me Serbinë?

Unë mendoj se pavarësisht nga ndërlikimet e jashtëzakonshme dhe demet thelbësore që Beogradi me ndihmën e argatëve të tij në Tiranë dhe Prishtinë i bëri procesit të negociatave dhe arritjes se një marrëveshje ekziston një baze e vërtet solide kombëtare dhe ndërkombëtare ( e kanë fjalën për Kosovën) që Kosova dhe Serbia si dy vende te pavarura sovrane të arrijnë në një marrëveshje paqe bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

serbi kosove-konica.al

-Vrasja e ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, vazhdon të mos zbardhet as sot e kësaj dite, ndërkohë që nga Shqipëria është kërkuar shpesh që t`i hapë dosjet, përse nuk është zbardhur ky rast z. Berisha?

Vrasjen e Ahmet Krasniqit e ka organizuar kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar Kombëtar Fatos Klosi. Kjo është qind për qind e sigurt. Ahmet Krasniqi shoqërohej me oficerë të SHIK-ut, Ahmet Krasniqit me një urdhër po nga ky një natë më herët iu morën armët. Ahmet Krasniqi, u vra te dera e shtëpisë ku e kishte strehuar shteti shqiptar. Kështu që ajo ishte një vrasje. Se cili ishte ai që shkrehu karikatorin nuk e di. Por, në qoftë se ka një gjë që duhet ta hetojë Gjykata e Hagës, mendoje se është kjo. Pse, sepse gjithçka është organizuar nëpërmjet këtij personi. Jepen motive të ndryshme, por motivi më i besueshëm, një porosi serbe për këtë punë. U shfrytëzua një moment turbullire këtu, një javë pas vrasjes së Azem Hajdarit, e vranë një njeri të shkëlqyer. Unë e kam njohur atë, e kam takuar disa herë. Ai ishte një burrë fisnik, një njeri i cili tek unë kishte ardhur, me të vetmen kërkesë: “Na ndihmo të pajtohemi njëri me tjetrin, se ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë dhe të kemi një front të përbashkët kundër Serbisë”. Këto ishin kërkesat e tij, një njeri fjalë pak, njeri punë shumë dhe që e eliminuan. Mrapa për fat të keq jam përpjekur, por problemi ishte ser prokurorin e kishte Partia Socialiste, nga Dhori Sallaku te Ina Rama, të cilët në mënyrë absolute kishin një mision që të mbulonin krimet e Partisë Socialiste, të kryera në Shqipëri. Kjo është e vërteta për Ahmet Krasniqin.

-Çfarë dini për rastin e vrasjes së gazetarit, Ali Uka, i cili në kohën kur u vra ishte cimer i tash President i Kosovës, Hashim Thaçi?

-Një vrasje shumë tragjike. Ai u vra në mos gaboj në korrik ose qershor, 1997. Është e vërtetë se thuhej që flinte në dhomë me Hashim Thaçin. Di që u hap një proces gjyqësor i cili shkoi deri në Gjykatën e Apelit, dhe nuk kam të dhëna se kush e ekzekutoi. Por, e sigurt është se ajo ishte një vrasje politike. I ati erdhi njëherë u interesua por më nuk erdhi. Por, askush nuk e ka kërkuar dosjen Nuk e di se a është thirrur Hashim Thaçi nga organet e drejtësisë për t`u interesuar për këtë rast.

▪️▪️▪️

Miladini shqipfolës, Baton Stanishiqi dhe Zografi bis finalizuan në fshehtësi projektin për zhbërjen e Kosovës

Në pjesën e dytë të intervistës, ish-kryeministri i Shqipërisë ka folur rreth gjendjen aktuale politike në Shqipëri e Kosovë.

Berisha ka thënë se Kosova e Shqipëria aktualisht ndodhen në situatën më kritike se asnjëherë më parë.

