Kryetari i Bordit Këshillëdhënës të “Ecolog International”, Lazim Destani, priti për vizitë kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri Zaev gjatë kësaj vizite në Ecolog u informua nga afër mbi punën që bëhet në këtë kompani. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Zaev shoqërohej nga Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, si dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Mysafirët, së bashku u njohën me spektrin e gjerë të aktiviteteve dhe rolin e Ecolog-ut, si një ndër punëdhënësit kryesor në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Bordit Këshillëdhënës, Lazim Destani tha se, vizitat të tilla janë të mirëpritura dhe motivuese, pasi ato shihen si mbështetje ndaj bizneseve private që operojnë në vend, por edhe si mbështetje për investime potenciale të reja.
Ndërsa kryeministri, Zaev gjatë fjalës së tij, e informoi menaxhmentin e kompanisë edhe për masat mbështetëse për investime, si pjesë e Planit për Rritje Ekonomike.
“Me antarësimin në NATO hapen mundësi të mëdha për investime dhe zhvillim të sektorit privat. Kompania juaj është shembull suksesi në botë dhe krenari për vendin tonë”, theksoi Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ecolog International është kompani ndërkombëtare që operon në 38 shtete në mbarë botën, me mbi 12 mijë të punësuar që operojnë në mbi 150 lokacione.
Ecolog është furnizuesi global i zgjidhjeve të integruara të shërbimeve jetike në përkrahje të organizatave qeveritare, humanitare dhe private në operacionet e tyre kudo e në çdo kohë./alertnews.al