Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka arrestuar 2 persona të shpallur në kërkim kombëtar. Njëri prej tyre akuzohej për “dhunë në familje”, ndërsa tjetri për “shpërdorim detyre”.
Sipas të dhënave të para i dënuari për “shpërdorim detyre” është Dedë Tonaj, 48 vjeç, ish-kryetar i komunës Shalë në Shkodër.
Prokuroria e Shkodrës kishte përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-zyrtarë të komunës Shalë, të akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim.
Zyrtarët akuzohen se, në kundërshtim me ligjin kanë shpërndarë rreth 41.500 m2 tokë në zonën turistike të Thethit. Ish-kryetari i komunës Shalë, Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi ka falsifikuar dokumenta zyrtare, në bazë të të cilave persona të ndryshëm janë bërë pronarë të tokave në zonën turistike, pa pasur asnjë të drejtë ligjore për përfitim të pronësisë.
Ish-kryetari i Komunës Dedë Tonaj, në bashkëpunim me shtetasin Tomë Shyti, me detyrë inspektori i taksave pranë komunës dhe kryeplakun Gjovalin Lokthin, ndër të tjera, ka lëshuar AMTP në kundërshtim me kriteret e përfitimit te tokës edhe në favor të fëmijëve të tij.
Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se, në bazë të këtyre akteve joligjore, janë regjistruar në Hipotekën e Shkodrës pronat në një sipërfaqe totale prej rreth 41.500 m2 në zonën e Thethit, ndërsa pjesa tjetër e pronave janë në proces regjistrimi.
Për arsyen e sipërpërmendur, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar sekuestrimin e pronave të regjistruara në Hipotekë në emër të 5 shtetasve të ndryshëm, me qëllim që të shmanget tjetërsimi i mëtejshëm i tyre.
Ndërsa për tokat e përfituara në mënyrë të paligjshme, por që vijojnë të jenë në proces regjistrimi në Hipotekë, Prokuroria e Shkodrës njofton Avokaturën e Shtetit, për të vijuar procedurat e mëtejshme për të rikthyer në ligjshmëri procesin e ndarjes së tokave në ish-komunën Shalë (Theth).
Nga një hetim i mëparshëm i organit lokal të akuzës lidhur me veprimtarinë e ish-drejtuesve të Hipotekës së qytetit kishin dalë të dhëna të tjera mbi veprimtari të paligjshme të kryera nga ana e ish-zyrtarëve të komunës Shalë.