MENU
klinika

Në kujtim të Floresha Myteveliut

Lola, partizania që u pushkatua dy herë!

05.05.2019 - 17:28

Fëmijëria dhe formimi i heroinës korçare….

Shumë e bukur, me sytë e mëdhenj e të zinj, flokët e gjata pis të zeza, që i derdheshin mbi supe, të ndara me vijë në mes, fytyrë të shëndetshme, vetullat hark, mjekër të vogël, të cilat gjenin kombinim me trupin saj të derdhur, -ky ishte portreti i një princeshe, e dalë nga dera e bejlerëve të hershëm, Mytevelinj, nga dera e Mirahorit të Madh, themeluesit të Korçës moderne. Kjo është heroina korçare, dëshmorja e atdheut, Floresha Hysen Myteveliu, -apo LOLA-si e thërriste familja e saj. Bukuria e saj magjepsi piktoren e talentuar të kombit tonë, Safo Marko, ku me penelin e saj, ka nxjerrë jo vetëm bukurinë fizike të dëshmores, por edhe atë shpirtërore, personalitetin dhe karakterin e saj të fortë. E rritur dhe e edukuar në këtë derë aristokrate, e edukuar që në fëmijërinë e saj të hershme me idetë dhe veprat e rilindasve të shquar, vëllezërve Frashëri, si një kushërirë e tyre, tek Lola do të mishërohej karakteri i vajzës me ide demokratike dhe patriotike, do të mishërohej ndjenja e dashurisë për atdheun. Lola do të njihej edhe si vajza me kurajo, guxim e sypatrembur që nuk i druhej aspak rrezikut dhe pasojave. Floresha Myteveliu, vajza e dytë e Hysen Bej Myteveliut, lindi në qytetin e Korçës, në vitin 1926, në derë bejlerësh, pikërisht në shtëpinë e Iljaz Bej Mirahor Myteveliut.

 

 

 

E rritur nën kujdesin e veçantë të gjyshes së saj Gjylistanit, halla e vëllezërve Rilindas, -Frashërllinjve të Shquar-, Abdyl, Sami dhe Naim. Gjyshe Gjylistani pati një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e Lolës. Ajo i dinte përmendësh vjershat e Naimit “Lulet e verës”, dhe po kaq mirë ajo i transmetoi te mbesa e saj, Lola, e cila në moshën 5 vjeçare me talent të lindur e adaptuar nga gjyshja dhe kujtesë të admirueshme, i mësoi përmendësh, të gjitha vjershat, e ciklit poetik të Naimit. Fillimisht, dëshmorja Floresha Myteveliu-alias Lola, do të ndiqte shkollën qytetare, dhe më pas Liceun francez të Korçës, së bashku me motrën e saj më të madhe, Ender Myteveliu. Gjithashtu, në formimin patriotik dhe demokratik të heroinës, do të ndikonte babai i saj, Hysen Beu, anëtar i bandës ‘Lira”, të qytetit të Korçës, që me krijimin e saj, e cila ka pasur për qëllim përhapjen e ndjenjës kombëtare, trashëgiminë e vlerave kombëtare, patriotike e demokratike. Hysen Beu, luftëtar në çetën e Gani Butkës, me armë në dorë luftoi kundër turqve dhe shovinistëve grekë. Do të ishte po Hysen Beu, që vuri në dispozicion të luftës nacional–çlirimtare, pasurinë, shtëpinë, jetën e tij dhe të familjes, urrejtjen për pushtuesin fashist dhe nazist. Gjithë kjo veprimtari e babait të Lolës, ndikoi dukshëm në formimin e heroinës korçare, e cila që në moshe fare të re përqafoi idetë demokratike dhe u rreshtua në formacionet partizane kundër okupatorit fashist, nazist dhe në ilegalitet. Tashmë, gjithçka ishte e qartë;Dera e bejlerëve Mytevelinj u rreshtua në forcat partizane e përparimtare të kohës, kjo Familje e Madhe e qytetit të Korçës u burgos dhe u internua gjithashtu nga fashistët dhe nazistët.

