MENU
klinika

Gjoni i Epidamnit

Poeti që gjykoi ilirët e lashtë

27.05.2019 - 15:13

   Midis shekujve V dhe VI të erës sonë ka jetuar poeti dhe shkrimtari i njohur bizantin, Kristodor Kopi, nga Kopta, vend egjiptian pranë Tebës. Ai ka shkruar shumë, por ne na intereson kryesisht epigrama poetike që i kushtohet një figure të shquar nga Durrësi, i quajtur Gjoni i Epidamnit, shkruar në greqishten mesjetare prej 10 vargjesh, që figuron në librin “Antologjia Palatina” dhe që e përkthyer tingëllon kështu:

 

Te ky varr është Gjoni, yll i Epidamnit

Qytet që e ndërtuan djemtë e shkëlqyer të Herkulit

Si trim hero godiste mbi njerëzit e padrejtë

Dhe kishte si paraardhës atdheun e ndritur Lihnid

Të cilin e sundoi dikur Kadmi fenikas

Gjoni e një pishtar drite i Helikonit

Vazhduesi i Kadmit, që solli i pari shkronjat.

Shkëlqeu tërë jetën midis konsujve

Si një gjykatës i lartë i ilirëve,

U kurorëzua me Muzën dhe të drejtën e pastër.

 

 

 

 

Gjoni i Epidamnit ka qenë prefekt i qytetit në kohën e perandorit të Bizantit Anastasi I (491-518), që dihej se ishte me origjinë nga Durrësi e mbiquhej Durrsaku. Si prefekt, Gjoni kishte pushtetin e lartë të gjykatësit të ilirëve. Veprimtarinë e ka ushtruar në Durrës, si dhe në rrethinat ku shtrihej pushteti e juridiksioni i të drejtave të tij. Ai ka jetuar në shekujt V e VI, por natyrisht që ka vdekur para Kristodor Koptit, që i ka bërë epigramën-epitaf për monumentin mbivarror, që ka qenë një vepër arti në qytetin e Durrësit, ku ka vdekur Gjoni. Ky varr nuk është gjetur ende nga arkeologët. Duhet të ketë qenë edhe në Durrës e ta ketë parë qytetin tonë.

Është fakt me rëndësi për kulturën ilire të kohës, që Kristodori e quan poet Gjonin “të kurorëzuar me Muzën” si dhe “pishtar drite i Heliktonit (mal kulti në Beoti, që sipas mitologjisë klasike i qe kushtuar poezisë dhe Muzave dhe mbi të fluturonte kali Pegas). Natyrisht, Kristodori është shprehur për poetin Gjon figurativisht.

Po ashtu, Ana Komnena bën fjalë për një pjesë të lashtë të qytetit, që e quan Epidamn, të braktisur në shekullin X.

 

 

 

 

Por, poezia e tij ruan edhe jehonën e disa legjendave të moçme, që lidhen me historinë e Durrësit. Tradita mitologjizuese për origjinën e qyteteve është shprehje e kulturës së kohës, e heroizmit antik. Vetë Gjoni, sipas Kristodorit, ishte nga Lihnidi, si zanafillë e familjes, por vetë jetoi e punoi në Durrës dhe aty vdiq i nderuar. Epigrama e Koptit përmend lakonikisht dhe legjendën e Kadmit fisnikes, i cili me të shoqen Hermenia, erdhi te Enkelejtë, rreth e qark liqenit Lihnid (Ohrit), u bë prijës i tyre e mbas vdekjes së tyre u shndërruan në Fushat Eliziane në dy gjarpërinj hyjnorë (kjo legjendë ka luajtur rol në historinë kulturore e zakonore të ilirëve të vjetër). Sipas Stefan Bizantinit, pas vdekjes Kadmi dhe e shoqja u varrosën në afërsi të Durrësit. Sipas legjendave të tjera derivateve, që kanë gjalluar për shumë kohë, varret e Kadmit dhe të Hermonias kanë qenë mbi Naretva ose në Grykën e Kotorrit, mbi Drin (Drilon) dhe, madje, mbi Aoos (Vjosë). Madje, statujat e këtij çifti thuhet se kanë qenë vendosur në Gjirin e Rezonit.

Ç’poezi dhe krijimtari artistike ka pasur Gjoni i Epidamnit? Kronikani bizantin, Prokopi i Gazës, në një panegjirik kushtuar perandorit Anastas Durrësaku, ka shkruar se “Epidamnit i këndojnë poetët”. Ndoshta e ka pasur fjalën për veprat e Gjonit, poet të këtij qyteti të përmendur në qendër kulturore, që Kristodori e metaforizoi si “yll i Epidamnit”.

Pikërisht në shekujt V e VI të antikitetit të vonë, në Durrës vërehet një zhvillim i madh arti, jo vetëm në fushën e poezisë, por edhe të pikturës, artit të mozaikut etj. të kësaj kohe janë edhe mozaikët e bukur të bazilikës së Arapajt, të cilat ka mundësi t’i ketë parë me sytë e tij edhe Gjoni ynë, poet dhe personalitet i kohës./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nismëtar i letërsisë

Barleti epos i shpirtit shqiptar

Shqiptarët e mijëra pikëpyetjeve

Toka e thesareve të historisë së pellazgëve

Mbi opusin onufrian

Motive dhe sinopse historike


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale