Bolonja, qyteti me universitetin e parë në botë, tashmë, do të rezervojë një tjetër pasuri të paçmueshme. Universiteti i Bolonjës, hapur në vitin 1088, do të krijojë bibliotekën me 30 mijë librat e filozofit, përkthyesit dhe akademikut: shkrimtarit të madh, Umberto Eco.
Projekti vjen si vlerësim i trashëgimisë që Eco, ka lënë jo vetëm për italianët, por për mbarë botën.
Kritiku, mendimtari dhe shkrimtari i famshëm Umberto Eco, lindi në Aleksandri të Italisë Veriore, më 5 janar të vitit 1932, ndërsa ndërroi më 20 shkurt të vitit 2016.
Kryevepra e tij “Emri i trëndafilit” u publikua në vitin 1980. Romani është një mister historik i vendosur në një manastir të shekullit të 15-të. Prifti françeskan Uilliam i Baskervilit, i ndihmuar nga asistenti i tij Adso, një rishtar benediktin, heton një seri vrasjesh në manastir ku po zhvillohet një debat i rëndësishëm fetar. Eco është veçanërisht i zoti në përkthimin e debateve të jetës fetare të mesjetës dhe herezive, në një debat modern politik e ekonomik, që bëhet i kuptueshëm edhe për lexuesin e thjeshtë, pa qenë teolog.
Qysh në batutat e para, lexuesi kupton se ka të bëjë me një tekst të shkruar nga një intelektual i madh, por, në të njëjtën kohë edhe kompleks, që gërsheton dy tradita: atë të letërsisë së verdhë dhe atë të romanit historik.
Romani mbart shumë referenca direkte ose indirekte, që kërkojnë në vetvete një punë hetimore nga ana e lexuesit për t’u zbuluar. Vetë titulli nuk është i shpjeguar në roman por gjithsesi i bën jehonë fjalëve të Shekspirit “Një trëndafil, me çfarëdo lloj emri tjetër do të mbante erë djersë”. Uilliami i Baskervillit është një anglez i prirur nga logjika, me pasion për librat dhe që më pas, verbohet nga ky pasion.
Personazhi është një referencë mirënjohëse për Jorge Luis Borges, i cili ka ushtruar ndikim të madh te shkrimtari Umberto Eco. Borges bëri një jetë murgu dedikuar pasionit të tij për librat, deri sa u verbua. Uilliami, personazhi i Eco-s, është njëkohësisht një murg dhe një hetues dhe emri i tij i bën jehonë gjithashtu Sherlok Holmsit, veprës së Arthur Conan Doyle. Misteri që shoqëron vrasjet në manastir është huazuar nga përrallat arabe, “Një mijë e një net”.
Duke kaluar nga estetika mesjetare te semiotika, te kodet e komunikimit artistik, prodhimtaria e tij është shumë e gjerë. Nuk mund të harrohet suksesi botëror me romanin “Emri i trëndafilit”, i ndjekur më pas edhe nga të tjerë romane të këtij niveli.
Romani u transformua si film me të njëjtin titull me aktorët Sean Connery, F. Murray Abraham dhe Christian Slater. Filmi merret me temën e misterit dhe vrasjeve, pa hyrë në detajet filozofike apo historike, sikurse përshkruhen në libër./Konica.al
Përgatiti: Hera Lera