Ditën e nesërme , një prej legjendave të Formula 1, Niki Lauda do të përcillet për në banesën e fundit.
Tre herë kampioni i botës u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 70-vjeçare. Fillimisht homazhet do të jenë të hapur për publikun dhe më pas ato do të jenë private, vetëm për familjarët e miqtë.
Sipas mediave austriake, dëshira e fundit e Niki Lauda ka qenë ajo që të varroset i veshur me uniformën sportive ngjyrë të të kuqe, me të cilën u shpall kampion në vitet 1975 dhe 1977, kur pilotonte makinën Ferrari.
Mësohet se në funeral do të jenë edhe ish-presidenti i Formula 1, Bernie Ecclestone, ish-piloti austriak Gerhard Berger, ikona e filmit Arnold Schwarzenegger, princi Alberto i Monako, presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, Lewis Hamilton, Toto Wolff si dhe aktori Daniel Bruhl.
Ky i fundit interpretoi Niki Lauda në filmin me titullin “Rush” dedikuar pikërisht ish-pilotit austriak.