MENU
klinika

Nga Raimonda Moisiu

Historia e Shtëpisë së Bardhë

16.05.2019 - 17:36

Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë ka filluar në vitin 1792, sipas planimetrisë të arkitektit irlandez James Hoban, i cili ishte edhe fituesi i tenderit arkitektorial, që u zhvillua enkas për ndërtimin e saj. James Hoban pati emigruar në Amerikë, në moshë fare të re. Pas disa problemeve të mprehta financiare, të cilat sillnin shpesh ngadalësimin dhe ndërprerjen e punimeve në kohë, ndërtesa u bë gati për banim pjesërisht në vitin 1800, që shënon edhe vitin kur Presidenti i Dytë i Amerikës, John Adams dhe bashkëshortja e tij, hynë për herë të parë brenda Shtëpisë së Bardhë. Planimetria origjinale e fasadës veriore nga Hoban, e cila edhe i mbijetoi kohës, reflektonte arkitekturën angleze e stilit paladian të mes-shekullit të 18-ë.

Thomas Jefferson, Presidenti i Tretë, i cili hyri më pas në Shtëpinë e Bardhë, punësoi arkitektin e talentuar dhe vizionar, Benjamin H. Latrobe në vitin 1806-ë, i cili ndihmoi në dizenjimin e sallave (Dhomave) të ndërtesave lindore dhe perëndimore. Arkitektura moderne e fundit, ajo e Dhomës Legjislative i ka mbijetuar kohës dhe është afërsisht në gjendjen origjinale që prej ndërtimit të saj. Gjithashtu, Latrobe bëri edhe skicimet e tablove të Dhomave veriore e perëndimore të cilat janë modifikuar me kalimin e kohës.

 

 

 

Por, në vitin 1816, në kohën e Luftës, e cila pati filluar në vitin 1812, forcat britanike dogjën të gjitha ndërtesat publike në Uashington, duke mos kursyer edhe atë, Shtëpinë e Bardhë. Përveçse portretit të Xhorxh Uashingtonit nga Gilbert Stuart, portret, i cili ekziston edhe sot në Dhomën Lindore, të gjitha pajisjet dhe mobilimet e tjera që nga koha e administratës së presidentëve Adams, Jefferson, dhe Madison, u rrënuan. Nën mbikqyrjen e arkitektit James Hoban, Shtëpia e Bardhë u rindërtua brenda vitit, dhe në vitin 1817 ishte e banueshme, e rimobiluar në stilin perandorak, me pajisje, orendi dhe mobilie të importuara nga Franca prej Presidentit James Monroe. Gjithsesi, arkitekturën e ndërtesës dhe praktikisht asaj në brendësi, arkitekti irlandez James Hoban iu riktheu stilin Palladian të mëparshëm, dhe nuk ripërsëriti inovacionet neo-klasike të bëra nga Latrobe. Fasadat e jashtme të përzhitura nga zjarri u bojatisën të bardha. Flitet se është kjo arsyeja që aksidentalisht kjo ndërtesë u quajt dhe thirret Shtëpia e Bardhë, megjithëse ka edhe një të dhënë tjetër, që realisht është emërtuar me atë term, qëkur u ndërtua për herën e parë. Gjatë gjithë shekullit të 19-ë, dekorimi i brendshëm i Shtëpisë së Bardhë ka ardhur duke rinovuar në mënyrë të njëpasnjëshme çdo stil dekorativ, porse fasada e jashtme e ndërtesës mbeti njësoj.

Në vitin 1833, tubacionet sillnin ujin nga një rezervat uji, që ndodhej shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili zëvendësoi gjithashtu përkohësisht depon e ujit të mëparshme. Ndriçimi me gaz u fut në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1849 dhe sistemi ngrohës në vitin 1853. Midis viteve 1850-1853, filloi furnizimi me ujë në Shtëpinë e Bardhë, nëpërmjet sistemit hidraulik të instaluar gjatë këtyre viteve, dhe i lidhur direkt me sistemin ujor qendror të qytetit. Disa të dhëna të hershme pohojnë se ishte pikërisht Millard Fillmore, Presidenti i 13-të amerikan, i cili përdori për herë të parë sistemin hidraulik të brendshëm, koha kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë nga viti1850 deri në vitin 1853. Porse një artikull i vitit 1989-ë mbi sistemin hidraulik të Shtëpisë së Bardhë, botuar në revistën “Plumbing & Mechanical”, – shkruan se mund të ketë qenë, Lincoln Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili përdori për herë të parë dushin me rrjedhje uji dhe vaskën e parë, të cilat mendohet se janë instaluar gjatë presidencës së Lincoln.

Në vitin 1877-ë, në administratën e Presidenti Rutherford B. Hayes, u instalua linja telefonike dhe aparati telefonik i parë në Shtëpinë e Bardhë, sinjali i të cilit vinte nga dhoma telegrafike e instaluar në rezidencën presidenciale. Presidenti Hayes e përqafoi teknologjinë e re, edhe pse rrallë merrte telefonata. Në fakt, Departamenti i Thesarit posedonte të vetmen linjë telefonike, veçse të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë në atë kohë.

Numri i telefonit të Shtëpisë së Bardhë ishte “1”. Kështu që shërbimi telefonik në të gjithë Amerikën i ka fillesat e tij në vitin 1877-ë. Vetëm një vit më vonë, shkëmbimi i parë telefonik u krye në Connecticut (Kenerike) dhe 50 vjet më pas do të ishte Presidenti Herbert Hoover që instaloi linjën e parë telefonike në tavolinën e Presidentit, pikërisht në Zyrën Ovale.

Ndërsa energjia elektrike hyri për herë të parë, gjatë rezidencës së Presidentit, Benjamin Harrison. Në vitin 1902, gjatë administratës së Presidentit, Theodore Roosvelt, Shtëpia e Bardhë, iu nënshtrua një rinovimi pothuajse tërësor, nën drejtimin e firmës arkitekturale të njohur e kohës,- e McKim, Mead dhe White. Dhomave të katit të parë iu hoq plotësisht veshja viktoriane dhe iu kthye traditës se hershme të shekullit të 19-ë. Shkallët e mëdha u zhvendosën në korridorin hyrës, për të patur mundësinë të shkonin në kafeterinë shtetërore, që ndodhej në cepin jugperëndimor të ndërtesës.

Në vitin 1949, gjatë administratës së Presidentit Harry S. Truman, u konstatua se Shtëpia e Bardhë nuk ishte e përshtatshme dhe e sigurtë për të banuar aty.

 

 

Fasadat e mureve të jashtme ruajtën ngjyrën e bardhë, ndërsa struktura e brendshme e ndërtesës ndryshoi pothuajse tërësisht dhe u rindërtua me skelete, shtylla betoni e çeliku. Kujdes i madh u tregua për ruajtjen e punimeve origjinale prej druri, oxhaqet prej mermeri, dhe suvatë dekorative. Planimetria origjinale e bazamentit u ruajt me devocion. Po ashtu edhe njëra prej verandave, e njohur sot e kësaj dite si Ballkoni Truman, e ndërtuar në katin e dytë të portikut jugor. Qysh atëherë Ballkoni Truman është një nga verandat më të preferuara të familjeve presidenciale.

Vite më vonë, kur Presidenti John F. Kennedy dhe familja e tij hyri në Shtëpinë e Bardhë, bashkëshortja e tij, znj. Jacqueline Kennedy nisi restaurimin tërësor në brendësi të Shtëpisë së Bardhë, nga formatet origjinale të fundshekullit të 18-ë dhe ato të fillimshekullit të 19-ë, deri në shkëlqimin e sotëm të saj. Gjithashtu Znj. Kennedy ngriti një Komision të posaçëm arti, i përbërë nga specialistë të aftë e të talentuar dhe personalitete mjaft të njohura të kohës, në fushën e artit artikteturial dhe restaurimit të muzeumeve e veprave të artit, me qëllim për të drejtuar punimet e restaurimit KENNEDY-sikundër u quajt në atë kohë. Një komision i veçantë këshillimor dhe një komision i tablove, pikturave, peisazheve, dezanjimit dhe kompozimit të tyre forcuan më tej punën e komisionit qendror.

