Agjencia e Prokurimit Publik u ka bërë thirrje bizneseve së fundmi që ankesat e tyre për procedurat e prokurimit të mos i paraqesin pranë këtij institucioni pasi është jashtë kompetencave që i përcakton ligji.
Në një njoftim të kësaj të marte APP thekson se shkresat duhet të dërgohen pranë Komisionit të Prokurimit Publik i cili i shqyrton ato.
“Në Agjencinë e Prokurimit Publik (në vijim “APP”), paraqiten në mënyrë të vazhdueshme ankesa, të cilat operatorët ekonomikë i drejtojnë Komisionit të Prokurimit Publik (në vijim “KPP”), në lidhje me procedurat e prokurimit, të cilat janë në proces nga autoritetet kontraktore, sa i takon kritereve të kualifikimit të dokumenteve të tenderit apo procesit të vlerësimit të ofertave nga komisioni i vlerësimit të ofertave.
Nisur nga ky fakt, sqarojmë si më poshtë vijon:
Me marrjen e ankesave që operatorët ekonomikë i dërgojnë në adresën e APP, duke qenë se janë jashtë fushës së kompetencave të saj, në zbatim të nenit të 24/1 të Kodit të Procedurave Administrative në të cilën parashikohet se: “Kur një organ publik merr një kërkesë, për një çështje që e vlerëson jashtë kompetencës të vet, ia përcjell kërkesën menjëherë, dhe në çdo rast jo më vonë se dy ditë nga marrja e saj, organit publik kompetent dhe njofton kërkuesin për këtë”, i përcillen institucionit të cilit i janë drejtuar, KPP.
Duke qenë se, kohët e fundit po administrohen një numër i konsiderueshëm i shkresave të tilla, tërheqim vëmendjen e operatorëve ekonomikë se, ankesat e tyre duhet të depozitohen në adresën e institucionit të KPP dhe jo të APP, me qëllim ushtrimin e të drejtës së tyre për ankim brenda afateve kohore të parashikuara nga legjislacioni i prokurimit publik” sqaron APP.