 

Përfshirja në lëvizjen nacional-çlirimtare

 

Veprimtarinë e saj patriotike, Lola e nisi që në bankat e shkollës. Në vitin 1941-ë, Komiteti Qarkor i Rinisë, dha orientim që në të gjitha shkollat e qytetit, të lihej mësimi në orën e gjuhës italiane. Ja një kujtim nga bashkëluftëtarja e heroinës korçare, Gjinovefa Cicko: ”Atë ditë kishim mësimin e gjuhës italiane dhe mësuesja e italishtes, e cila ishte italiane, hyri dhe si zakonisht na përshëndeti, por asnjë nga ne nuk u përgjigj. E çuditur dhe e zemëruar me qëndrimin tonë, ajo pyeti: -Kush do të çohet në mësim? Përsëri asnjë nuk u përgjigj. Mësuesja pyeti: -A e kini përgatitur mësimin? Këtë radhë çohet Floresha në këmbë dhe i përgjigjet fort: -Nuk duam të mësojmë doktrinën fashiste! Në të njëjtën kohë Lola griste dhe hidhte copat e librit në dysheme. Mësuesja italiane dyllë e verdhë mblidhte fletët e librit, ndërsa në të gjithë dolëm jashtë klasës, të vendosur për të përkrahur dhe mbrojtur Lolën, shoqen tonë. U mblodhëm në cepin e oborrit të shkollës e filluam të këndonim këngë patriotike. Me rritjen e lëvizjes nacional-çlirimtare, Lola nisi rrugën e luftës ilegale, krahas Rahman Beragozhdit dhe të ndjerit Mustafa Belit, ky i fundit ishte atentatori i guximshëm korçar, që njihet në qytetin e Korçës me pseudonimin “ACAI”, mik i ngushtë dhe shok lufte e armësh i Adnan Qatipit, Astrit Lekës, Myslim Ketës, atentatorëve të guximshëm, që ishin bërë tmerri i okupatorit fashist e nazist dhe bënë historinë. Floresha Mytevliu –alias- Lola, – ishte më e reja në ilegalitet, por guximin e kishte të madh. Ajo ishte shumë inteligjente dhe gjente mënyra nga më të veçanta për të përmbushur detyrat që i ngarkoheshin, me një guxim të vendosur e të paparë.

 

 

 

Arrestimet dhe internimi

 

Veprimtaria e saj e dendur në shërbim të luftës nacional-çlirimtare, bie në sy të armikut, dhe në vitin 1942, Lola arrestohet, për herë të parë dhe lirohet për mungesë provash. Ajo nuk e njihte rrezikun, me ndjenjën e atdhedashurisë vazhdonte veprimtarinë e saj antifashiste dhe në vitin 1943 Lola arrestohet për herë të dytë dhe internohet në Porto Romano. Por edhe aty, Lola nuk u dorëzua, Kampi i internimit qe një kamp i mallkuar, por jeta aty ndezi akoma më shumë shpirtin luftarak dhe ndjenjën e atdhedashurisë te Lola. Aty ajo me veprimtarinë e saj të pashembullt, mbante të ndezur idealet e luftës nacional-çlirimtare, idealet për liri demokraci. Çdo mbrëmje ajo mblidhte të rinjtë në kamp, ndiznin zjarre e këndonin këngë partizane dhe patriotike, gjë që e tërboi armikun. Ajo kurrë nuk i linte t’ia arrestonin shokët dhe të gjitha përgjegjësitë i merrte mbi veten e saj. Me kapitullimin e Italisë fashiste të Benito Musolinit, mbaroi edhe internimi për familjen Myteveli. Kështu Lola kthehet në Korçë, ku tani i duhej të përballej me një tjetër okupator më të egër e gjakatar, nazistët e Hitlerit. Tashmë Lola ishte më e rritur, më e pjekur, më e sprovuar. Fjalët dhe shpirti luftarak i Lolës ngritën peshë zemrat e banorëve të lagjes, ku ajo banonte .Nga malet ushtonte kënga “Bashkohi shokë me ne në çetë”. Lola kishte mall dhe dashuri për shokët dhe shoqet e saj të njësiteve guerile në qytet, në kalldrëmet e Korçës së saj të dashur, ku ajo ngjiste traktet, shpërndante komunikata, me karrocën e invalidit të hallës së saj, me pretekstin se shëtiste hallën e sëmurë. Kishte diçka emocionuese në fjalët e Lolës, jo vetëm dinte t’i lidhte bukur, ajo fliste me çiltërsi bukuri shpirtërore, një shpirt i butë e poetik, të trashëguar nga gjyshja. Aq sa dukej e qetë, e përzemërt dhe e ëmbël, aq e vrazhdë dhe e urrente armikun. Në maj të vitit 1944, Floresha arrestohet përsëri. Në burg kërcënohet dhe i kërkohet të lëshojë deklaratë, gjë që më mirë jepte jetën se të nënshkruante deklaratën. Për këtë arsye nuk e lirojnë nga burgu. Me 23 maj 1944, arratiset nga burgu së bashku me 60 të burgosur të tjerë, midis tyre dhe bashkëluftëtarët e saj, Ruzhdi Beragozhdi dhe Mustafa Beli, alla “Acai”. Ajo pas arratisjes nga burgu do të inkuadrohet në rreshtat e Batalionit të Rinisë dhe më pas në Brigadën e I-rë Sulmuese, së bashku me motrën e saj të madhe Enderin. Ishte vështirë, t’i ngarkoje detyra në prapavijë, ajo dëshironte të ishte në ballë të luftës.

