Është prezantuar projekti i turizmit BE – BERZH, që do të ketë në fokus investimet në turizmin shqiptar.
Projekti parasheh një investim prej 100 milionë eurosh për të zhvilluar turizmin në vendin tonë.
Ambasadori i BE Luigi Soreca në fjalën e tij deklaroi se projekti i përbashkët BE – BERZH do të zbatohet kryesisht në nivel vendor. Soreca shtoi se industria e turizmit fuqizon Shqipërinë dhe imazhin e saj.
“BE dhe BERZH janë krenarë që në bashkëpunim me njëri –tjetrin investojnë 100 milionë euro në Shqipëri. Programi do të zbatohet kryesisht në nivel vendor. Industria e turizmit fuqizon Shqipërinë dhe imazhin e saj. Turizmi është një prioritet kyç për Shqipërinë, për të përmirësuar imazhin e vendit, për të rritur ekonominë dhe mirëqenien”, tha Soreca.
Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca vlerësoi se Shqipëria ka vende të mrekullueshme dhe potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi. Ai shtoi se zhvillimi i turizmit do të bëhet kryesisht në 4 rajone të rëndësishme në vend.
Ndërsa, drejtori i BERZH-it Suma Chakrabarti tha se projekti ndihmon në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe atyre mikro. Chakrabarti vlerësoi se do t’i jepet prioritet zhvillimit të bregdetit, por jo vetëm.
Ai tha se në fokus do të jenë edhe restaurimet e monumenteve të ndryshme me vlerë historike e kulturore.