Teksa ndodhet në Holandë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka mbajtur një prononcim për mediat.
Gjatë fjalës së tij, Ruçi u shpreh se paraqitën për zyrtarët holandezë, arritjet e Shqipërisë në kuadër të pesë prioriteteve.
“Kuvendi Shqipërisë në kuadër të objektivit strategjik për hapjen e negociatave ka muaj qe ka nisur tur vizitash në vende të shumta e të rëndësishme të BE, në Gjermani, Itali sot në Hollandë.
Kemi pasur takime në France, vende të Ballkanit, anëtare të BE. Do kemi takime në Çeki. Sot jemi në Hollandë, ku paraqitem në Parlamentin Hollandez arritjet e Shqipëisë në kuadër të pesë prioriteteve.
Nga kontaktet ne fitojmë duke sqaruar mbi skepticizim apo paqartesitë mbi arritjet tona. Pavarësisht nga jehona mediatike për skepticizmin e Hollandës gjetëm mirëkuptim të plotë, deklaruan se po presin përfundimin e zgjedhjeve europiane, rekomandimin e KE dhe ne fund do shprehen lidhur me vendimin e Hollandës për negociatat“, tha Ruçi.
Sa i takon rezolutës së zbatuar në parlamentin holandez, në të cilën kërkon rikthimi i regjimit të vizave për Shqipërinë, kryeparlamentari Ruçi tha se nga biseda me një prej deputetëve holandezë, kjo rezolutë nuk do të zbatohet.
“Sa i takon rezolutës së parlamentit holandez për vizat, një nga deputetët hollandez që votoi rezolutën, tha se nuk do zbatohet.” U shpreh Ruci.
Duke u ndaluar në situatën politike në Shqipëri, Ruçi tha se vendi e ka një opozita parlamentare, dhe se i vetmi vend për të lëvizur këtë mazhorancë, janë mocionet e besimit, mosbesimit dhe zgjedhjet.
“Shqipëria ka një opozitë parlamentare. Zonja Hajdari, në takimet këtu në Hollandë, deputetë dhe miq të Hollandës, paraqiti mendimet e saj opozitare, objektive dhe realiste, dhe shprehu se hapja e negociatave është interes kombëtar.
Takimet kane qenë të hapura dhe nuk jam pyetur asnjëherë për opozitën jashtëparlamentare, pasi braktisja e institucioneve dhe parlamentit është e pakuptueshme.
Shqipëria ka një parlament dhe një mazhorancë dhe i vetmi mekanizëm për të lëvizur këtë mazhorancë, janë mocionet e besimit, mosbesimit dhe zgjedhjet.
Nuk jam ndjerë asnjëherë i rrezikuar nga protestat e opozitës”, përfundoi kryeparlamentari Ruçi.
Gjatë qëndrimit në Holandë, kryeparlamentari Ruçi shoqërohet nga sekretari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla si edhe deputetja Rudina Hajdari.