 

Lufta për çlirimin e Dibrës së Madhe,  plagosja e rëndë në fushën e betejës

 

“Dhe kështu ndodhi më 1 gusht 1944, në luftën heroike për çlirimin e Dibrës së Madhe. Forca të shumta naziste e kishin blinduar Dibrën e kthyer në një fortifikatë betoni, telash dhe artilerie. Skuadra e parë, që bënte pjesë Lola, do të mësynte mbi armikun. Dikush e këshilloi, Lolën që të shkëputet nga skuadra, se lufta do të ishte e ashpër dhe ajo ishte një vajzë e re, vetëm 19 vjeçe…Por sytë e zinj e të bukur të Lolës, që falnin vetëm buzëqeshje e ëmbëlsi, kurrë nuk i kisha parë aq të trishtuar, – shprehet Ferit Radovicka, komandant i batalionit, -por me një vendosmëri prej luftëtareje, ajo hodhi pushkën në sup e thotë: “Jam luftëtare partizane dhe Liri-Demokraci kanë shumë kuptim në jetën time, kanë më shumë kuptim se jeta ime të cilën ja kam dedikuar Shqipërisë së lirë dhe popullit tim”! Më pas partizanët mësyjnë dhe një luftë e ashpër do të zhvillohej midis forcave partizane dhe naziste. “Dibra u kthye në një arenë përleshjesh, në një vatër zjarri të vërtetë. U zhvillua një luftë aq e ashpër, sa një luftë e tillë nuk ishte zhvilluar as për marrjen e Stalingradit”, -shkruante gazeta kuislinge, “Bashkimi i kombit”, në atë kohë. Për një moment Lola ju afrohet llogoreve të armikut dhe u shkoi nazistëve te gryka e armëve. Një shok i Lolës i plagosur rëndë u përpoq ta ndalonte atë, por nuk arriti dot se një plumb tjetër e qëllon atë për vdekje. Por mes atij tymi e baroti shokët nuk e panë më Lolën, vetëm më pas ata do ta merrnin vesh se Lola ishte plagosur rëndë në kokë dhe ishte kapur rob. Pasi mjekohet në spitalin e Strugës, Lolën e çojnë në qeli, ku e torturojnë. Po ajo nuk përkulej e dorëzohej. U magjepsën nga bukuria e saj, i thurën lajka, i premtuan shumë për një jetë të bukur, i kërkuan të firmosë një deklaratë, por ajo nuk pranoi. Të vetmet fjalë që ajo shqiptoi ishin:”Më vjen keq që nuk vdiqa në fushën e betejës!”

 

 

Pushkatimi në qeli

 

Por oficeri nazist i çmendur dhe i tërbuar nga qëndrimi i saj prej një heroine të vërtetë, shkrehu gjithë revolverin në gjoksin e Lolës. Ky ishte pushkatimi i dytë brenda dy javëve. Njëherë në fushën e betejës dhe herën e dytë në qelinë e burgut të Strugës. Lola mes atyre plumbave mundi të thotë: “Rroftë Shqipëria ime e lirë”. Kjo është historia e heroinës, dëshmores së atdheut Floresha Hysen Myteveliu. Jeta dhe vepra e saj do të mbeten të pavdekshme. Ajo është dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Medaljen e Çlirimit, Medaljen e Kujtimit.Ajo është HEROINA E POPULLIT, titull të cilin e meriton. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet nderi dhe lavdia e qytetit të saj, Korçës sonë të dashur, të cilin paraardhësi i saj, Iljaz Bej Mirahor Myteveliu, e themeloi. Emri dhe vepra e saj është përjetësuar në art e pikturë, në historinë e Korçës, në historinë e Shqipërisë, në muzeun e LANC-it, në një nga rrugët e lagjes ku u lind, u rrit e jetoi, në rrugët me kalldrëm të lagjes së Mirahorit të Madh. Edhe në familjen e saj, një e mbesa e saj sot, vajza e vellait, ka trashëguar emrin e Lolës: Floresha Myteveliu.

Jemi ne, pasardhësit, e Lolës, si banorë të së njëjtës lagje, me ndjenjën e krenarisë, të qytetarisë, por edhe të vlerave kombëtare dhe historike, që t’i sjellim në kujtesë të kombit tonë, të përjetësojmë brez pas brezi, emrin dhe heroizmin e dëshmores Floresha Hysen Myteveliu, dëshmorët e atdheut të cilët dhanë jetën për një Shqipëri të lirë e demokratike!

Nga Raimonda Moisiu

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dossier/ 100 vjetori i armëpushimit

Letra shqip, nga fronti i luftës së parë


"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe