Një ndërtues me probleme të hershme me drejtësinë dhe dy pasardhës të familjes së njohur tiranase Pazari, u ndaluan me urdhër të prokurorisë së Tiranës, pas dyshimeve për pastrim parash, lidhur me skandalin e tjetërsimit të pronave të Spitalit Ushtarak.
Hetimet kanë zbuluar se Kadri Pazari dhe Arben Çaçi kanë mundur të falsifikojnë vendimin nr.232 të vitit 2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili në fakt iu kishte njohur trashëgimtarëve të familjes Pazari, pronësinë mbi truallin ne fjalë, por jo kthimin e tyre. Referuar vendimit origjinal, pronarëve u njihej e drejta e parablerjes se objektit të spitalit ushtarak, kur ai të privatizohej.
Hetimet nxorën në dritë faktin se të dyshuarit kanë mundur të falsifikojnë vendimin që bën fjalë për truallin me sipërfaqe 21 metra katrorë brenda territorit të Spitalit Ushtarak, në të cilin kanë ndërhyrë duke i fshirë fjalisë një pjesë: “i kthehet z. Sheh Ali Pazari pronësia mbi këtë truall, kur spitali të privatizohet” duke lënë vetëm fjalinë: “i kthehet z. Sheh Ali pazari pronësia mbi këtë truall”.
Skandali thellohet edhe më tej, përderisa Kadri Pazari e Arben Caci përmes mashtrimit kanë mundur të heqin nga dosja e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendimin e saktë të këtij institucioni dhe ta zëvendësojnë atë me dokumentin e falsifikuar.
Më pas me ndihmën e zyrtarëve hipotekës, dyshohet se përmes ryshfetit, trashëgimtarët e familjes së njohur e kanë regjistruar pronën në hipotekë.
Ndërkohë me qëllim zhdukjen e gjurmëve të tjetërsimit të pronës shtet, të përfituar me dokumente false, të dyshuarit Pazari e Caci vendosën të shkëmbenin sipërfaqen brenda territorit të spitalit me 600 metra katrorë tokë në pronësi të Dritan Llanajt me vendndodhje në Yzberisht.
Mbi bazën e kësaj kontrate, Llanaj ka aplikuar në hipotekë duke kërkuar të pajiset me dokument pronësie, por gjatë procesit, zyrtarët e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kanë konstatuar se prona që ai pretendonte, mbivendosej me pronë shtetërore.
Skandali është kallëzuar edhe nga një tjetër trashëgimtar i familjes së njohur, i cili pretendonte se përmes një testamenti të falsifikuar që në vitin 1939, fakt i hetuar e provuar nga prokuroria, atij po i vidhej prona.
Ai ka informuar hetuesit se po përdorej një vendim i falsifikuar sikur trashëgimtarëve të Ali Pazarit iu është kthyer prona e Spitalit Ushtarak në një kohë që prona vetëm u është njohur si e tillë. Më tej ai ka shpjeguar se mbi këtë pronë të përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara është marrë dhe leje ndërtimi, duke u cenuar rëndë interesat e shtetit, por edhe të vetë atij që nuk kishte përfituar asgjë nga prona e trashëguar.
Hetimet e prokurorit Ervin Karanxha, flasin për një skemë të pastër pastrimi parash, nga tre të dyshuarit, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim me njëri tjetrin.