Sulmet ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe drejtuesit, Agron Tufa janë dënuar edhe nga Partia Demokratike.
Kjo e fundit përmes një deklarate zyrtare tha se dekomunistizimi nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit Institut të pavarur që po punon për të zbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit.
DEKLARATA E PLOTË
Partia Demokratike denoncon veprimet e Edi Ramës me sulmet ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndaj Bordit të Institutit, si dhe ndaj drejtorit ekzekutiv Agron Tufa për shkakun e vetëm, se ky institucion i pavarur po punon për të zbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit.
Linçimi publik, fyerjet raciste qe bien ndesh me kushtetutën, kundër drejtuesve të këtij institucioni të pavarur nga bashkëpunëtorë të afërt të Edi Ramës dhe mosdistancimi i tij prej tyre, tregojnë se Edi Rama është organizator i sulmeve.
Në këto 6 vite të drejtimit të Shqipërisë nga Edi Rama, enverizmi ka forcuar pozitat e tij në vend. Këngë, filma, dokumentarë, simbole e xheste publike që glorifikojnë diktatorin komunist Enver Hoxha dhe regjimin e tij çnjerëzor, janë kthyer në normalitet gjatë qeverisjes së Ramës.
Sulmi ndaj këtij Instituti është i frymëzuar nga ish-oficerët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë marrë drejtimin e Policisë, të Shërbimit Informativ dhe të organeve të reja të drejtesisë.
Rilindja e luftës së klasave kundër profesionistëve si Agron Tufa, që po përpiqen të vendosin një tullë në procesin e dekomunistizimit dhe lustracionit të shoqërisë, është pjesë e luftës primitive politike për të goditur çfarëdolloj kritike e opozicioni në vend.
E kaluara diktatoriale duhet të zbardhet krejtësisht. Dekomunistizimi i shoqërisë është një prioritet absolut në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Ai nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit Iinstitut të pavarur për Studimin e Krimeve të Komunizmit.