“Dush i ftohtë mbi shpresat e Ballkanit për pranimin e menjëhershëm në BE” është titulli qe gazeta “Financial Times” i ka vënë artikullit të saj rreth samitit të rajonit zhvilluar në Berlin.
Sipas kësaj gazete, kancelarja Gjermane Angela Merkel dhe Presidenti Francez Emanuel Macron kanë paralajmëruar 6 vendet e Ballkanit perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në BE, se ka pak shanse për t’u bashkuar menjëherë me bllokun, duke iu sygjeruar atyre që fillimisht të vënë rregull në shtëpitë e tyre”.
Sipas gazetës, Macron u përqendrua në nevojën për “stabilitetin politik” në rajon, duke thënë se Parisi do të ndihmonte në reformat kyçe ekonomike, sociale, të sigurisë dhe të sundimit të ligjit përmes procesit të zgjerimit të BE-së. “Ne do të punojmë së bashku për stabilitetin e rajonit. Që nga viti 2000, ne jemi tërhequr nga rajoni, por sot duam të punojmë së bashku”, citohet presidenti francez.
Sipas ‘Financial Times’, BE ka mbajtur gjatë të hapur mundësinë e sjelljes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok për të nxitur përparimin ekonomik dhe për të përmirësuar stabilitetin më të gjerë rajonal.
Mali i Zi dhe Serbia tashmë kanë hapur zyrtarisht negociatat për t’u bashkuar me BE, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë dhe shpresojnë të shohin dritën e gjelbër për të hapur negociatat zyrtare të pranimit në një samit të qershorit.
Merkel tha se shpresonte që takimi i Berlinit do të kontribuonte në zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës pavarësinë e së cilës nuk e njeh. Kancelarja gjermane ka qenë një kundërshtare e zjarrtë e çdo zgjidhjeje për mosmarrëveshjen e gjatë që do të përfshinte një shkëmbim territori – një ide që qarkulloi së fundi.
Vëzhguesit thonë se Merkel dhe Macron pritën Samitin për shkak të shqetësimeve për zhvillimet në rajon, pavarësisht marrëveshjes së emrit të Maqedonisë Veriore, e arritur me Greqinë pas dekadash të tëra.
Samiti u zhvillua në një kohë kur Brukseli ka ngritur alarmin në lidhje me rritjen e ndikimit të Kinës dhe Rusisë në rajon.
Makron deklaroi se e kupton që aktorë të tjerë kanë interesa në Ballkan, por se është e qartë që interesat europiane janë më të rëndësishme, e mbyll shkrimin e saj Financial Times.