“Marko Gjuriç nuk do të lejohet të hyjë nesër në Kosovë”, kështu bëhet me dije në mediat kosovare.
Ndonëse Gjuriç lajmëroi se nesër do të vizitojë veriun, në ditën kur qytetarët atje do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e katër komunave, ai nuk do të lejohet të hyjë në territorin kosovar.
Gjatë një interviste për televizionin shtetëror serb, Gjuriç tha se të dielën do të vizitojë Veriun e Kosovës.
Sipas tij ai e planifikoi këtë vizitë sepse këto zgjedhje janë të rëndësishme për të mbrojtur interesat e Serbisë.
Por, një vizitë e tillë nuk do të jetë e mundur sepse MPJ nuk ia ka aprovuar kërkesën atij.
Këshilltari politik i ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj, tha se kërkesa për vizitë nuk i është aprovuar Gjuriqit sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit.
“Ka kërku sot leje, po ja kemi refuzu, sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit”, tha Jetlir Zyberaj për mediat në Kosovë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen nesër në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve.
Dorëheqja e tyre ka ardhur për shkak të taksës 100% të vendosur nga Qeveria Haradinaj.