MENU
klinika

Korporata e Investimeve Shqiptare

Buxheti i shtetit jep 368 milionë për strukturën e re

29.04.2019 - 18:23

Krijohet Korporata e Investimeve Shqiptare.

Qeveria shqipare ka hartuar dhe ka dorëzuar në Kuvend një projektligj që ka për qëllim krijimin Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila është iniciuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ky projektligji parashikon krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila vjen si një koncept inovator për të adresuar nevojën e zhvillimit të krijimit të kapaciteteve për lehtësimin dhe realizimin e investimeve komplekse dhe me impakt social-ekonomik.

Korporata krijohet si shoqëri tregtare, e organizuar në formën e një shoqërie aksionare, ku ministri përgjegjës për ekonominë është në cilësinë e autoritetit publik, që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Korporatës. Institucionet financiare ndërkombëtare të zhvillimit mund të zotërojnë aksione të Korporatës.

Objekti i veprimtarisë së Korporatës është përmirësimi i menaxhimit të pronës publike, krijimi i pronave të reja, vënia në përdorim më efiçent të pronave, përgatitja dhe zbatimi i projekteve të investimit dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Fondi

Projektligj krijon efekte financiare, pasi krijon strukturë të re shtetërore. Për vitin 2019, nga buxheti i shtetit është parashikuar një fond buxhetor prej 368 milionë lekësh, në buxhetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si kapital fillestar për Korporatën.

Objektivi kryesor i aktiviteteve të Korporatës konsiston në krijimin e kushteve të favorshme për të rritur investimet në vend, diversifikimin e prodhimtarisë dhe eksporteve, krijimin e ekspertizës për hartimin dhe zbatimin e projekteve komplekse të investimit, si dhe pajisjen e shtetit shqiptar me një kapacitet të munguar për realizimin e investimeve. Efektet e funksionimit të Korporatës do të ndihen në krijimin dhe forcimin e hallkave ekonomike rreth projekteve të investimit që do të kryejë Korporata, rritjen e punësimit, transformimin e zonave ku do të bëhen investimet e Korporatës, lehtësimin për tërheqjen e investitorëve dhe shtimin e marrëdhënieve ndërmjet sektorit publik e privat.

Fusha e veprimtarisë dhe mjetet që i duhen Korporatës për të kryer funksionet e parashikuara kërkojnë përgatitjen e kuadrit ligjor specifik dhe ky projektligj do të pasohet me disa vendime të Këshillit të Ministrave për të bërë të mundur zbatimin e ligjit dhe rregullimin e plotë të veprimtarisë së Korporatës, në 1 funksion të efektivitetit në përmbushjen e funksioneve dhe misionit të saj, pajtueshmërinë me sistemin ligjor dhe bashkëpunimin me institucione të tjera publike ose ndërkombëtare.

Rolet dhe funksionet e Korporatës

Pas një analize të institucioneve të zhvillimit të sektorit publik dhe potencialit të investimeve në vend, propozojmë krijimin e një korporate investimi, Korporata e Investimeve Shqiptare (Albanian Investment Corporation).

Kjo strukturë nuk ekziston aktualisht në ekosistemin e agjencive në vend dhe as në sektorin privat. Është një njësi me thelbin e një fondi investimesh, por me qëllim të përcaktuar për zhvillimin ekonomik të vendit. Njësia që propozohet është e konceptuar për të qenë në gjendje të përfaqësojë qeverinë shqiptare në menaxhimin e aseteve strategjike dhe në maksimizimin e mobilizimit të kapitalit privat. Ajo është e konceptuar të marrë përsipër shfaqjen e riskut në projektet strategjike dhe gjithashtu të bashkëpunojë me institucione financiare ndërkombëtare (IFIs) dhe sektorin privat.

Disa nga funksionet kryesore konsistojnë në:

1.Analizën e projekteve (transformimi i “ideve” në “projekte të financueshme”);

2.Strukturimin financiar të projekteve;

3.Vënia në përdorim më efiçent e pronave shtetërore;

4. Mobilizimin e kapitalit privat (marrja e rreziqeve të përllogaritura)

Objektivat e Korporatës:

a) Nxitja e zhvillimit ekonomik dhe social nëpërmjet projekteve të investimit në nivel qendror, vendor e rajonal, në mbështetje të politikave shtetërore të zhvillimit;

b) Vënien në përdorim më efiçent të pronave shtetërore;

c) Kryerja e investimeve duke mobilizuar kapital shtetëror dhe/ose privat;

Format e pjesëmarrjes së Korporatës në investime, si më poshtë vijon:

a) Korporata vepron si investues i vetëm në projekt investimi;

b) Korporata vepron si bashkëzhvilluese e investimit;

c) Korporata vepron si bashkëzhvilluese e një zone territoriale të caktuar, në të cilën realizohen investime;

ç) Korporata vepron si bashkëpjesëmarrëse në investim, në forma të tjera.

Masat mbështetëse të shtetit në mbështetje të Korporatës me infrastrukturë ndihmëse, si dhe marrja e licencave dhe parashikimi i procedurave të posaçme të prokurimit dhe/ose konkurrimit.

Kështu, për zhvillimin dhe zbatimin e një projekti investimi, Korporata mund të mbështetet nga shteti me infrastrukturë ndihmëse, të tilla si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion.

Ministria përgjegjëse për ekonominë, në bashkëpunim me ministritë e tjera, shqyrton dhe verifikon nevojat e kërkesat për infrastrukturë ndihmëse, si dhe vlerëson koston e përafërt për realizimin e saj, kosto kjo e cila nuk duhet të jetë disproporcionalisht e lartë, në raport me vlerën dhe rëndësinë e projektit të investimit.