MENU
klinika

Koordinimet e fundit

Vetëvendosje dhe LDK nismë për rrëzimin e Haradinaj

22.05.2019 - 21:36

Partitë më të mëdha të opozitës parlamentare kosovare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë nisur të koordinohen për rrëzimin e qeverisë së Ramush Haradinajt.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti pas një takimi të bërë ditën e sotme me kreun e LDK-së, Isa Mustafën, bëri me dije se ka nisur puna për përpilimin e mocionit të mosbesimit.

Përveç Vetëvendosjes dhe LDK-së, është ftuar të bashkohet edhe Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka 12 deputetë në parlamentin kosovar.

PSD ka shprehur gatishmërinë të ulet në bisedime, por ka vënë kusht që rrëzimi i qeverisë Haradinaj të mos realizohet me votat e partisë së minoritetit serb.

Partitë kryesore opozitare kanë gjithsej 56 deputetë, ndërsa parlementi i Kosovës ka 120 deputetë. Për të arritur mocionin e mosbesimit, duhet që të jenë 60+1 deputetë.

Opozitës i nevojiten edhe 5 vota më shumë në Kuvendin e Kosovës.