Ditën e sotme, Njësia Speciale ka realizuar një aksion blic në veri të Mitrovicës, i cili ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe ka përfunduar rreth orës 11:30 të paradites.
Aksioni ishte ndërmarrë me qëllim kapjen dhe arrestimin e disa personave që dyshohet se merren me kontrabandë në Zubin Potok dhe në pjesë të tjera të Veriut të Kosovës.
Në përfundim të aksionit, ka mbetur i plagosur me një plumb pas shpine një polic ndërsa 3 të tjerë kanë lëndime të lehta.
Mësohet se janë prangosur rreth 30 persona, mes të cilëve shqiptarë, serbë e boshnjakë. Pavarësisht këtij fakti, megjithatë, episodi ka ngjallur zemëratën e banorëve serbë të 4 komunave veriore me shumicë serbe, për të cilat shtypi në Beograd pretendon se janë vënë qëllimisht në shënjestër.
Policia e Kosovës e sqaroi se të ndaluarit janë të dyshuar për përfshirje në disa vepra penale, si “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “kontrabandim me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e ndaluar”, e të tjera.
Më poshtë gjeni edhe një video nga ndërhyrja e Forcave Speciale, marrë nga ‘Ushtria e Kosovës’.