Edhe pse kanë kaluar muaj nga tragjedia që i mori jetën Emiliano Salas, çdo javë dalin në dritë mistere që krijojnë debate mbi transferimin apo detajet e udhëtimit me avionin e vogël privat.
Prestigjozja “L’Equipe” ka zbuluar disa mesazhe audio në Whatsapp që Sala i dërgonte një mikut të tij. Mesazhet janë trishtuese, sepse futbollisti i transferuar për një shifër rekord prej rreth 20 milionë eurosh nga Nantes te Cardiff nuk donte që transferimi të kryhet.
“Mbrëmë fola me agjentin tim Meissa, më tha që Franck Kita, i biri i presidentit Waldemar Kita, i kishte thënë se duan të më shesin. Kanë marrë një ofertë nga Cardiff.
Për vete kanë vendosur një çmim të lartë dhe Cardiff ka pranuar, ndaj duan që unë të shkoj patjetër atje.
Është e vërtetë që është kontratë e mirë, por në aspektin sportiv nuk është interesante për mua. Gjithsesi, ata duan që unë të shkoj me çdo kusht. Personalisht, nuk kam frikë të shkoj atje, jam mësuar me beteja gjithë jetën time. Megjithatë, shpresoj që Meissa të më gjejë diçka më të mirë deri në mbyllje të merkatos së janarit.
Edhe Meissa nuk do që unë të shkoj në Cardiff dhe mendon se jemi në një pozicion superior, mund të vendosim vetë ku duam të shkojmë.
Nuk më plas shumë për këtë gjë, por do doja që të gjeja një klub të mirë dhe një kontratë të mirë. Në futboll rrallë bëhen bashkë të dyja këto.
Nuk dua të flas, as ta shoh në furrë Kita, sepse acarohem. Ai do që unë të shkoj në Cardiff, do paratë e tij, ndërkohë që as më ka pyetur fare çfarë dua unë. Është e vështirë, shumë, sepse më duhet çdo ditë të shoh surratin e atij personi, por askush nuk më sheh mua, çfarë kam unë në zemër”.
Para pak javësh edhe babai i Emilianos, Horacio, u nda nga jeta, ndërsa më parë kishte akuzuar Cardiff se “e kishte lënë Emilianon vetëm, si qen të braktisur”.