MENU
klinika

Kundër qeverisë

Protesta e opozitës, ‘skenarët’ mbeten ende mister

11.05.2019 - 08:37

Opozita e bashkuar do të mblidhet pasditen e kësaj të shtune në Tiranë në orën 18:30 në protestën e katërt kombëtare, të drejtuar nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Qytetarë, simpatizantë dhe mbështetës të opozitës priten të nisen nga rrethet drejt Tiranës, për t’u bashkuar më pas në tubimin mbarëkombëtar përpara godinës së kryeministrisë. Lideri i selisë blu, Lulzim Basha paralajmëroi një ditë më parë se protestës kombëtare të opozitës do t’i bashkohen edhe 300 studentë të Partive Popullore Europiane (PPE-EPP).

Dy drejtuesi kryesorë të frontit opozitar kanë theksuar se kushti i tyre i panegociueshëm është largimi i kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë shtuar se kjo lëvizje do t’i hap rrugë garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.

Ndërkohë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bëri thirrje të shtunën që protesta të mos shoqërohet me akte dhune, por qytetarët të demonstrojnë pakënaqësitë në mënyrë paqësore dhe demokratike.

“Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës komprometohet”-thekson mesazhi i ambasadës.

Gjithashtu edhe Policia e Shtetit pritet të marrë masa shtesë, me qëllim garantimin e protestës së opozitës, e cila në fakt deri në këto momente është shumë hermetike dhe nuk ka asnjë detaj për formën se si do të protestohet para zyrës së kryeministrit, Edi Rama.

Lideri demokrat ka theksuar në takim me qytetarët se nuk do të këtë zgjedhje me 30 qershor pa Partinë Demokratike, ndërsa nga ana tjetër Partia Socialiste pritet sot të nxjerrë të gjithë emrat e kandidatëve, të cilët do të garojnë për 61 bashkitë e vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN