MENU
klinika

Reagimi

Zhduket nga Arkivi i Shtetit në mënyrë misterioze vula 400-vjeçare

18.05.2019 - 18:39

Nga zyrat e Arkivës së Shtetit në kryeqytet është zhdukur në mënyrë misterioze një vulë me vlera të rralla historike mbi 400-vjeçare.

Ngjarja ka ndodhur më 10 maj dhe është referuar në Policinë e Shtetit dhe Prokurori.

Në lidhje me këtë ngjarje ka dhënë shpjegime në polici edhe drejtori i arkivave, Ardit Bido.

Nga autoritetet dyshohet se kemi të bëjmë me një vjedhje të organizuar pasi dhe kamerat e sigurisë janë fikur një ditë para. Mungesa e vulës është konstatuar në godinën B të të Arkivës, ku bëhet dhe skanimi i formateve të mëdha.

Vula që tashmë nuk gjendet ka një rëndësi të veçantë historike pasi i përket një fermani të Manastirit të Kamenës, që ndodhet mes Delvinës dhe fshatit Kakodhiq.

Lidhur me ngjarjen, me anë të një postimi në Facebook, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thotë se kanë konstatuar gjatë punës mungesën e fragmentit përbërës të një dokumenti dhe ngjara është referuar në prokurori.

Sistemet e sotme të sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave garantojnë që çdo parregullsi të zbulohet brenda një dite pune për të marrë masa të menjëhershme.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dëshiron të njoftojë opinionin publik, duke marrë shkas nga disa përmendje edhe në media, se kemi konstatuar, gjatë punës sonë, mungesën e një fragmenti përbërës të një dokumenti.

Fragmenti që mungon është një vulë plumbi e vitit 1640, që ndodhej bashkëlidhur me një dokument që, në terminologjinë e fushës, emërtohet sigjil.

Nuk kemi të bëjmë me vulë fizike moderne. Pjesa më e rëndësishme, vetë dokumenti në pergamenë, është i paprekur.

Ngjarja po hetohet nga strukturat e specializuara. Në përfundim të këtyre hetimeve, do të njoftoheni mbi çdo eventualitet”, shkruhet në reagim.

Policia dhe prokuroria e Tiranës kanë planifikuar deri tani pyetjen e rreth 15 personave pjesë e zinxhirit ku ka lëvizur vula e humbur.