MENU
klinika

Balluku në Portin e Vlorës

Dy skanera të rinj për kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve

28.05.2019 - 16:48

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pa nga afër investimin e realizuar në Portin e Vlorës.

Ndërtimi i terminalit të ri, i cili do të vihet në funksion para nisjes së sezonit turistik, do të bëjë të mundur shtimin e kapaciteteve të përpunimit, ndërkohë që instalimi edhe i dy skanerëve për kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve ka për qëllim të shkurtojë kohën e pritjes në këtë pikë kufitare.

Drejtori i Autoritetit Portual Vlorë, Admir Malaj, bëri të ditur avantazhet dhe shërbimet që do të ofrohen në terminalin e ri, të cilat në terminalin ekzistues nuk ishin të mundura për shkak të mungesës së infrastrukturës.

“Në krahasim me terminalin e vjetër ky terminal është një investim strategjik i cili ka 5-fishuar kapacitetet e tij për përpunimin e pasagjerëve. Aktualisht, gjatë vitit përpunohen rreth 190 mijë pasagjerë dhe me terminalin e ri këta pasagjerë do të jenë në kushte më komode dhe më të mira për të mbërritur në qytetin e Vlorës”, u shpreh Malaj.

Ministrja Balluku, theksoi se përmes këtyre investimeve synohet ofrimi i shërbimeve në një kohë më shpejtë dhe më me cilësi për të gjithë udhëtarët dhe turistët të cilët vizitojnë Shqipërinë.

“Investimet në Portin e Vlorës janë pjesë e strategjisë së zhvillimit të transportit të Qeverisë Shqiptare dhe ky terminal që ndodhet këtu, tashmë gati për t’u dorëzuar dhe gati për të nisur operacionet në fillim të sezonit, është tregues i qartë i të gjitha vendimmarrjeve që ne kemi bërë.

Projektet të tjera si zgjerimi i kalatave apo edhe thellimi i portit të Vlorës do të shërbejnë për të rritur numrin e pasagjerëve përmes kapaciteteve të reja përpunuese që ky port do ketë. Shpresojmë që gjithçka të përmbyllet sipas afateve dhe Vlora dhe gjithë zona e jugut, e cila meriton një vëmendje të veçantë përsa i përket zhvillimit të turizmit, t’i përgjigjet kësaj kërkese ashtu siç duhet, siç e kërkon një vend europian”, nënvizoi Balluku.

Ndërtimi i kalatës lindore në portin e Vlorës, është një tjetër investim, i cili aktualisht është në fazë studimi dhe që pritet të jetë gati vitin e ardhshëm, çka do të përmirësojnë edhe më infrastrukturën në këtë pikë kufitare.

“Kalata lindore e Portit të Vlorës, është në fazë studimi, për projektin e kalatës së re. Ky është një investim nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga Qeveria Shqiptare ku kjo kalatë vitin tjetër do jetë në fazë ndërtimi dhe nuk do jetë më në këto kushte dhe do jetë në kapacitete të tjera”, tha drejtori Malaj.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë garantoi se me investimet e kryera dheprojektet të cilat janë planifikuar për t’u realizuar synohet që Porti i Vlorës të kthehet në një port me parametrat e duhur për t’u përpunuar si anijet turistike ashtu edhe ato të mallrave.

“Porti i Vlorës është një port ndërkombëtar, këtë fakt nuk duhet ta harrojmë, dhe absolutisht mund të destinohet për anijet turistike, pasi kjo është një zonë e cila ka si destinacion turizmin dhe është porta për të aksesuar jugun e Shqipërisë. Megjithatë ky është një port ndërkombëtar të cilin ne do ta sjellim sipas parametrave të duhur për të operuar të gjitha anijet, qofshin këto edhe anijet e mallrave, qofshin këto edhe anije turistike”, theksoi ministrja Belinda Balluku.