Gërmimet në qytetin e Durrësit vijojnë ende, dhe për arkeologët aty gjenden pasuri të mëdha duke qenë se janë gjithnjë e më pranë fakteve dhe zbulimeve të reja që lidhen me historinë e vjetër të qytetit.
Ditët e fundit gërmimet e arkeologëve janë pozicionuar pranë Forumit Bizantin, monument ky i cili daton që prej shekujve V-VI dhe është pjesë e trashëgimisë kulturore.
Arkeologët po kryejnë studime mbi topografinë e Durrësit në lashtësi, pasi gjatë ekspeditës së vitit të kaluar nën këtë monument dolën në dritë fragmente muresh dhe kanalizimesh që i përkasin një periudhe shumë më të hershme, asaj romake.
“Shtëpitë këtu janë dëmtuar ndoshta nga zjarri, ose ndonjë shkatërrim i dhunshëm siç është tërmeti. Kemi më shumë nivele të qytetërimeve të lashta këtu. Kjo zonë banimi mund të shtrihet deri në shek.I para.erës.sonë, po mund të arrijmë dhe në zbulimin e godinave ilire të banimit. Nëse jemi me fat dhe do të kemi kohë do të mund të zbulojmë dhe nivele të tjera të civilizimit arkaik”, tha Catherine Abadie Reynal, Universiteti i Lionit, Francë.
Forumi, apo Shesh-Tregu i periudhës bizantine është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik, fare pranë lagjes së vjetër të zejtarëve në Durrës.
Sipas arkeologëve, poshtë gjetjeve të fragmenteve të godin 6431qaave romake të banimit, mund të gjenden edhe gjurmë të kulturës helenistike dhe asaj ilire, pasi Durrësi, në çdo periudhë dhe pas çdo shkatërrimi, është ndërtuar gjithnjë mbi veten.