MENU
klinika

Pranohen 27 persona

Prokuroria e Përgjithshme ‘hap derën’ në Policinë Gjyqësore

25.05.2019 - 11:07

Prokuroria e Përgjithshme pranoi 27 persona në policinë gjyqësore me ligjin e vjetër pak para se ligji i ri i miratuar nga parlamenti të hyjë në fuqi.

Më datën 15 maj Prokuroria ka publikuar listën e kandidatëve për oficerë të policisë gjyqësore që kalojnë në fazën e dytë të konkurimit.

Pjesëmarrës në fazën e parë kanë qenë 171 kandidatë ndërsa e gjithë procedura bazohet në ligjin e vjetër të policisë gjyqësore i cili shfuqizohet brenda pak ditëve për shkak të ndryshimeve të miratuara në Parlament.

Interesi i madh për pjesëmarrje në konkurim duket se lidhet me faktin se policia gjyqësore konsiderohet një strukturë e lakmuar pas ndryshimeve ligjore të reformës në drejtësi që kanë sjellë rritjen e pagave deri në nivelin e 60 për qind të prokurorit.

Urdhëri për pranimin e 27 emrave të rinj në policinë gjyqësore është firmosur nga kryeprokurorja arta marku. Në njoftimin e publikuar nga zyra e arta markut të vetmet kritere që deklarohen për kandidatët janë intervista në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme, dhe kërkesa që të gjithë kandidatët të kenë me vete dokument identifikimi.

Organizimi i konkursit në një kohë kur ligji i ri hyn në fuqi brenda pak ditëve duket se është një përpjekje për të shfrytëzuar mangësitë e ligjit të vjetër në kriteret e pranimit.

Ligji i vjetër ka kërkesa më liberale duke lejuar edhe pranimin e kandidatëve me shkollë të mesme ndërsa ligji i ri ka përcaktuar se në policinë gjyqësore pranohen vetëm kandiatë me arsim të lartë përfshirë edhe 5 vite pune eksperiencë.