Sipas tij, Kosova, me territorin, integritetin dhe sovranitetin e saj, e kapur në befasi dhe në pabesi nga argatët e Beogradit në Prishtinë dhe në Tiranë, është hedhur në treg në funksion të krijimit të Serbisë së Madhe. Ai ka folur edhe rreth idesë që Serbisë t`i jepet Leposaviqi duke thënë se kjo është një ide për të justifikuar dhënien e Trepçës.

Për ish kryeministrin Berisha, gjendja aktuale në Shqipëri është dramatike dhe po ecën drejt një konflikti të brendshëm të rrezikshëm si kurrë me parë. Ai ka potencuar se Opozita ka vetëm një qëllim, largimin e Edi Rames si kryeministër, krijimin e një qeverie provizore për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

-I nderuar z. Berisha si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri?

Mendoj se pas rënies se diktaturës komuniste dhe çlirimit te Kosovës nga pushtuesit serb gjendja në dy vendet tona është me kritike si asnjëherë më parë.

Kosova, me territorin, integritetin dhe sovranitetin e saj, e kapur në befasi dhe ne pabesi nga argatët e Beogradit në Prishtine dhe në Tirane, e kam fjalën për Miladinin shqipfolës dhe shefin e tij Baton Stanishiqin dhe Zografin bis, është hedhur në treg në funksion të krijimit te Serbisë së Madhe. Argatët e Beogradit në Prishtinë dhe Tiranë në kulisa, takime të fshehta me padronët e tyre të Beogradit miratuan projektin e kahershëm serbomadh të Beogradit, pra projektin e ndarjes, copëtimit, ndryshimit te kufijve të Kosovës vetëm e vetëm që Serbia të bëhet më e madhe, siç do të thoshte disa herë gjatë vizitës së tij në Kosovë padroni i tyre Aleksander Vuçiç. Ky projekt ishte paraqitur me dhjetëra herë nga Beogradi që nga vitet 1992 e në vazhdim në Tiranë, Prishtinë dhe në kancelaritë e mëdha të vendeve perëndimore. Ky projekt ishte hedhur poshtë gjithnjë si projekt i Serbisë së Madhe. Por pas vitit 2013, argatët e Beogradit në Tiranë dhe Prishtinë filluan në fshehtësi të plotë procesin e zhbërjes së Pavarësisë së Kosovës, Dokumentit Ahtisari, vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, bllokimit të njohjeve ndërkombëtare, por edhe të procesit të negociatave në Bruksel dhe në tërësi arritjeve thelbësore të shënuara në këtë proces.

Pasi finalizuan në fshehtësi të plotë këtë projekt ogurzi të zhbërjes së Kosovës për interesa të serbomëdhenjve, argatët e Beogradit në Prishtinë hoqën maskat dhe u vërsulen brenda dhe jashtë Kosovës në një fushatë histerike agresive antishqiptare, mobilizuan dhjetëra e dhjetëra milionë euro, të koordinuar me Beogradin për të shitur në tregun ndërkombëtar si të tyre dhe jo të padroneve të tyre në Beograd, projektin e Serbisë së Madhe bazuar ne copëtimin e Kosovës. As arat e baballarëve të tyre këta argatë e besëprerë nuk do mund t’i trajtonin me privatisht se sa ç’trajtuan në fshehtësi, dhe me pas në shtrëngicë publikisht dhunimin e Kushtetutës dhe të territorit, integritetit, sovranitetit dhe vet pavarësinë dhe ekzistencën e Kosovës se martirizuar. Me qëndrimet dhe fushatën e tyre antishqiptare Miladini shqipfolës dhe shefi i tij Baton Stanishiq, në një farë mënyre krijuan përshtypjen së Kosova paska borxhe dhe detyrime të mëdha ndaj Serbisë dhe Serbia nuk ka pse të kërkojë ndjesë pasi sipas patronit të tyre Millosheviqi është një udhëheqës i madh, gjë që Miladini e miratoi në heshtje dhe jo kasapi i shqiptareve. Për të justifikuar aneksimin e territoreve të Kosovës nga Serbia trillojnë gënjeshtra të çdo lloj.

