Serena Williams do të jetë shumë pranë thyerjes së rekordit të Margaret Court, me 24 tituj Grand Slam nëse këtë të shtunë del fitimtare në finalen e US Open ndaj Osaka-s. Gjashtë herë kampionia Williams ka arritur të mposhtë tenisten Anastasija Sevastova në rezultatet 6-3 dhe 6-0.
Osaka siguroi finalen e saj të parë të Grand Slam, duke fituar ndaj Madison Keys, e cila vitin e kaluar u pozicionua në vend të dytë, në shifrat 6-2 dhe 6-4. Kujtojmë se 36 vjeçarja Williams është bërë nënë vitin e kaluar, por ka pasur probleme në shtatëzani dhe teksa ka kuptuar se po prek finalen, pas ndeshjes të së enjtes ajo ka thënë:
“Të vish nga krevati i spitalit, duke mos qenë në gjendje të lëvizësh apo ecësh, madje të mos jesh në gjendje të bësh asgjë, dhe tani pas një viti të jesh në këtë finale duke synuar vendin e parë. Thjesht ndjej që kam një rritje të lartë te loja ime, e kjo është pjesa më emocionuese. Edhe pse nuk jam një ‘zogëz’, vazhdoj të kem një të ardhme të ndritur.”
Ndërsa tenistja japoneze, e cila është 16 vite më e re se Serena, do të ketë mundësinë të luajë në finalen e US Open me heroinën e saj: “Që kur isha fëmijë, ëndërroja se një ditë do të luaja me Serenën në një finale Grand Slam.
Në të njëjtën kohë mendoj që edhe duhet të shijoj këtë moment, por duke e konsideruar si një ndeshje të radhës. Nuk do e mendoj që është idhulli im, por do përpiqem të luaj si të ishte një kundërshtare çfarëdo,”- ka thënë Osaka.