Pronarëve që u është zënë tona nga ndërtimet pa leje duhet të paraqiten në Agjencinë e Trajtimit të Pronave të plotëosjnë formularin TIP dhe të dorëzojnë gjashtë dokumente për të marrë kompensimin.
Duke qenë se ky proces nuk është i kushtëzuar dhe i limituar në kohë, ATP fton të gjithë këta subjekte përfitues që të paraqiten pranë sporteleve të saj për të aplikuar me qëllim përfitimin e kompensimit të miratuar.
ATP, në varësi të të ardhurave të arkëtuara deri më sot për këtë proces dhe fondeve të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit, sipas përllogaritjeve përkatëse shpërndan aktualisht 70% të vlerës se miratuar në VKM për subjektet përfituese.
Pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale, u është njohur e drejta e kompensimit me vendim të Këshillit të Ministrave ku është përcaktuar edhe shumë për sejcilin por për të marrë paratë duhet të dorëzojnë në ATP 6 dokumente.
Procedurat
Procedura e aplikimit nga subjektet përfitues është e thjeshtë. Bazuar në VKM Nr.383 date 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, subjektet perfitues mund të paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet.
Nëse kërkesa paraqitet nga një pjesë e bashkëpronarëve, ajo shoqërohet nga prokura e posacme e nënshkruar prej tyre, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre.
Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.
Dokumentet
1. Kërkesën për kompensim sipas formatit tip, e cila plotesohet ne ATP;
2. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.
3. Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;
4. Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;
5. Mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit;
6. Dokument identifikimi.