Kështu, ata thonë se Leposaviqi nuk na duhet se na e ka pas dhënë Ranokviçi, paçka se edhe në Kongresin e Berlinit Leposaviqi u la territor Kosovës, të cilës ju morën gjysma e tokave të saj, apo për të justifikuar dorëzimin e Trepçës ata vet dhe emisarët e tyre mahnitin të tjerët kur u thonë se galeritë në anën e këtejme të Kopaunikut janë shfrytëzuar plotësisht prandaj Trepçën le ta marrë Serbia. Ata përhapin idenë e kapitullimit të plote të Kosovës para Serbisë, sipas të cilës çdo marrëveshje e keqe është më mirë se sa pa marrëveshje.

Përse i përket vendit tonë, gjendja aktuale në Shqipëri është dramatike dhe po ecën drejt një konflikti të brendshëm të rrezikshëm si kurrë me parë. Në Shqipëri, sipas analisteve të njohur dhe mediave ndërkombëtare është instaluar narkoshteti. Ajo cilësohet sot si Kolumbia e Evropës. Po rikujtoj këtu se në Shqipëri, si ne asnjë vend tjetër ministria e brendshme ne vitin 2013 ju besua nga Edvin Rama klaneve të drogës dhe trafiqeve. Kështu, që në fillim në këtë post u emërua Saimir Tahiri, përfaqësues dhe bashkëpunëtor i trafikanteve të klanit të Habilajve. Ata që mund të mendonin se kjo ishte rastësi u gabuan. Pas largimit të Tahirit për shkak të dosjes që solli antimafia italiane për implikimin e tij direkt në trafik droge, Rama emëroi në vend të tij Fatmir Xhafen, vëllain e trafikantit ndërkombëtar të drogës Agron Xhafa të dënuar nga Gjykata Supreme italiane me 7.3 vjet burg si trafikant ndërkombëtar droge.

Me një politikë gjysmë zyrtare, në vitin 2016 u be kanabizimi i plotë i vendit dhe si rezultat i prodhimit të mijëra tonelatave hashash, mbi 10 miliard narkoeuro pushtetëruan krimin e organizuar shqiptar të lidhur me qeverinë, vendi u shpall Kolumbi e Evropës, kurse në raportet e dy viteve të fundit të DASH Shqipëria është shpallur qendër operacionale ndërkombëtare e krimit të organizuar në Evropë, Amerikën e Veriut dhe të Jugut, Lindjen e Mesme etj. Krimi i organizuar shqiptar është sot ne krye te krimit te organizuar te Evropës përgjegjës për trafikimin e 50% te heroinës, kokainës dhe morfinës drejt Evropës. Korrupsioni ne Shqipëri sipas raportit te DASH është i papërmbajtur dhe ka kapur te gjitha nivelet e shtetit.

Edi Rama përdori reformën në drejtësi për të marrë të gjitha pushtetet. Shqipëria është vendi i vetëm në botë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe de facto as dhe të Lartë. Kështu, që prej dy vitesh pas eliminimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas librit themelor të shtetit është garantë e kushtetutës dhe kushtetutshmërisë, Shqipëria ndodhet në kushtet e grushtit të shtetit brenda shtetit. Kjo sepse pasi me eliminimin e Gjykatës Kushtetuese pushteti i saj i ka kaluar ekzekutivit dhe Edi Rama miraton çdo ligj dhe vendim antikushtetues dhe ka miratuar shume të tilla dhe ato janë në fuqi. Edi Rama sot ka bllokuar institucionin e presidentit të republikës duke mos lejuar agjenesitë ti dërgojnë informacionin që ai kërkon, një e drejtë kjo themelore kushtetuese e kreut të shtetit në çdo vend të botës. Përveç kësaj, paraliza e Gjykatës së Lartë, e cila nga 19 ka mbetur me tre anëtarë ka pasoja shkatërrimtare mbi shtetin ligjor dhe rendin kushtetues. Si rezultat i paralizës se Gjykatës së Lartë aty janë grumbulluar deri tani 40000 dosje gjyqësore dhe deri ne fund te viti pritet te arrijnë në 60000 të tilla. Pra Shqipëria sot është vendi i vetëm i planetit me sistem gjyqësor dy shkallesh. Vetishëm lind pyetja se kush përfiton nga kjo situate puçiste antikushtetuese.

Nga kjo situate përfiton se pari Edvin Rama, i cili duke përdorur vetingun në drejtësi si satër për gjueti shtrigash, fiton absolutisht çdo gjyq ku pale është narkoqeveria e tij. Kështu ne rast se ne vitet 2005-20013 gjyqet ne masën 60-70% i fitonin qytetaret, sot ato ne 99% te rasteve i fiton qeveria.

Përveç qeverise, nga kjo situate, për shkak të bllokimit të procedurave përfitojnë kriminelet.

Situata aktuale ne Shqipëri është tejet kritike edhe për një arsye tjetër themelore dhe kjo lidhet me faktin se Edi Rama është armik i papajtueshëm me votën e lirë. Kosova ka shume probleme por unë kam ndjekur me shume interes zgjedhjet ne Kosove, ato kane qene gjithnjë brenda standardeve të pranueshme ndërkombëtare. Kurse në Shqipëri Edi Rama përdor banda, të gjithë pushtetin, paratë e krimit për të rrëmbyer zgjedhjet. Pikërisht se kjo dukuri është e mirënjohur dhe e faktuar disa herë, PD në pranverë të vitit 2017 ndërmori një protestë 90 ditore për largimin e Rames me qëllimin e vetëm zhvillimin e zgjedhjeve te lira. Me këtë qellim u firmos edhe marrëveshja e 18 majit 2017. Por Edi Rama përdori marrëveshjen si fasade, ai vetëm në rrethin e Durrësit shtoi në listat e zgjedhësve të Durrësit nga zona të tjera te vendit rreth 40 mije zgjedhës, shumica dërrmuese e të cilëve votuan dy herë.

Ai përdori për partinë e tij të gjitha burimet shtetërore njerëzore, financiare, materiale shtetërore. Në mes të fushatës, në një akt qe nuk kishte ndodhur kurrë më parë, ai bëri policisë së shtetit që pas 8 orëshit të punës hiqni kapelat dhe dilni e mblidhni vota për partine socialiste. Pavarësisht nga këto zgjedhjet e vitit 2017 përfunduan dhe opozita i njohu ato. Por, një vit më parë dolën në shesh regjistrime të kryera nga prokuroria në survejim të bandave dhe aty papritmas rezulton se në periudhën e zgjedhjeve bandat më të rrezikshme të krimit të organizuar morën nga qeveritaret lokal dhe qendror detyra elektorale në rrethet e Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Elbasanit, Peshkopisë etj. Në këto biseda dhe takime del se ishin të angazhuar ministrat, qeveritaret vendor socialist dhe vet kreu i tyre Rama. I vetmi veprim që u krye me këto dy dosje ishte transferimi i prokurorit te tyre ne Pogradec. Pra opozita në Shqipëri doli nga parlamenti sepse në mungese të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës se Lartë ajo ishte thjeshte një fasade ne parlament sikundër provat e sigurta te dosjeve 339 dhe 184 provuan se me Edi Ramen kryeministër nuk mund te këtë zgjedhje në Shqipëri.

-Z. Berisha, tashmë po bëhet një vit që kur Shqipëria mori rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, cilat mendoni se janë problemet që po e sfidojnë finalizimin e këtij procesi?

Në deklaratën e 27 qershorit të vitit 2018 të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, kërkohet nga Shqipëria të plotësojë 13 kushte me qellim që në dhjetor të vitit 2019 të hapet drita jeshile për hapjen e negociatave. Cilido që dëshiron të kontrollojë listën e kushteve do konstatojë menjëherë se Shqipëria nuk ka plotësuar absolutisht asnjërin prej tyre. Përkundrazi në të gjitha ka pasur përkeqësim të ndjeshëm. Kështu vendi është ulur me 7 vende në shkalloren e korrupsionit dhe me 8 vende me lirinë e mediave, vlerësohet si qendër operacionale e organizatave kriminale ndërkombëtare, kërkesat për reformën e drejtësisë dhe atë elektorale nuk janë plotësuar asnjëra prej tyre. Prandaj Shqipëria, e cila qe nga viti 2016 merr rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave pa kushte, bazuar në një raport që nuk shpreh realitetin e saj përsëri si dhe në vitet e tjera edhe këtë vit do të marrë një JO të plotë nga vendet anëtare.

-Në situatë jo të favorshme sa i përket procesit të integrimit në BE është edhe Kosova, pasi me gjithë premtimet, qytetarët e saj po vazhdojnë të jenë të izoluar për shkak të mos liberalizimit të vizave, z. Kush mendoni se duhet të jap përgjegjësi për këto ngecje, BE apo politikanët e Kosovës?

Unë jam i bindur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për heqjen e vizave. Bllokimi i tyre i padrejtë lidhet me kundërshti të brendshme në gjirin e vendeve anëtare të BE që shpresoj të kapërcehen.

-Ditëve të fundit Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash kundër qeverisjes Rama, çfarë synoni të arrini si opozitë me anë të këtyre protestave?

Opozita ka vetëm një qellim largimin e Edi Rames si kryeministër, krijimin e një qeverie provizore për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

-Mendoni se do ta arrini këtë qëllim para se z. Rama ta përfundojë mandatin?

Opozita sipas të gjitha polleve është sot shumicë e padiskutueshme absolute në Shqipëri. Por njëkohësisht ajo ndodhet para alternatives hamletiane “to be or not to be”. Unë kam besim të plotë se ajo do realizoje qëllimin e saj, largimin e Edi Rames dhe garantimin e te drejtës se shqiptareve për të votuar të lirë si vëllezërit e tyre në Kosovë apo qytetarët e tjerë të rajonit.

Qëndrimi i Baton Haxhiut për Sali Berishën

Fundi i keq i Sali Berishës

Baton Haxhiu:

Me Sali Berishën e kam vetëm një problem.

Jo mbi ato që i thotë për mua dhe Kosovën, por për faktin pse atij ende i duhet Kosova – dhe unë.

Jemi në një kohë kur datat historike kanë arritur me kaq pabesi ta grabisin jetën e gjithsecilit, pa pasur ata asnjë faj e asnjë detyrim dhe pa pasur guxim që dikush të reagojë për ta thënë të vërtetën.

Në dekadat e fundit me dhjetëra herë jemi ulur bashkë në tavolinë. Do të doja që asgjë nga bisedat tona kurrë të mos dilte jashtë. Është ky një kod civil që njeriu e mban për shkak të dinjitetit.

Sali Berisha është nga ato personazhe që kur rri me të në tavolinë duket i kujdesshëm, kurse kur e sheh në publik ka natyrë rrugaçi që flet me gjuhë krimineli.

Është i vetmi prind që e njoh – jashtë skenarëve të filmave për mafinë – që ka zhvilluar aktivitet kriminal në bashkëpunim me fëmijët e tij.

Prandaj, duke e ditur mëkatin e tij si prind, atij edhe fëmijët e të tjerëve i duhen me patjetër të jenë kriminelë.

Figura e tij bipolare me shenja skizofrenie është karakteristike për të, sepse tjetër flet me ty kur të takon dhe tjera fjalë përdor në diskursin publik. Thjesht, është një i pabesë.

Nëse e shpjegon me gjuhën e mafisë, ai duket se është një padrino, që kur bisedon me të e lë përshtypjen e një njeriu që nuk i prek as mizat, por kur del jashtë bën kërdinë edhe me gjuhën prej dashakeqi, edhe më sjelljen ndaj gjithçkaje që i duket se nuk i ngjan natyrës së tij. Thjesht, është një burrë i keq.

Në këtë aspekt, është e pamundur ta kuptosh plotësisht ekzistencën e Sali Berishës pa i analizuar disa data dhe fakte. Ta kuptosh se ku fillon ndërlidhja e tij me figurat që janë kriminale dhe kur nis kjo mënyrë e jetës si prind që i shtyn fëmijët në të panjohurën e krimit.

Nuk do të kisha reaguar për një babaxhan që s’ka as fytyrë dhe as skrupuj sikur ai të mos i jepte intervistë një gazete të vdekur, të udhëhequr nga një njeri që jeton më tatuazhin “JNA” në dorë, të një ushtrie të vdekur (Jugoslovenska Narodna Armija – Ushtria Popullore e Jugosllavisë), që iu përket atyre njerëzve të cilët kanë pasur kujtime të mira për shtetin jugosllav (serb) dhe ushtrinë që ka shkatërruar gjithçka në Kosovë. Gazeta e këtij “Njeriu me Tatuazh” ku flet Berisha është Bota Sot, ndërsa tatuazhi i institucioni famëkeq jugosllav është në trupin e njeriut që quhet Xhevdet Mazrekaj.

Pyetja është e thjeshtë: si është e mundur që ky njeri të ketë kaq shumë lidhje me të keqen?

Çfarë e bën një politikan të lidhur me krimin dhe kriminalitetin dhe ç’është ajo që e bën një prind të kriminalizojë gjithçka, përfshirë edhe fëmijët e tij?

Dhe pyes: pse ky njeri ka aq afsh për të ndërtuar fjali kriminale dhe të flasë me pasion krimineli?

Për faktin që është plakur, po ikën biologjikisht, apo sepse e ka mënyrë të jetës, kurse ofendimin dhe gënjeshtrën e ka kod të sjelljes?

Kur e analizoj Sali Berishën, nga gjithë jeta e tij më del se asnjëherë s’ka qenë ndryshe. Prandaj as tash, kur ka një vjet që ka filluar të merret me mua duke ma dhënë peshën e gjithçkaje që ndodh për shqiptarët në Ballkan.

Ai i ka shtuar në retorikën e tij banale etiketimet e tipit stalinist ndaj meje si gazetar, duke më shndërruar nga një publicist shqiptar nga Kosova në një Superinterlokutor ndërkombëtar agjenturash, masonësh dhe kancelarish, që vendos për fatin e kombit.

Kjo e pavërtetë nuk është aq fyerje për mua dhe familjen time, siç mendon Berisha, sa është fyerje për një Kosovë të tërë, bashkë me Shqipërinë, BE-në dhe SHBA-të, duke i kthyer të gjithë pa përjashtim në vasalë të mi të dëgjueshëm.

Për shkak të këtij problemi moral dhe mënyrës se si ai po e fyen Kosovën dhe miqtë e saj në botë duke përdorur emrin tim, dua t’ia them disa gjëra përse më duhet mua Kosova dhe Sali Berisha, dhe përse Sali Berishës i duhet Kosova dhe Baton Haxhiu.

Mua Kosova më duhet si atdheu im, si toka ime, si dheu i atit dhe ëmës, i fëmijëve të mi. Nuk dua të bëj hartim për atdheun në këtë moshë, por Kosova është fati im dhe i çdo qytetari të saj, fat të cilin në shumë raste e kemi bërë vet.

Pra, ne nuk ekzistojmë pa të.

Çfarë është për mua Sali Berisha?

Në fillim të viteve ‘90, ishte një emër që në Kosovë filloi të na rilidhte më fort me Shqipërinë, si pjesë e gjakut tonë matanë kufirit. Me rënien e komunizmit, për herë të parë e kishim mundësinë ta preknim tokën mëmë.

Por, Sali Berisha nuk ishte Shqipëria. Në projektin e tij kriminal politik, Kosova për të ka qenë gjithmonë gur rezervë për të tentuar mbulimin e krimeve.

