MENU
klinika

Vrasja e kushërinjve në Laç

Hakmarrje? Ngujohen familjet e autorëve!

04.05.2019 - 10:54

Edhe pse 3 autorët e dyshuar për vrasjen e dy kushërinjve në Laç tashmë ndodhen në burg, frika për ndonjë hakmarrje të mundshme ka bërë që familjarët e tyre të ngujohen.

Nuk bëhet fjalë vetëm për familjet e Markel, Manuel e Vinçens Bushit, por edhe kushërinjve të tyre të afërt. Edhe pse tre të dyshuarit për vrasjen e Erjon dhe Kelvin Jushit janë në pranga, burrat dhe gratë e dy fiseve u janë nënshtruar zakoneve të tyre pas ngjarjes.

Fillimisht, sa u përhap lajmi, u mbyllën brenda afro 20 shtëpi. Por, më pas, sipas zakonit, të ngujuar qëndrojnë vetëm familjet e autorëve dhe ata më të ngushtët në rreth familjar nga rrënjët e babait. Ndërsa fisi nga nëna ndihmon në zgjidhjen e problemeve.

Për këtë arsye, ishte daja ai që negocioi me shefin e Komisariatit të Kurbinit, gjë që u pasua me vetëdorëzimin në Polici të të tre djemve të fisit Bushi.

Mes familjeve Bushi dhe Jushi akoma nuk është futur ndonjë pajtues apo siç mund të quhet ndryshe njeriu që bën bisedimet për kushtet e një situate, ku familjet ndodhen në hasmëri me njëratjetrën. Të arrestuarit kanë thënë se e gjithë ngjarja ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, por nuk donin të vrisnin kushërinjtë Jushi.

Një debat i nisur për publikimin e fotove në rrjetet sociale dyshohet se është bërë shkak për nisjen e sherrit që përfundoi me dy viktima.

Tre autorët e dyshuar të ngjarjes ishin të njohur me njëri-tjetrin dhe mes tyre ka nisur fillimisht me shaka një debat për foton që ish-futbollisti, Kelvin Jushi, publikonte në profilin e tij në rrjetet sociale.

Fjalë pas fjale, debati mes dy grupeve është acaruar, duke bërë që të dalin jashtë për t’u sqaruar. Por, situata është përshkallëzuar më tej, duke bërë që palët të përleshen fizikisht. Më tej, një prej vëllezërve Bushi ka nxjerrë një armë tip pistoletë.

Dy të rinjtë, Kelvin dhe Erion Jushi, pasi kanë parë armën, kanë tentuar që të largohen, por janë ndjekur nga pas nga 24-vjeçari, i cili i ka qëlluar në hyrjen e një pallati.

Vetë autori i dyshuar i ngjarjes ka deklaruar në Polici se ka qëlluar në gjaknxehtësi e sipër në drejtim të ish-futbollistit, ndërkohë që 36-vjeçari Jushi, sipas Markel Bushit, ka mbetur i vrarë aksidentalisht.

“Debatuam për ‘Facebook’, pastaj u përleshëm dhe situata doli jashtë kontrollit. Nxora pistoletën për t’i trembur, po në gjaknxehtësi e sipër nisa të qëlloja.

Nuk kisha për qëllim t’i vrisja”, ka thënë në Polici 24- vjeçari Markel Bushi, që dyshohet se është autori kryesor i ngjarjes.