Të enjten në Komisionin për Çështje të Rregullores, Imunitetit dhe Mandatit do të shqyrtohet mundësia e heqjes së mandatit të deputetit në arrati Nikolla Gruevski.
Mungesa e tij gjashtë mujore pa arsye, plotëson kushtin ligjor për heqjen e mandatit të deputetit. Kryetari i Komisionit amë Pavle Bogoevski, mandatin e azilantit Gruevski e vendosi në rend të ditës në seancën e së enjtes. Por, nga LSDM-ja thonë se ende nuk dihet nëse do ta udhëheqë ai seancën apo zëvendësja e tij, Snezhana Kaleska-Vançeva.
“Unë vlerësoj se edhe vetëdija e opozitës është ngritur pas zgjedhjeve të fundit për të vepruar në mënyrë konstruktive. Por, nëse i kanë argumentet e vërteta për mbrojtjen e heqjen legjitime të mandatit të Gruevskit, atëherë pajtohem për debat “-deklaroi Hari Lokvenec, deputet i LSDM-së.
Nëse kërkesa për mandatin merr dritë jeshile në Komision, më pas kalon në seancë plenare, ku duhet të votojnë 80 deputetë.
Nëse kjo arrihet, sipas KSHZ-së kandidati i radhës që do ta zëvendësoj Gruevskin nga lista e VMRO DPMNE-së dhe koalicionit të njësisë zgjedhore numër 4, do të jetë Gjoko Kamçev.
“Të presim deri nesër, ne nuk jemi koordinuar për këtë çështje të shohim çfarë do të sjell dita e nesërme. Qëndrimi im personal është se unë nuk mund t’i marr askujt diçka që nuk i kam dhënë”– u shpreh Emil Dimitriev, Deputet i VMRO DPMNE-së.
Por, përveç votave të shumicës, për të arritur 2/3 duhet përkrahja edhe e grupit të pavarur të 8 ish-deputetëve të VMRO-së dhe të opozitës shqiptare. Kurse, nga partia e BDI-së mbështesin heqjen e mandatit të Gruevskit.
“Nuk kam asnjë lloj pritshmërie tjetër, përveç se presim që BDI-ja do të përkrah heqjen e mandatit të deputetit Gruevski. Do të shohim nesër se cilat do të jenë kërkesat e tyre”, u shpreh Artan Grubi, Deputet i BDI-së.
Gjashtë muaj më parë, ndonëse në mungesë të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së, me 62 vota “pro”, u votua për heqjen e imunitetit të deputetit Gruevskit, i cili u arratis dhe mori azil në Hungari.
Kuvendi atëherë pranoi rekomandimin e Komisionit amë pas kërkesës së gjykatës për shkak të caktimit të masës së paraburgimit për lëndët e Prokurorisë Speciale.
Ish kryeministri Nikolla Gruevski është i dënuar me 2 vjet burg për lëndën “Tanku”, ndërsa për rastet “Trajektorja”, “TNT”, Titanik” dhe “Dhuna në Qendër”, gjykohet në mungesë.