Në projektin e tij për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë në fillim të viteve ‘90, ai e orientoi Shqipërinë drejt biznesit joformal, kontrabandës dhe firmave piramidale, me qëllim që ta kontrollonte klasën e re kriminale të biznesit të paligjshëm. Trafiku i karburanteve dhe mallrave me ish-Jugosllavinë nën embargo u krye tërësisht nën sytë dhe kontrollin e tij, për njerëzit e tij dhe bile zyrtarisht edhe nga njerëz të partisë së tij.

Kosova ishte “Asi nën mëngë”, që ai e sakrifikonte për ta avancuar projektin e tij në krijimin e një klase joformale të biznesit në shërbim të tij.

Sali Berishën e ka trembur qysh në fillim ekonomia e lirë, tregu i lirë dhe biznesi i ligjshëm. Dukeshin jashtë kontrollit të tij. Ndaj atij i interesonte më shumë një lob biznesesh që bëheshin milionerë nga kontrabanda, çelësin e së cilit e kishte ai në dorë dhe kompani piramidale nën kontrollin e tij që ia financonin pushtetin.

Kur ky pushtet ra dhe nuk mbante dot në këmbë as Sali Berishën, as Shqipërinë, ai i ktheu sytë nga Kosova, si ata grabitësit e bankave që në momentin e fundit marrin peng një qytetar dhe thonë: “Po më prekët, e vrava!”.

Kështu u soll Sali Berisha në vitet 1996-1997 me Kosovën. Sulmoi Ibrahim Rugovën dhe afroi Adem Demaçin, me shpresë se do ta ndizte luftën në Kosovë dhe bota nuk do të merrej me të, por me Kosovën.

Fatmirësisht, Ibrahim Rugova ishte më racional dhe më i qartë se ai e shumë të tjerë, prandaj kjo aventurë u shmang.

Sali Berisha përfundoi në koshin e historisë.

Përpjekjet e tij për t’u rifaktorizuar duke u kapur pas Ibrahim Rugovës me mbarimin e luftës nuk funksionuan, pasi Rugova nuk e priti kurrë në Kosovë.

Ky ishte një leksion i hidhur për të dhe gjithë ata që kanë dashur ta përdornin Kosovën për llogari të tyre.

Në një moment të jetës sime, në vitin 2005, pata një iluzion se ndëshkimi që iu bë Sali Berishës dhe izolimi i tij tetëvjeçar ishin një periudhë e fortë reflektimi dhe një shans i ri që ai të përdorej në një betejë kundër korrupsionit, pas papërgjegjësisë me të cilën Fatos Nano la të lulëzonte krimi, korrupsioni i administratës dhe monopolet e ministrave të tij.

Ky është një ndër iluzionet më të hidhura të jetës sime.

Rikthimi i Sali Berishës pas një parade të demonstrimit të forcës përqendroi pushtetin tek familja e tij, e cila u vu në krye të pushtetit gjyqësor, financiar dhe politik.

I ashtuquajturi “Kop”, të cilit i kam bërë edhe spotin e fushatës, ishte furgoni i shokëve dhe shoqeve të vajzës dhe dhëndrit të tij, me punë në Kosovë, ministrat kukulla të fëmijëve të tij, dhe bizneseve në rresht për të paguar për ta.

Projekti i dytë i kriminalizimit të ekonomisë nga Berisha më nuk ishte joformaliteti, por kapja e shtetit përmes bizneseve të mëdha.

Në 2013, shqiptarët e ndëshkuan në mënyrë shembullore një qeverisje e cila u shqua jo vetëm për korrupsion, por edhe për vrasje politike, vjedhje spektakulare votash, si në rastin e Lulzim Bashës në Tiranë, si dhe mosndëshkueshmëri për afera të provuara nga prokuroria, si ajo e Gërdecit.

Mendoja se Sali Berisha do të ishte i lirë të ikte në shtëpi. Por, ai nuk ishte i lirë.

Fëmijët e tij të pamëshirshëm dhe mafia që kapi shtetin përmes tij, e duan në rrugë, e duan të gjallë dhe të mjeruar derisa t’i mbylli sytë.

Tash po iu tregoj përse Sali Berishës i duhet Kosova.

I duhet për hallet e veta.

Në vitin 1992 i duhej të dukej patriot.

Në vitin 1996 i duhej ta shpëtonte rrënimin e tij nga pushteti.

Në vitin 1997 i duhej ta përdorte kundër rebelëve që rrëmbyen armët kundër tij.

Në vitin 1999 i duhej ta përmendte që të dilte nga izolimi i egër ndërkombëtar. Dhe bëhej interesant, herë duke e sulmuar Rambujenë, herë duke e sulmuar UÇK-në, e herë duke e mbrojtur Ibrahim Rugovën, i cili nuk ia hapte as telefonin.

Në vitin 2000 i duhej të dilte një herë jashtë shtetit. Shkoi deri në Kukës, por s’doli dot.

Në vitin 2006, pas vdekjes së Rugovës, i duhej të tregonte se e kishte mik, duke e pasur armik.

Në vitin 2009 i duhej t’i mbulonte problemet e zgjedhjeve në Shqipëri duke folur për albanofobi.

Në 2011 i duhej ta zbuste qëndrimin ndërkombëtar të egër ndaj tij pas vrasjeve të 21 Janarit dhe vjedhjes së Tiranës, duke e shitur dosjen e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt si njerëz që kishin vrarë dëshmitarë dhe kanosur drejtësinë. (Mund ta kujtojmë draftin “Haradinaj dhe Limaj” të vitit 2003 që dhëndri i tij e kishte dërguar jashtëligjshëm nga zyra e kryeprokurorit Williamson. E kisha bërë të kundërtën me një prononcim publik timin kundër këtij fakti, vetëm që të mos pasonin akuza për tradhti ndaj Lulzim Bashës).

Në vitin 2012 i duhej ta justifikonte dështimin e marrjes së statusit si vend kandidat për BE.

Sot, më 2019, ky njeri që nuk rresht së përdoruri Kosovën për hesap të vet. Kosova i duhet sërish për ta maskuar prishjen e tij me Perëndimin, SHBA-të dhe Bashkimin Europian.

I duhet për t’u hakmarrë ndaj atyre që i kanë hequr vizën jo vetëm familjarisht, por dhe si politikan, duke e çuar në udhë për t’ia dorëzuar drejtësisë.

Sot Kosova i duhet jo për t’i mbrojtur kufijtë e saj nga Baton Haxhiu, sepse Baton Haxhiu mund të flasë vetëm për shtëpinë e tij, por për ta ruajtur kokën e vet nga drejtësia në Shqipëri, nga drejtësia e monitoruar nga SHBA-të dhe BE-ja, që e shikojnë Sali Berishën si problem real të Shqipërisë. Dhe ai sërish e ka kapur peng Kosovën, si ata pengmarrësit në një grabitje, dhe ulërit se “po e vrisni Kosovën, po e copëtoni atë, duke më vrarë mua”.

Në fakt, e ndjen që është ulërima e çdo pengmarrësi që ndërsa dëshiron ta shpëtojë kokën, qan për pengun e tij.

Krejt në fund, Njeriu Sali Berisha nuk e ka humbur vetëm veten e tij. E ka humbur edhe atdheun. Ai s’po e kupton që po ikën pa pasur asnjë fije shprese se mund të kthehet. Njeriu që e themeloi Partinë Demokratike, tash në atdheun që s’e do, po e shkatërron atë që e kishte krijuar dikur.

Kështu e do edhe Kosovën. Të shkatërruar dhe pa të ardhme.

Nuk e kupton që ajo nuk merret dot në botën tjetër, sepse iu takon të gjallëve.

Jo Sali Berishës.

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”