MENU
klinika

Brenda birucave të Burrelit

Cilat qenë fjalët e fundit të Kryepeshkopit Visarion?

10.05.2019 - 15:06

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, një ndër të burgosurit politik si intelektual i shquar i kohës, po e ngarkonte të riun 18-vjeçar, me misionin për të rrëfyer krimet e komunizmit, brenda birucave të Burrelit.

 

 

Viktor Martini ishte i mitur kur u arrestua nga diktatura komuniste, me akuzën për tentativë arratisje. Ishte i katërti prej vëllezërve të familjes Martini, të gjithë në burg. Ishte viti 1956 kur u arrestua Viktori, dhe ishte vetëm 16 vjeç. Ishte më i vogli në djemtë e familjes Martini dhe i erdhi radha të fundit për burgosje, me akuzën për tentativë arratisje. Ndërkohë, i ati kishte vdekur në burgun e Burrelit. Viktor Martini u arrestua në Shkodër, ku dhe kaloi disa kohë si i burgosur, më pas, u transferua në burgun e Rinasit dhe në moshën 18-vjeçare, u transferua në burgun e Burrelit, atje ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë, që regjimi komunist i kishte shpallur armiq të popullit. Natyrisht që burgu është një ndër “ëndrrat” më të këqija të jetës së tij, por atje ka diçka pozitive për të kujtuar, dhe e thotë me shumë krenari, dijet e mirësinë që mori nga ata intelektualë shqiptarë që u dënuan padrejtësisht nga regjimi komunist. “Nëpërmjet nji akuze false, më arrestuen për tentativë arratisjeje dhe më dënuen me 7 vjet burg. Por, kjo fatkeqësi më krijoi mundësinë të bashkohem me atë pjesë krenare të kombit, prej të cilëve mora mësimet e para intelektuale e morale. Njeni nga këta mësues asht Fisniku i pashoq, intelektuali e i papërkuluni Ali Mena. Kanë kalu 60 vite, por falenderoj Zotin që më ka ruejtun memorien të freskët. Jo vetëm për mos me i harru këta heronj, por dhe për t’ia ba të njohun pjesës ma të randësishme, rinisë shqiptare, të cilët nuk kanë pasë rastin të ndigjojnë historitë e antikomunistëve”, rrëfen Viktor Martini, në intervistën e dhënë për Dritan Kolgjinin, pak kohë më parë –  sipas Kujto.al.

 

 

Një ndër detajet më interesante të jetës së Viktor Martinit në burg, është amaneti që i ka lënë Visarion Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, në oborrin e burgut të Burrelit.

“Unë ndihem tepër i kënaqun që po kryej nji amanet që me la Visarion Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, kur në oborrin e burgut të Burrelit me tha: “Në emën të Zotit, të ngarkoj të jesh dëshmitar i vuejtjeve të tona, kur nji ditë ne s’kemi për të qenë.” Isha 18-vjeçar e unë do vazhdoj të jem dëshmitari i vuejtjeve të njerëzve të ndershëm, që sakrifikuen për lirinë e dinjitetin e popullit shqiptar”, rrëfen Viktor Martini, në intervistën dhënë Dritan Kolgjinit, botuar në gazetën Dielli, në mars të vitit 2015.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe