MENU
klinika

Turneu i Romës

Nadal ‘turpëron’ rivalin historik në finale!

20.05.2019 - 19:42

Rafael Nadal mbrojti me sukses trofeun në “Qytetin e Përjetshëm” duke thyer në finale numrin 1 të botës, Novak Djokoviç.

Tenisti spanjoll mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme një javë sa të vështirë po aq edhe të shkëlqyer në aspektin e lojës.

Nadal fitoi takimin në fushën qendrore në tre sete, por numri 2 i botës mund ta kishte mbyllur ndeshjen në vetëm dy të tillë dhe për më tepër shumë më herët në kohë.

Në “Foro Italico”, Djokoviç kërkonte trofeun e pestë të Mastersit të Romës dhe kjo ishte finalja e 9 në karrierë për 32-vjeçarin serb në kryeqytetin italian, ndërsa në krahun tjetër për Rafën kjo ishte finalja e 11 në “Qytetin e Përjetshëm”. 7Serbi kishte fituar dy përballjet e fundit ndërmjet tyre, duke kryesuar kështu 28-25 ndaj rivalit të tij të përjetshëm.

Rafa zhvilloi një set të parë të shkëlqyer, duke e poshtëruar në çdo aspekt numrin 1 të botës.

Seti hapës ishte seti i 142 në sfidat mes tyre, megjithatë tenisti nga Majorka fitoi setin e parë me 0 në gjithë historinë e përballjeve ndërmjet tyre. Në setin pasardhës tenisti spanjoll shpërdoroi 4 mundësi për break dhe nga kjo gjë përfitoi tenisti serb që pas barazimit 4-4 mori edhe dy game-t e fundit të këtij seti.

Rafa u shfaq tepër i uritur për sukses dhe pas tre humbjeve radhazi në fazat gjysmëfinale në turnetë e tij të preferuar Montecarlo, Barcelonë dhe Madrid, numri 2 i botës u tregua i pamëshirshëm duke i lënë kundërshtarit të tij vetëm një game gjithsej në setin final.

Kështu pas afërsisht dy orë e gjysmë lojë Rafa përfundoi takimin me shifrat 6-0, 4-6, 6-1 duke regjistruar suksesin e tretë rresht në përballjet ndërmjet tyre në fushat me dhe.

Spanjolli përfitoi një çek të majmë prej 958.000 eurosh, duke u rikthyer sërish për të kryesuar 34-33 me trofe Masters kundrejt rivalit të tij të përjetshëm Novak Djokoviç.

Kjo ishte hera e parë që nga viti 2004, që Rafa zbriti në kryeqytetin italian pa fituar asnjë trofe, megjithatë Nadal ia doli mbanë për të siguruar titullin e parë sezonal pikërisht në Mastersin e Romës.