Zgjedhjet parlamentare gjashtëjavore në Indi kanë nxjerrë sërish fitues kryeministrin e vendit, Narendra Modi. Koalicioni i tij nacionalist fitoi të enjten 6-fishin e votave krahasuar me rivalët. Opozita e pranoi humbjen, ndërsa vetë Modi tha se në pesë vitet e ardhshme do të punojë edhe më fort se më parë.
Kryeministri indian, Narendra Modi, siguroi të enjten mandatin e dytë pesëvjeçar për udhëheqjen e vendit.
Partia e tij nacionaliste sfidoi parashikimet duke fituar në mënyrë plebishitare rreth 300 mandate në Kuvendin me mbi 540 anëtarë.
Aleanca opozitare arriti të marrë më pak se 90 mandate, ndërsa lideri i saj Rahul Gandhi e pranoi humbjen.
Zgjedhjet në Indi u mbajtën me disa faza në gjashtë javët e fundit.
Në to ushtruan të drejtën e votës rreth 900 milionë banorë, duke e kthyer procesin zgjedhor në një nga më masivët në histori.
Votimet parlamentare u panë si një referendum për kryeministrin Modi, reformat ekonomike dhe pikëpamjet hegjemoniste të të cilit kanë krijuar ndasi mes qytetarëve që prej zgjedhjes më 2014-ën.
Megjithatë, ai vijoi ta ruajë popullaritetin falë personalitetit karizmatik dhe qëndrimeve si burrështetas, edhe pse përfaqësues i shtresës së ulët në një shoqëri tejet të hierarkizuar siç është ajo e Indisë.
Të enjten kreu i qeverisë premtoi se do të punojë edhe më fort se më parë.
Presidenti kinez Xi Jinping, ai rus, Vladimir Putin, kryeministri japonez, Shinzō Abe, dhe homologu i tij izraelit, Benjamin Netanjahu, ishin ndër të parët liderë botërorë që uruan kryeministrin Modi për fitoren, ndërsa u zotuan të forcojnë më tej partneritetin mes vendeve.
Efektet e rezultatit zgjedhor u vërejtën prej orëve të para të ditës edhe në bursat indiane, të cilat arritën vlerat më të larta historike.