Para këtij restaurimi, nuk kishte pasur ndonjë përpjekje për të ruajtur ose për të përdorur orenditë antike dhe historike të Shtëpisë së Bardhë, dhe dhomat e katit të parë ishin të pajisura kryesisht me orendi të rigjeneruara. Shumica e sendeve të rëndësishme u gjetën të magazinuara në depot e Shtëpisë së Bardhë. Donatorë dashamirës ofruan relike të qëmotëshme të arteve dekorative dhe mobilje antike e të çmuara për krijimin e kabinetit presidencial.

 

 

Zonja Kennedy u ndje fort e ngazëllyer prej aktit filantropist dhe dashamirësisë të donatorëve, duke u shprehur se “çdo gjë e dhuruar në Shtëpinë e Bardhë, duhet të ketë një arsye për të qenë aty ku duhet”.

Më pas Presidenti Johnson ngriti Komisionin për Ruajtjen dhe Mirëmbajtjen e Shtëpisë së Bardhë, dhe departamentin e përhershëm përgjegjës për mirëmbajtjen e saj. Pajisje të tjera të mobilieve dhe tablove amerikane me vlerë u sollën në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Nixon-it, dhe dhomat kryesore të kateve të para dhe kateve tokësore u zbukuruan gjatë viteve të presidencës së Nixon-it.

Pasi u shpërngul në rezidencën presidenciale në janar të vitit 1981-ë, bashkëshortja e Presidentit Ronald Regan, znj. Nancy Regan, mbikqyri rikonstruksionin e dhomave të katit të parë, të dytë dhe të disa projekteve të ruajtjes e mirëmbajtjes. Për publikun amerikan, rezidenca presidenciale është bërë rezidencë kombëtare, si edhe shtëpia e presidentit, apo thënë ndryshe të kreut të ekzekutivit. Sipas Presidentit Dwight d. Eisenhower: “Shtëpia e Bardhë ka qenë dhe duhet të mbetet gjithmonë një vend që duhet të nderohet dhe respektohet jo vetëm nga banorët e saj, por edhe nga të gjithë amerikanët.”

 

Post-scriptum

 

Shtëpia e Bardhë ndodhet në 1600 Pennsylvania Avenue, N.W., në Uashington DC, dhe prej kohës që u ndërtua është pallati presidencial, që përkon edhe me kohën kur u akomodua Presidenti i Dytë i Amerikës, -John Adams. Pallati presidencial zotëron 7.3 hektarë, rrethuar me drurë të lartë dhe shekullorë.

Ballina kryesore e ndërtesës është 52 metra (170f.) e gjatë dhe 26 metra (85f.) e gjerë. Disa nga katet përdhese janë ndërtuar sipas stilit anglez, kjo për shkak të pjerrësisë së tokës, ndërsa dy pjesët anësore, i kanë rezistuar dhe i përkasin strukturës origjinale. Konstruksioni i krahut perëndimor u bë në vitin 1902, nën kujdesin e Kongresit Amerikan me një investim prej $65.196 (dollarë). Aty ndodhen Zyra Ovale presidenciale, dhoma e seancave, e quajtur ndryshe Roosevelt Room, Sekretaria dhe Dhoma e Senatit.

Dyert prej xhami të Zyrës së Presidentit hapen mbi dhe në drejtim të Rose Garden (Parku Rose). Kontruksioni i Pjesës Lindore u bë në vitin 1942, dhe në të ndodhen përveçse zyrave të sekretarive presidenciale, por edhe zyrat arkivore dhe depo magazinimi.

Jacqualine Kennedy Garden, (Parku Zhaklin Kennedy-i) është quajtur kështu nga bashkëshortja e Presidentit Lyndon B. Johnson, Znj. Claudia Alta “Lady Bird” Johnson, e cila ishte edhe pasardhësja e saj. Ky park i bukur ndodhet jashtë pjesës lindore dhe është përdorur nga Zonja e Parë si një park mikpritës, shëtitës dhe argëtues. Para viti 1902, kati e parë ka shërbyer si vendi e punës së presidentit.Aty gjendet biblioteka, e cila u riorganizua tërësisht në vitin 1962. Dhoma Muze e Shtëpisë së Bardhë “Vermeil Room, e cila quhet edhe Gold Room, për shkak të mureve të paneluara në ngjyrë ari dhe koleksionin e takëmeve të praruara prej ari dhe argjendi, lënë trashëgimi Shtëpisë së Bardhë në vitin 1956-ë nga zonja Margaret Thompson Biddle.

Perdet prej mëndafshi me sfondin në të gjelbrën e zbehtë, ku dalloheshin qartë fije ari të praruara dhe qëndisura nëpër to, dhe janë dizajne të hershme të shekullit të 19-të. Tapeti është Herek prodhim turk i qëmotshëm, rreth vitit 1860.

Në qendër të dhomës muze ndodhet një tavolinë antike –sofër- e stilit perandorak të shekullit të 19-të. Në tavanin e saj varet një shandan kristali me dhjetë degëzime, edhe ky i qëmotshëm, i prodhuar në Angli në vitin 1785.

Portrete të shtatë Zonjave të Para janë ekspozuar në Dhomën Muze të Shtëpisë së Bardhë, (Vermeil Room), dhomë që thirret gjithashtu edhe si; The Room of First Ladies!

Më pas vjen kabineti i pritjeve diplomatike, zyra e hartave, nga e cila Presidenti Franklin D. Roosevelt monitoronte ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse kati i parë është rinovuar shumë herë përgjatë viteve, dyshemeja nuk ka ndryshuar nga ana arkitektonike, që pasi Shtëpia e Bardhë u projektua nga John Hoban, në vitin 1792. Të gjitha dhomat e katit të parë janë të hapura për publikun amerikan, me përjashtim të dhomës së ngrënies, e cila përdoret vetëm nga banorët e Shtëpisë së Bardhë. Madje, East Room- Salla Lindore –e quajtur “Public Audience” (Audiencë Publike), ruan ende stilin klasik të shekullit të 19-ë. Por jo vetëm kaq, East Room përdoret për mbrëmje argëtuese, dasma, funerale, dhe aty bëhen edhe firmosje të kontratave ekonomike.

 

 

E veçanta historike e “East Room”, qëndron në faktin historik presidencial se në atë kabinet, presidenti Gerald Ford-it, mori atributet e një burri shteti dhe një figurë imponuese në histori, si një nënpresident dhe president, në një kohë kur Amerika po përballej, me luftën aspak popullore në Vietnam, Skandalin e Watergate-it, dhe Richard Nixonu largua pa mbaruar mandatin, i cili u zëvendësua prej G. Ford. Kati i dytë përfshin komplekse dhoma të ndryshme, që nga dhoma e çlodhjes, e argëtimit dhe kafeterisë të Zonjës së Parë. Po në katin e dytë ndodhet dhoma e gjumit e quajtur Lincoln, e cila më herët ka shërbyer edhe si Kabineti i Presidentit Lincoln, dhe Dhoma ngjitur me të,- gjatë administratës së John F. Kennedy-i, ka qenë ish zyra e Kabinetit Presidencial, nga ku janë pasqyruar shumë vendime të rëndësishme, të marra brenda saj. Kompleksi i apartamenteve të jetës private të Presidentit dhe Familjes së tij, gjenden në anën perëndimore të katit të dytë. Me rindërtimin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 1952, u tregua kujdes i veçantë në ruajtjen e pjesës më të madhe të rinovuar në vitin 1902, megjithëse shumë prej orendive “barionale” u hoqën nga muret e lyer me të blertën celadon. Nga viti 1961 -1963 u bë një tjetër rinovim edhe më tej, u ndryshuan disa dhoma, duke i përafruar ato me atë të stilit perandorak dhe me orendi antike dhe klasike të periudhave të kahershme. Ndryshime dhe rinovime u bënë edhe në vitet 1970-të, 1980-të, 1998-të dhe 2015-të.

Nga Raimonda MOISIU

*Referuar “The New Lexicon Webster’s Encyclopedic Dictionary of the English Language.

 

 

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe