MENU
klinika

Përmbushja e kritereve për negociatat

CDU/CSU për qeverinë, Cakaj: Kanë të drejtën e kritikave!

31.05.2019 - 22:08

Ministri në detyrë i Europës dhe Punëve të Jashtme, Gent Cakaj ka komentuar deklaratën e koalicionit gjerman CDU/SCU, ku theksohej se Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë nga kriteret e caktuara nga qershori i kaluar për çeljen e negociatave.

I pranishëm në emisionin “Java” në RTSH, ministri Cakaj theksoi se ekzistojnë kontradikta mes vendeve anëtare, ndërsa tha se grupe të caktuara kanë të drejtën e kritikave mbi qeverinë shqiptare.

Sipas tij, detyra e qeverisë shqiptare është që këtyre kritikave t’u përgjigjet me fakte.

“Përkundër mënyrës se si ka shkuar vendimi në fund, 25 vende në vitin e kaluar kanë qenë në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë, kjo tregon se është rritur besimi te reformat e Shqipërisë.

E njëjta klimë është edhe sot. Ka kontradikta nga vendet anëtare. Grupacione të caktuara kanë të drejtë të kenë rezerva për Shqipërinë dhe kritika për qeverinë, por ne na takon që t’i përgjigjemi me fakte”-tha ai.

Ai foli edhe për opozitën dhe veprimet e saj.

Ministri në detyrë, Gent Cakaj tha se qëndrimet e tilla nuk e ndihmojnë aspak Shqipërinë në hapjen e negociatave, ndërsa citon edhe Komisionin Europian, i cili sipas tij, ka deklaruar se opozita duhet të angazhohet në proceset demokratike.

“Komisioni Europain përmend tre fakte: ‘Opozita duhet të riangazhohet në procese demokratike’. Kjo lë të kuptohet se ajo ka pushuar së qenëri demokratike. Elementi i dytë: ‘Qeveria duhet të sigurojë mundësin e pjesëmarrjes së opozitës në procesin e zgjedhjes’.

Kjo do të thotë se nuk i takon qeverisë të sigurojë pjesëmarrjen e tyre. E treta: ‘Përkundër sjelljes së qeverisë, sjellja e opozitës e ka dëmtuar procesin zgjedhor’. Një sjellje e tillë politike, nuk i kontribuon imazhit të Shqipërisë dhe gjasave për hapjen e negociatave”-shtoi ai.